Rënie e eksporteve, rënieve e fitimeve, rënie e investimeve publike, rënie e të ardhurave personale. Të gjitha së bashku, mesa duket i kanë shtrënguar sipërmarrjet e individët të reduktojnë shpenzimet
Prej disa muajsh, në tri shkrime të mëparshme të kësaj rubrike, janë përcjellë të dhëna për zhvillimin e ekonomisë në fund të tremujorit, në fund të katërmujorit dhe në fund të pesëmujorit të parë të vitit 2012. Kësaj rradhe po analizojmë të dhënat e gjysmës së parë të vitit.
Tregtia me jashtë
Të dhënat zyrtare për gjashtëmujorin na tregojnë se volumi i tregtisë me jashtë është në rënie. Rënie që vjen nga rënia e importeve me 2 %, e cila nuk arrin të balancohet nga rritja e eksporteve me vetëm 2,2 %. Importet kanë rënë me 46 milionë dollarë. Në pamje të parë rënia e importeve mund të ishte lajm i mirë, por nëse shohim strukturën shohim se dy grupe të rëndësishme si ”materiale ndërtimi dhe metale” dhe ”makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kanë, së bashku, një rënie me 16 % apo me 133 milionë dollarë.
Kjo tregon që pritet të kemi më pak investime prodhuese, më pak linja të reja prodhimi, më pak punësim, më pak të ardhura, më pak potenciale për konsum, pra më pak kërkesë në ekonomi.
Midis grupeve të eksporteve shqetësues është fakti që ka rënie grupi “tekstile dhe këpucë”. Ky grup jo vetëm që përbën rreth 30 % e volumit të eksporteve shqiptare, por vazhdon të jetë një sektor ku punojnë një numër i madh personash. Rënia e këtij eksporti dhe varësia e tij, kryesisht, nga kërkesa e tregut italian dhe grek, parashikojnë një situatë pesimiste në punësim, rënie e tij, e për pasojë po ato efekte negative që shpjeguam nga rënia e importit të makinerive.
Administrimi fiskal
Në gjashtëmujorin e parë të 2012, të ardhurat tatimore të arkëtuara në buxhetin e shtetit janë rritur vetëm me 2 %. Nëse marrim për bazë rritjen e taksës së karbonit dhe taksës së qarkullimit bashkë me efektin e tyre në tatimin mbi vlerën e shtuar, si dhe efektin e amnistisë fiskale, duhet të pranojmë se në gjashtëmujorine e parë 2012 nuk kemi rritje të të ardhurave nominale. Pra, nuk kemi rritje të aktivitetit ekonomik krahasuar me periudhën respektive të vitit 2011. Edhe analiza e të ardhurave të realizuara nga taksa të veçanta tregon se qoftë konsumi është ndalur, qoftë sipërmarrjet e individët nuk kanë rritje të ardhurash.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është rritur me vetëm 1,4 %, gjë që tregon për frenim të aktiviteteve sipërmarrëse, sidomos, në tregun e brendshëm. Rritja e TVSH-së më pak se inflacioni mesatar 6 mujor (ky tregues është 1,5 %) është dëshmi e mosrritjes së ekonomisë.
Tatimi mbi Fitimin është pakësuar me 23,8 %, tregues ky që sipërmarrjet po fitojnë më pak. Perspektivë e afërt e zymtë. Më pak kapacitete për investim, më pak mundësi për punësim dhe për herë të katërt në këta muaj na duhet të përsërisim pasojat në frenimin e kërkesës së brendshme.
Tatimi mbi të Ardhurat Personale është pakësuar me 2,1 %. Pra, as efekti i rritjes së pagave të buxhetorëve në korrik 2011 nuk ka sjellë më shumë të ardhura. Nëse të ardhurat nuk janë rritur, por konstatohet shtrenjtim i jetesës, edhe shumica dërrmuese e atyre që jetojnë me pagë janë më keq.
Mosarkëtimi i të ardhurave të programuara, e ka shtrënguar qeverinë të mosrealizojë programin e shpenzimeve. Shpenzimet kapitale në pesëmujorin e parë 2012 janë 79 milionë dollarë më pak se e njëjta periudhë e 2011 ose me një rënie prej 26,9 %.
Gjithë sa më sipër ka sjellë që deficiti fiskal të tejkalohet me 178 %, ndërkohë huamarrja e brendshme është tejkaluar me 208 %.
Tregu i sigurimeve
Rënie e eksporteve, rënieve e fitimeve, rënie e investimeve publike, rënie e të ardhurave personale. Të gjitha së bashku, mesa duket i kanë shtrënguar sipërmarrjet e individët të reduktojnë shpenzimet. Dhe më shumë nga të gjithë e ka pësuar tregu i sigurimeve. Primet e shkruara bruto janë 2,1 milionë dollarë më pak se në gjashtëmujorin e parë 2011 ose 5,6 % më të ulëta. Ndërsa numri i kontratave të lidhura ka rënë me 25,44 %.
Përmbledhtazi, përkeqësimi i treguesve në gjysmën e parë 2012 është dyshifror:
Rënie e importeve të makinerive, pajisjeve, materialeve të ndërtimit me 16 %.
Rënie e investimeve publike me 26,9 %.
Rënie e kontratave të sigurimeve me 25,4 %.
Rënie e fitimit të sipërmarrjeve me 23,8 %.
Tejkalim të programit të deficitit fiskal me 178 %.
pa foto
fytyre e ndyre