Dështon projekti për deklarimin online të listëpagesave të punonjësve si dhe të pasqyrave për ndryshimin e numrit të punonjësve. Është vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që me anë të një njoftimi drejtuar të gjithë Drejtorive Rajonale Tatimore në rrethe si dhe një sërë drejtorish në varësi të saj, bën me dije se ndonëse muaji qershor (sipas VKM) ishte afati i fundit për deklarimin në formë shkresore të këtyre deklarimeve, ai do të shtyhet deri në fund të këtij viti. Pra, tatimpaguesit, përveçse formës elektronike online, do vijojnë t’i dërgojnë listëpagesat dhe pasqyrat për ndryshimin e numrit të punonjësve edhe në formë shkresore.
Subjektet tatimpaguese, duke filluar nga data 1 korrik, kishte filluar që pasqyrat për ndryshimin e numrit të punonjësve t’i dërgonin vetëm elektronikisht pasi Drejtoritë Rajonale Tatimore nuk i pranonin më ato në formë shkresore, ndërsa listëpagesat e punonjësve që i takonin muajit qershor do dorëzoheshin shkresërisht gjatë muajit korrik dhe nga muaji gusht, kur duhet të dorëzohen listëpagesat e korrikut, ato do ishin vetëm në formë elektronike.
Duket se sistemi elektronik online i këtyre deklarime ka hasur probleme gjë që është pranuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Shtoji kësaj edhe mungesën e informacionit apo mospasjen e kualifikimit të duhur të personave që duhet të bëjnë deklarimet online, jo vetëm nga bizneset por edhe nga administrata shtetërore (që sipas vendimit të Këshillit të Ministrave duheshin bërë paralelisht duke filluar nga 1 janari 2012), bën që D.P.Tatimeve të propozojë shtyrjen e afatit deri në fund të vitit. Ky problem bëhet edhe më i mprehtë duke ditur që VKM nr.55, dt.03.02.2010 (i ndryshuar) përcaktonte një sërë institucionesh të cilat duhet të rakordonin punën për administrimin e deklarimeve online. Duke qenë se edhe vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, si administruesit fundorë të listëpagesave, ende nuk kanë bërë lidhjen online me serverin qendror që i mbledh këto të dhëna, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i paraprin kështu një kolapsi i cili mund të hidhte në erë të gjithë të dhënat me emrat e kontribuesve të pas muajit korrik të cilat do dilnin nga deklarimi online i listëpagesave.
Më poshtë edhe njoftimi i plotë i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve:
“Nisur nga problemet e evidentuara dhe të grumbulluara gjatë periudhës nga fillimi i vitit, si dhe nga vështirësia që kanë hasur një numër i madh subjektesh gjatë deklarimit nëpërmjet formës elektronike e të dhënave të listëpagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe e të dhënave për ndryshimin e numrit të punonjësve, është dërguar për miratim Projektvendimi i Këshillit të Ministrave “Për një ndryshim në Vendimin nr.55, datë 3.2.2010 të Këshillit të Ministrave “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”, i ndryshuar”.
Projektvendimi i paraqitur për miratim ka për objekt zgjatjen për të gjitha periudhat tatimore të vitit 2012 të afatit të dorëzimit në organet tatimore edhe në formë shkresore të listëpagesave dhe pasqyrave për ndryshimin e numrit të punonjësve, brenda afateve ligjore, krahas deklarimit elektronik të këtyre të dhënave.
Porositeni veçanërisht të merrni masat e nevojshme për njoftimin e tatimpaguesve që edhe për periudhat tatimore pas asaj qershor 2012 të vazhdojnë të dorëzojnë në organet tatimore edhe në formë shkresore listëpagesat dhe pasqyrat për ndryshimin e numrit të punonjësve, brenda afateve ligjore, krahas deklarimit elektronik të këtyre të dhënave.
Drejtoria e Shërbimit dhe Regjistrimit të Tatimpaguesve të marrë masa për publikimin e kësaj shkrese në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve www.tatime.gov.al.”
Histori e gjate kjo!
Me thelle duhet te ishe futur ne studimin e ketij fenomeni!
Kompania Ikub qe e ka bere programin e aplikimit online thjesht ka adaptuar nje program te huaj.
Jo se nuk dine, por se duhej bere urgjent qe ta inauguronte Saliu!
E njejta gje si tuneli i Rruges se Kombit, qe u inaugurua me urgjence per zgjedhjet e me pas u mbyll, sepse u shemb.
Prisni me gjak te ngrire se cfare do “shembet” tjeter nga inaugurimet e bujshme te shokut Sali!
…………………..