Kris Iton, ish-shef i sigurisë në FIFA, pretendon se ka të paktën një ndeshje të Kampionatit Botëror ku ka dyshime të qarta për manipulim rezultati, ndërsa ka një hetim të hapur për këtë çështje. Ai referohet takimit në Grupin B në Botërorin 2010, atë mes Nigerisë dhe Greqisë. Ngjarja në këtë takim ishte e tillë: Mesfushori nigerian, Sani Kaita, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 33-të të ndeshjes, pasi shkelmoi një kundërshtar. Kombëtarja e tij po fitonte 1-0 në ato momente, por pastaj ndeshja shkoi 2-1 për Greqinë që fitoi takimin.
Iton u prononcua për “Channel 4”, por FIFA i hedh poshtë deklaratat e ish-punonjësit. FIFA vazhdon të pretendojë se asnjë ndeshje e vlefshme për aktivitete që organizon nuk ka përfunduar në rrjetën e manipulimeve për bastet sportive. Por ish-eksperti Iton zbulon se si korrupsioni dhe manipulimet e rezultateve për të favorizuar bastet sportive kanë mbërritur deri në nivelin më të lartë të futbollit botëror, pavarësisht mohimit.