Kompania “Nike” ka vendosur që në spotin e saj të ri publicitar të mësojë se çfarë dridhje të fuqishme krijojnë tifozët e Boka Juniors. Për këtë arsye, kanë vendosur sizmografë në stadiumin “Estadio San Juan del Bicentenario”, gjatë ndeshjes të Kupës së Argjentinës, mes Boka Juniors dhe Racing që u luajt javën e kaluar.
“Thuhet se “La Bombonera” dridhet. Ne do të provojmë se Boka Juniors krijon dridhje në çdo stadium”, është mesazhi i fushatës publicitare, pasi takimi luhej në fushë asnjanëse, në një stadium që mban vetëm 25 mijë vetë, më pak se gjysma e kapacitetit prej 58 mijë vetë që mban i famshmi “La Bombonera”.
Tifozët e Boka Juniors vërtetuan se bëjnë që toka të dridhet kudo që luan skuadra e tyre, sepse sizmografi lexoi dridhje 6.4 gradë të shkallës Rihter pasi ekipi shënoi golin e avantazhit në minutën e 21-të të ndeshjes.
Sizmografi regjistroi 6.1 kur Boka shënoi përsëri në minutën e 62-të ndërsa në fund kishte kohë edhe për një dridhje prej 5.8 gradë në vërshëllimën përfundimtare, kur takimi u mbyll 2-1 dhe Boka Juniors mori kupën.
Kuptohet që këto dridhje nuk mund të krahasohen kurrë me tërmetet e vërteta, që fillojnë thellë në tokë, por një situatë e tillë të bën të mendosh se çfarë dridhjesh mund të krijohen nga festimet e tifozëve në stadiumet gjigande si “Estadio Azteka” apo “Kamp Nou”.