UEFA ka pranuar dje se një nga aktivitetet e saj zyrtare më të rëndësishme kishte përfunduar nën shënjestrën e trukimeve, pasi zbuloi se ka pezulluar me 10 vjet futbollistin maltez Kevin Samut, i cili ndihmoi të manipulohej rezultati i një takimi të kualifikueseve të Euro 2008 ndaj Norvegjisë.
Samut u shpall “fajtor për thyerjen e parimeve të integritetit dhe shpirtit sportiv të UEFA-s”, si pasojë e manipulimit të takimeve. Nuk u saktësua se në çfarë mënyrë kishte vepruar ky futbollist në ndeshjen e humbur 4-0 nga Malta në qershorin e vitit 2007. Vetë lojtari, që ka luajtur 37 ndeshje me fanellën e kombëtares së tij, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që i janë bërë kundër, ndërsa vazhdon të luajë rregullisht, duke qenë aktualisht pjesë e skuadrës së Valeta.
Mesfushori 31 vjeçar dhe dy lojtarë të tjerë të kombëtares malteze u hetuan nga UEFA pasi u përdorën dëshmi të siguruara gjatë një gjyqi që po bëhet në Gjermani ndaj një organizate kriminale kroate që merrej me manipulimin e ndeshjeve. Por dy kolegët e tij, Keneth Shikluna dhe Stefen Uellman u cilësuan të pafajshëm, pasi nuk u gjetën prova të mjaftueshme për të treguar përfshirjen aktive në këtë çështje.
Çështja ka bërë bujë për faktin se anëtarët e bandës kroate që po hetohet në Gjermani, kanë bërë të ditur se takimi Norvegji-Maltë nuk është i vetmi mes kombëtareve që kanë arritur të manipulojnë. Ata kanë bërë të ditur se kanë manipuluar të paktën edhe një ndeshje kualifikuese të Botërorit 2010, atë mes Finlandës dhe Lihtenshtejn, të përfunduar në barazim 1-1. Për këtë takim, ata i kishin dhënë 40 mijë euro gjyqtarit boshnjak të ndeshjes, i cili akordoi edhe penallti në pjesën e dytë për t’u sigurua që në këtë pjesë të shënoheshin 2 gola.