Ferguson, edhe dy vite te Mançester Junajtid

19 Gusht 2012, 14:04Sport TEMA

Aleks Ferguson ka planifikuar plotësisht strategjinë e tij të largimit nga Mançester Junajtid, ndërsa mendohet se pas dy vitesh do të braktisë klubin legjendar anglez, duke u munduar që më përpara të ndërtojë një cikël të ri fitues, të bazuar mbi Uejn Runin dhe Robin Van Persin.

Trajneri që fillon sezonin e tij të 28-të në drejtimin e Mançester Junajtid, ka bindur drejtuesit e skuadrës të investojnë për të afruar Van Persin, duke e kërkuar holandezin si “dhuratë” për vitet e fundit të karrierës së tij, siç ka pohuar një burim pranë skuadrës për gazetën “Daily Mail”.

“Aleks do të jetë trajner edhe për dy vitet e ardhshme ndaj edhe pronarët e ekipit i dhanë atë që dëshironte. Lojtari që dëshironte ishte pikërisht Van Persi”. Por trajneri duket se nuk kënaqet me pak dhe kërkon në tjetër investim në merkato, për të siguruar mbrojtësin Leiton Beins, të cilin Everton e vlerëson 17 milion paund.

“Është një pozicion të cilin ne po shohim ende për ta përforcuar”, pranoi Ferguson. “Kemi harxhuar shumë para këtë verë për përforcime. Por jam i sigurt se nëse shkoj te familja Gleizer, ata do të më thonë përsëri “po””.

Sipas mediave angleze, Ferguson u ka bërë premtime të mëdha pronarëve amerikanë. Ai ka premtuar se jo vetëm do të rikthejë titullin kampion në pronësi të kësaj skuadre, por edhe do t’i lërë pasardhësit të tij një ekip shumë konkurrues në mënyrë që seria e fitoreve të Mançester Junajtid të vazhdojë edhe pas largimit të tij nga stoli i kësaj skuadre.

1 komente në “Ferguson, edhe dy vite te Mançester Junajtid”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje