Mançester Siti ka bërë një goditje të madhe në merkato, por nuk bëhet fjalë për një futbollist, por për një drejtues. Që nga dita sotme, Ferran Soriano do të jetë shefi ekzekutiv i kampionëve të Anglisë, duke përforcuar ndjeshëm stafin e këtij klubi.
Ish-shefi i klubit Barcelona, ishte një nga protagonistët e transformimit të katalanasve në një prej superfuqive të futbollit evropian në vitet fundit. Soriano ka qenë një nga ndihmësit më të afërt të Joan Laportës dhe ka negociuar personalisht të gjitha marrëveshjet e rëndësishme ekonomike që ka bërë ky klub, duke e kthyer atë në një prej markave më të kërkuara të futbollit botëror.
“Jam shumë i lumtur që marr pozicionin e drejtorit ekzekutiv te Mançester Siti. Vizioni i pronarit, bashkë me përkushtimin e tij, të bordit dhe të administratorit, e bëjnë këtë detyrë shumë tërheqëse”.
“Klubi ka një potencial të pabesueshëm që mund të rritet si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. Unë pres me padurim që të luaj rolin tim për të siguruar që një gjë e tillë të bëhet realitet”, tha Soriano në faqen e internetit të klubit.
Ndërkohë, drejtuesit e Mançester Sitit po mundohen që të afrojnë një tjetër emër të njohur të Barcelonës, ish-zëvendëspresidentin Çiki Begirishtain. Plani i sheikëve të klubit anglez është të krijojnë edhe një herë bordin që ndërtoi ciklin e famshëm të Barcelonës, duke shpresuar që këtë radhë të përsëritin mrekullinë në Angli me Mançester Sitin. /lajmeshqip