Edhe 7-mujori 2012 u mbyll keq ekonomikisht!

8 Shtator 2012, 20:19Blog TEMA

Nga Ilir Beqja

Mosarkëtimi i të ardhurave të programuara, e ka shtrënguar qeverinë të mosrealizojë programin e shpenzimeve. Shpenzimet kapitale në pesëmujorin e parë 2012 janë 56 milionë dollarë më pak se e njëjta periudhë e 2011 ose me një rënie prej 26,9 %.

Në disa shkrime të mëparshme të kësaj rubrike janë përcjellë të dhëna për zhvillimin e ekonomisë që prej fundit të tremujorit të parë e me radhë pas çdo muaji. Është radha të ndajmë me lexuesit analizën e disa treguesve kryesorë ekonomikë duke u përpjekur të lexojmë edhe midis shifrave që bëhen publike. Për ndonjë tregues, analiza do të jetë e 6 mujorit të parë pasi vazhdon sëmundje e publikimit me vonesë të treguesve të ndryshëm. Sidoqoftë, përmbledhtazi, mund të thuhet tashmë se 2012 do të jetë viti më i keq i 20 viteve të fundit nëse pranojmë që 1997 nuk mund të jetë e krahasimeve për veçantinë që bart.

Tregtia me jashtë

Të dhënat zyrtare për gjashtëmujorin na tregojnë se volumi i tregtisë me jashtë është në vendnumuro. Rritja e eksporteve me 3,4 % mezi arrin të balancojë rënien e importeve me 1,8 %.

Importet kanë rënë me 49 milionë dollarë. Në pamje të parë rënia e importeve mund të ishte lajm i mirë, por nëse shohim strukturën shohim se dy grupe të rëndësishme si ”materiale ndërtimi dhe metale” dhe ”makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kanë, së bashku, një rënie me 15 % apo me 146 milionë dollarë.

Kjo tregon që pritet të kemi më pak investime prodhuese, më pak linja të reja prodhimi, më pak punësim, më pak të ardhura, më pak potenciale për konsum, pra më pak kërkesë në ekonomi. Ndërkohë që kemi rritje me 91 milionë dollarë të importit të lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike. Edhe pse jemi vend me burime nafte dhe potenciale prodhimi energjie elektrike.

Midis grupeve të eksporteve shqetësues është fakti që ka rënie grupi “tekstile dhe këpucë”. Ky grup jo vetëm që përbën rreth 1/3 e volumit të eksporteve shqiptare, por vazhdon të jetë një sektor ku punojnë një numër i madh personash. Rënia e këtij eksporti me më shumë se 5 % dhe varësia e tij, kryesisht, nga kërkesa e tregut italian dhe grek, parashikojnë një situatë pesimiste në punësim, rënie e tij, e për pasojë po ato efekte negative që shpjeguam nga rënia e importit të makinerive.

Administrimi fiskal

Në shtatë muajt e parë të 2012, të ardhurat tatimore të arkëtuara në buxhetin e shtetit janë rritur vetëm me 2,5 %. Nëse marrim për bazë rritjen e taksës së karbonit dhe taksës së qarkullimit bashkë me efektin e tyre në tatimin mbi vlerën e shtuar, si dhe efektin e amnistisë fiskale, duhet të pranojmë se në gjashtëmujorine e parë 2012 nuk kemi rritje të të ardhurave nominale. Pra, nuk kemi rritje të aktivitetit ekonomik krahasuar me periudhën respektive të vitit 2011. Edhe analiza e të ardhurave të realizuara nga taksa të veçanta tregon se qoftë konsumi është ndalur, qoftë sipërmarrjet e individët nuk kanë rritje të ardhurash.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është rritur me vetëm 1,6 %, gjë që tregon për frenim të aktiviteteve sipërmarrëse, sidomos, në tregun e brendshëm. Rritja e TVSH-së më pak se inflacioni mesatar 7 mujor (ky tregues është 1,7 %) është dëshmi e mosrritjes së ekonomisë.

Tatimi mbi Fitimin është pakësuar me 21,4%, tregues ky që sipërmarrjet po fitojnë më pak. Perspektivë e afërt e zymtë. Më pak kapacitete për investim, më pak mundësi për punësim dhe për herë të katërt në këta muaj na duhet të përsërisim pasojat në frenimin e kërkesës së brendshme.

Tatimi mbi të Ardhurat Personale është pakësuar me 2,6 %. Pra, as efekti i rritjes së pagave të buxhetorëve në korrik 2011 nuk ka sjellë më shumë të ardhura. Nëse të ardhurat nuk janë rritur, por konstatohet shtrenjtim i jetesës, edhe shumica dërrmuese e atyre që jetojnë me pagë janë më keq.

Mosarkëtimi i të ardhurave të programuara, e ka shtrënguar qeverinë të mosrealizojë programin e shpenzimeve. Shpenzimet kapitale në pesëmujorin e parë 2012 janë 56 milionë dollarë më pak se e njëjta periudhë e 2011 ose me një rënie prej 26,9 %.

Tregu i sigurimeve

Rënie e eksporteve, rënieve e fitimeve, rënie e investimeve publike, rënie e të ardhurave personale. Të gjitha së bashku, mesa duket i kanë shtrënguar sipërmarrjet e individët të reduktojnë shpenzimet. Dhe më shumë nga të gjithë e ka pësuar tregu i sigurimeve. Primet e shkruara bruto janë 2,4 milionë dollarë më pak se në gjashtëmujorin e parë 2011 ose 5,1 % më të ulëta. Ndërsa numri i kontratave të lidhura ka rënë me 21,4 %.

Përmbledhtazi, përkeqësimi i treguesve në gjysmën e parë 2012 është dyshifror:

Rënie e importeve të makinerive, pajisjeve, materialeve të ndërtimit me 15 %.

Rënie e fitimit të sipërmarrjeve me 21,4 %.

Rënie e kontratave të sigurimeve me 21,4 %.

Rënie e investimeve publike me 16,3 %.

3 komente në “Edhe 7-mujori 2012 u mbyll keq ekonomikisht!”

  1. Tironsi"ZZ" says:

    Nuk ka mundesi, ne jemi te dytet pas Gjermanise dhe qe sot e tutje jemi norvegjezet e Ballkanit!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/dhi-e-zgjebosur-dhe.html

  2. fl says:

    Mos bejme si te cuditur pastaj kur te plase bomba ekonomike pas disa vjetesh.

    Po qevereisemi shume keq dhe do perfundojme keq.

    1. LORA says:

      Pas disa vjetesh????? Nuk e shihni qe jemi ne humnere?????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje