Filiali i Bankers-it, traditë korruptive me zyrtarët e shtetit. Nën hetime në Nigeri dhe Shqipëri

12 Shtator 2012, 19:48Politika TEMA
Filiali i Bankers-it, traditë korruptive me zyrtarët e shtetit.

Raporti nderkombetar per ryshfete nga Bankers

 

Stuktura e filialeve te Bankers

Tema

“Sherwood International Petroleum Ltd”, një kompani bijë e kompanise Bankers në Shqipëri, e regjistruar në Ishujt Cayman në pellgun e Karaibeve si kompani offshore, është akuzuar nga zyrtarë nigerianë vitin e shkuar për shkak të përpjekjeve të tyre për t’u ofruar atyre ryshfet lidhur me shfrytëzimin e një fushe të pasur gazmbajtëse të gazit të lëngshëm natyror. Një raport i Transparency International përshkruan rastin në fjalë.
Qendra Ndërkombëtare për Reformën në Kodin Penal dhe Politikat e Drejtësisë Penale (The Internacional Centre for Criminal Law Reform and Criminal Justice Policy) (ICCLR) , në një raport të publikuar kohët e fundit thotë se kjo kompani kanadeze ka ofruar sipas informacioneve të saj ryshfete për zyrtarët publikë në Nigeri.
“Ka pasur edhe raporte të vendeve të tjera, ku sipas hetimeve kompanitë kanadeze kanë ofruar ryshfete për zyrtarët publikë. Një rast i tillë është ai i “Sherwood International Petroleum Ltd”, një kompani e regjistruar në Ishujt Cayman dhe një degë kanadeze e Bankers Petroleum Ltd të Kanadasë, akuzuar nga qeveria federale e Nigerisë për korrupsion të dyshuar të zyrtarëve nigeriaën në lidhje me fushat gazmbajtëse të gazit të lëngshëm natyror. “
Kjo kompani është kompania e regjistruar në Fier si një degë e dytë e Bankers-it në Shqipëri, e cila siç theksuam një ditë më parë po punon ngushtësisht me njerëz të LSI në Fier, të nënkontraktuar për shumicën e proceseve të shpimit e çimentimit të puseve si dhe procese të tjera teknologjike.
Prirja e tyre për korruptim ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit që kanë në dorë licencimin, është i lidhur ngushtësisht me faktin që kjo kompani ka filluar të punojë në Shqipëri pasi LSI ka marrë Ministrinë e Ekonomisë dhe i ka ofruar asaj së paku dy puse shumë të vlefshëm sa i përket rezervave në fushën naftëmbajtëse Patos- Marinëz.
Por ndërsa përpjekja për të korruptuar zyrtarët publikë qenka një traditë e tyre, duket se në Shqipëri ajo ka mundur t’i mbyllë gojën prokurorisë se Fierit, pas një kontrolli tatimor, i cili ka verifikuar se kjo kompani ka importuar sasi solari që tejkalojnë nevojat e veta për konsum. Sasia është disa herë më e madhe se nevojat e konsumit të solarit që kjo kompani ka dhe inspektorët e tatimeve kanë dyshuar se Bankers është përfshirë në një tregti të paligjshme të saj.
Prokuroria e Fierit duket se i ka mbyllur hetimet pas shpjegimeve të zyrtarëve se solari është një lëndë e parë që ata e përdorin në një proces teknologjik të rritjes së presionit në shtresat naftëmbajtëse, çka është diçka e padeklaruar më parë në procesin teknologjik të kësaj kompanie.
Biles ky element shton dhe krimin e prishjes së mjedisit dhe shkatërrimit të strukturës gjeologjike të shtresës naftë- e gazmbajtëse të zonës, duke e bërë atë të papërdorshme më vonë.
Zyrtarët lokalë të Bankers-it i shmangin komentet për këtë zhvillim dhe vazhdojnë të mbrojnë tezën se sasia e tepërt e karburantit të importuar është një nevojë teknologjike dhe se gjobat e vendosura prej tyre janë të pajustifikuara për shkak të mosvlerësimit real të investimit dhe fitimit që ata kanë në zonën ku punojnë.
Përfshirja e tyre në tenderin për Albpetrolin dhe manovrimet me dy oferta dhe lidhjet e ngushta mes drejtuesve të LSI, që kontrollojnë Ministrinë e Ekonomisë, dhe kësaj dege kompanie, përforcojnë dyshimet për favorizime të kësaj kompanie kudrejt përfitimeve të ndërsjellta përmes mekanizmave ende të paverifikueshëm në kushtet e një administrate të dobët dhe të korruptuar.

Lidhja Meta- CEO i Banker-s

Ish- zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i ka kushtuar një kujdes të veçantë lidhjeve me Presidentin dhe Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë Bankers Petroleum Ltd., Abby Badwi qysh kur erdhi në pushtet në vitin 2009. Nëse konsultojmë veprimtarinë e Ilir Metës në atë kohë, do të shikojmë se një nga takimet e para të Metës si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm ishte me këtë biznesmen arabo- kanadez. Takimi u zhvillua më 20 tetor 2009 dhe sipas njoftimit zyrtar Meta vlerësoi investimet që kompania kanadeze Bankers Petroleum Ltd ka kryer vitet e fundit, të cilat kapin shifrat e 200 milion dollarëve. Badwi e informoi Metën mbi planet e zhvillimit dhe investimit të kompanisë Bankers Petroleum Ltd në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, me një vlerë totale projekti prej 400 milion USD për 3 vitet e ardhshme.
Por edhe pse Meta e ka nisur startin e tij në pushtet me lidhjet me këtë biznesmen, Ministria e tij duket se nuk i është përgjigjur në kohë interesit të Metës për këtë çështje. Vetëm pas shkuarjes së Metës në zyrën e Ministrit të Ekonomisë, Meta ka realizuar dhe kontratën tashmë mes Albpetrol dhe Sherwood International Petroleum Ltd, një degë e Bankers drejtuar nga Badwin.
Me një vendim nr 948, datë 17.11.2010, qeveria ka ndryshuar kontratën midis Albpetrol dhe Sherwood International Petroleum Ltd. Arsyeja kryesore mendohet të jetë blerja e të drejtave të zonës naftëmbajtëse së Kuçovës nga Bankers Petroleum Albania. Ky ndryshim pritet që t’i japë hov zhvillimit të zonës shumë të rëndësishme te Kuçovës (në këtë zonë kanë qenë kompanitë italiane, që kanë investuar që në vitet ’30).

VENDIM
Nr.948, datë 17.11.2010 PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.686, DATË 19.10.2007 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES HIDROKARBURE, NDËRMJET ALBPETROL, SHA DHE SHERËOOD INTERNATIONAL, PETROLEUM, LTD, PËR ZHVILLIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE, NË VENDBURIMIN E KUÇOVËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 13 të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
Pas pikës 1 të vendimit nr.686, datë 19.10.2007 të Këshillit të Ministrave shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:

“2. Miratimin e marrëveshjes së ndryshuar ndërmjet Albpetrol, sh.a. dhe Sherëood International
Petroleum, Ltd, për marrëveshjen hidrokarbure, datë 4 shtator 2007, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Kuçovës, Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha

Shihet qartë pra që lidhjet LSI – Sherwood International Petroleum Ltd, janë fryt i lobimit politik, të cilat reflektohen sot tek bizneset nënkontraktore të kësaj kompanie, që janë të gjithë njerëz të LSI në terren në Fier, që kanë kontrata me miliona dollarë me këtë kompani dhe që me sa duket së bashku po mendojnë të blejnë Albpetrolin.

2 komente në “Filiali i Bankers-it, traditë korruptive me zyrtarët e shtetit. Nën hetime në Nigeri dhe Shqipëri”

  1. WTF says:

    Cdo kompani qe ka llogari ne CAYMAN ISLAND eshte e dyshimte

  2. Drini says:

    Prape e nxorri koken ky koklopa i skraparit?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje