Rritja e frikshme e krimit, vrasjet janë dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar

15 Shtator 2012, 12:42Kronika TEMA
Rritja e frikshme e krimit, vrasjet janë dyfishuar në krahasim me

Krimi dhe dhuna kundër jetës në Shqipëri po shënon rritje. Qytetarë dhe sociologë bashkohen në idenë se kjo situatë është pasojë e moszbatimit me dorë të hekurt të ligjeve dhe mosndëshkimit të autorëve.

Raportet e policisë dhe të prokurorisë për numrin e krimeve gjatë këtij viti ende nuk kanë dalë. Por shifrat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin e kaluar tregojnë një trend në rritje të krimeve të rënda kundër personit. Sipas këtyre shifrave, gjatë 2011 u kryen 366 krime të tilla dhe pjesa më e madhe e autorëve ende nuk është përballur me drejtësinë, pohon organi qendror i akuzës. Ndërkohë Qendra për Çështjet Europiane dhe të Sigurisë (Center for European and Security Affairs) në një studim të përbashkët me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, një organizatë kjo e shoqërisë civile me seli në Tiranë, e vlerëson të dyfishuar për vitin e kaluar numrin e vrasjeve për çdo 100 mijë banorë me një vit më parë. Nisur nga kronika e zezë që botojnë të përditshmet e Tiranës dhe transmetojnë edicionet e lajmeve në mediat elektronike grafiku i krimeve dhe dhunës kundër jetës së individit shfaqet në rritje edhe këtë vit. Edhe publiku e percepton të rritur nivelin e kriminalitetit dhe formulon edhe ka mendimin e vet pse ndodh kështu. Qytetarë të Tiranës në mikrofonin e programit shqip të DW shprehen se: “Janë rritur vrasjet nga papunësia. Nëse je pa punë çfarë do të bësh?”, thotë një grua e moshuar.

“Gjendja ekonomike është shumë e vështirë. Ka papunësi, varfëri dhe skamje të madhe. I papuni nuk do të vdesë, do të bjerë në qafë ty, mua, do të marrë çantën, varësen e floririt, ti nuk do që t’ia japësh… atëhere do të të vrasë. Këtu nuk ka ligje”, thotë nje shitës ambulant.

“Nuk ka ligje tek ne, ka korrupsion”, mendon një studente.

Rritja e krimit dhe dhunës ndaj jetës – përtej vështirësive ekonomike

Por ka edhe arsye te tjera përtej këtyre që mendojnë njerëzit e thjeshtë. Sociologu i mirënjohur në Shqipëri, Prof.Dr. Kosta Barjaba, i shpjegon nga pikëpamja sociologjike rrënjët e rritjes së numrit të krimeve dhe dhunës ndaj jetës së individit. “Nëse varfëria do të ishte shkaku kryesor i krimit dhe i dhunës ndaj personit, atëherë të varfrit do të ishin kriminelët më të mëdhenj. Por nuk është kështu. Krimi argumentohet me varfërinë, por atij nxitjen në Shqipëri ia jep mungesa e shtetit, e forcës goditëse të ligjit dhe sidomos mungesa e forcës parandaluese të ligjit”, thotë Z. Barjaba.

Perceptim i publikut – kriminelët i shpëtojnë vuajtjes së dënimit

Sipas Z. Barjaba krimi nuk kryhet menjëherë. Në fazën e përgatitjes së tij, institucionet përkatëse nuk funksionojnë si duhet që ta ndalojnë që një krim potencial të bëhet real. “Institucionet janë jo efikase dhe nuk kanë ndikimin e duhur që të pengojnë kryerjen e krimit. Shoqëria duhet t’i përqëndronte përpjekjet e saj tek parandalimi i krimit”, thotë Prof.Dr. Kosta Barjaba.

Kjo do të thotë se në Shqipëri raporti mes forcës goditëse të krimit dhe politikave parandaluese nuk është në favor të këtyre të fundit. “Shoqëria duhet të ketë më shumë institucione, forca, energji për edukimin e qytetarëve dhe për politikat parandaluese të krimit”, vë në dukje sociologu i njohur.

Kjo do të silllte edhe ndryshimin e perceptimit të publikut lidhur me ndëshkueshmërinë e kriminelëve. “Perceptimi i publikut është i tillë që ti mund ta kryesh krimin, por ka një mijë e një mënyra që  ti mund t’ i shpëtosh përballjes me drejtësinë dhe të mos vuash dënimin”, thekson Z. Barjaba.

Cili është talenti i ligjit?

Ky perceptim sjell një pasoja shumë negative në shoqëri. “Qytetarët nuk janë të përgjegjshëm për pasojat e shkeljes së ligjit dhe të kryerjes së krimit pasi mungesa e ndëshkueshmërisë i shtyn ata drejt kryerjes së tij. Sa më të qartë të jenë njerëzit për pasojat e krimit aq më pak janë të predispozuar për ta kryer atë”, shpjegon Kosta Barjaba.

Këtu futet në lojë pikërisht ajo që njihet si “talenti i ligjit”: “Talenti i ligjit është që e lufton krimin me metoda ligjore, kurse avantazhi i kriminelëve është që ata e luftojnë shtetin dhe ligjin me metoda jo ligjore. Shqipërisë i duhet të ndërtojë institucione qe ta parandalojnë krimin që në embrion, institucione të forta, të pamëshirshme në zbatimin e ligjit, një qeverisje që u jep alternativa pune dhe jetese të gjithë qytetarëve. Të gjitha këto të marra së bashku , në mënyrë të harmonizuar, do të kontribojnë në ndryshimin e perceptimit të publikut për ligjin dhe ndëshkimin, në uljen e shifrave të kriminalitetit që vërtet i konsideroj të llahtarshme”, përfundon sociologu Kosta Barjaba./DW

3 komente në “Rritja e frikshme e krimit, vrasjet janë dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar”

  1. tourkofagos says:

    pune korrakesh,sikter milet…….sa u ben pershtypje sirianeve,libianeve,irakeneve,iranianeve,turqeve etj,per vrasjen e nje njeriu,aq u bene edhe gyzeleve shqipfoles!!!!

  2. preng sherri says:

    qe krimi do rritej e kemi thene me vite perpara!
    te gjitha paguhen ne kete bote,nuk ngelet asgje,bile me interesa.Kur llumi shqipfoles bete te pabemet ne Europe,te gjithe kemi heshtur,sepse ju ka interesu te gjitheve.Pasi na nxorren bojen neper bote,tashti na kthehen ketu.
    e gezofshim Shqiperine e re! ME NE FITOJNE TE GJITHE!!!!!!!!!!!!!!

  3. kel ukaj says:

    Nuk ka rritje te krimit por shqiperia po shkon drejt normalitetit. Them drejt normalitetit pasi eshte gje mese normale, se Kryeministri Sali Ram Berisha vret ne nje dite 4 o 26 persona e perse Ne nuk kemi te drejte ta vrasim NJE e rralle DY persona! Ai qe duhet te jete shembull ben ato qe dihet e perse nuk duhet te sillen edhe qytetaret e tjere ne te njejten menyre! Une mendoj qe duhet te ngrihet cilesia e goditjeve te “krimit”, e te godasin pasurine e korrupsionit, keshtu te behet rishperndarje e re e pasurise se krijuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje