Banorët: Listat janë bërë kryefjala e mbijetesës sonë

18 Shtator 2012, 20:38Sociale TEMA

Në çdo dyqan ushqimor, tregtarët thonë se në vend të lekëve mbajnë listat e pafund të borxhlinjve. Takimet e deputetëve socialistë dhe të zgjedhurve vendorë me tregtarë dhe biznesmenë të vegjël kanë vijuar në zonën e Saukut të Poshtëm, që ndodhet në territorin e Njësisë Bashkiake Nr.2 në kryeqytet. Deputeti Besnik Baraj, i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit bashkiak të Tiranës, Arbi Mazniku dhe Florian Pullazi janë njohur me situatën në të cilën ndodhen dyqanet dhe lokalet e shërbimit në këtë zonë të kryeqytetit, për shkak të rënies së fuqisë blerëse.

“Me lista, ja shikojeni. Nuk e përballojmë dot më këtë gjendje. Lista është shumë e madhe. Ne na vjen keq mos t’ju japim, se për bukën e gojës vijnë këtu. Po edhe ne jemi në vështirësi se duhet të furnizohemi, na duhen lekët për të paguar taksat dhe faturat e tjera. Xhiro ka rënë shumë. Nuk kemi qenë asnjëherë në këtë gjendje”, është shprehur një tregtare në një dyqan ushqimor. Sipas saj gjendja ka ardhur duke u përkeqësuar nga njëri vit në tjetrin dhe tani ka arritur kulmin e saj, kur aktiviteti tregtar është bërë pothuajse i pamundur.

Pak metra më tutje në një dyqan mishi, një djalë i ri që menaxhon aktivitetin së bashku me të atin, thotë se megjithëse është ora 12.30 e drekës “nuk e ka bo sefte” akoma që të shesë ndonjë kile mish.

Por “surpriza”, apo ajo që mund të quhet një rast për rekord negativ është shitja e veshjeve të përdorura me lista. Në hyrje të një lokali që shiste veshje të përdorura të zgjedhurit socialistë janë përballur me shitësen, një grua rreth të 50-ave, e cila është shprehur: “Vitet më përpara ka qene më ndryshe, po sivjet ka puna fare. Që të gjithë mallin që kam shitur, pa lekë e kam dhënë. As pune s’ka, as xhiro nuk ka, asgjë nuk ka”. E ndërkohë që shitësja flet, një tjetër mesogrua që del nga dyqani, pasi ja tregon se ç’ka marrë shitëses, i thotë që t’i shënojë, e më pas u drejtohet përfaqësuesve të PS-së: “Po ç’të bëjmë dhe ne. Nga halli e kemi. Jemi pa lekë se nuk kemi. Na hoqën nga puna. Punonim në Gjelbërim dhe na hoqën. Unë jam kryefamiljare me gjithë ato halle”.

Në mbyllje të takimeve me tregtarët e kësaj zone, deputeti Baraj është shprehur për mediat:

“Përkundrejt asaj që thotë kryeministri se Shqipëria dhe padyshim edhe Tirana është një parajsë ekonomike, se ka zhvillim, tregtia ecën shumë mirë dhe ka rritje nga viti në vit, realiteti është krejt tjetër. Siç mund ta shikoni edhe vetë bizneset janë pothuajse bosh, ndërsa fjalët e tregtarëve janë shumë të qarta, për gjendjen që ata po kalojnë. Shitja e mallrave dhe konsumi i tyre kanë rënë jashtëzakonisht dhe njëkohësisht një pjesë e mirë e banorëve marrin ushqimet me lista shumë të gjata, pa mundur të paguajnë edhe bukën e gojës.”

5 komente në “Banorët: Listat janë bërë kryefjala e mbijetesës sonë”

    1. Tironsi "ZZ" says:

      Fotokopjojini te gjitha listat dhe do behet reportazhi me real i norvegjezeve te Ballkanit, me 9mije$ per koke!

  1. Treviso says:

    Listat çojani sali Berishes se i paguan ai qe deglaron 9000$ per fryme.
    Tani qe filloi fushata elektorale para se t’ju kerkoje voten kerkoni 9000$ per vote dhe votoni sipas deshires tuaj.

  2. S’ka mundsi do jen bizneset e deputetve te PS. Osht mire me ju gezue mrekullise ekonomike qi ka sjell Doktori pernryshe perfundoni ene ma keq se me lista. Te gjitha keto te kqia vijne vetem ngaqi poplli nuk osht i sinqerte ne dashnine per udheheqsine e tij, Doktorin. Naj vuni sa tju vijn ment

  3. sokoli says:

    Ju pra ju te listave e shisni voten(bythen) per nje thes miell e keni marr ne qafe gjith shqiptaret

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje