Do t'i ndërtojmë edhe më të vjetra!

19 Shtator 2012, 10:36Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Para disa vjetësh isha nisur nga Korfuzi i Greqisë në drejtim të Sarandës. Që prej këtij ishulli grek shihej bregdeti shqiptar. Për Sarandën kisha dëgjuar si fëmijë. Pata hasur në disa fotografi të vjetra që tregonin bukuritë e këtij qyteti jugor. Pata dëgjuar se e quanin si “Dubrovniku i Jugut“ dhe tregime se si macja nga pika më e lartë e qytetit mund të zbresë nëpër kulmet e shtëpive të ndërtuara nga gurët deri në det. Me t’u afruar anija nga Korfuzi shfaqet një pamje krejt tjetër. Të më falin ata që e duan Sarandën dhe mendojnë se është qytet i bukur. Të më falin edhe qytetarët e Sarandës, por në vend të mahnitjes me ndonjë bukuri të këtij qyteti, u zhgënjeva me pamjen që pashë. Ndërtesa të larta në breg të detit. Sa më afër detit, aq më të mëdha ishin edhe ndërtesat. Dikush që kishte ndërtuar një „hotel“ me pamje nga deti pas një viti nga ai kishte pamje në prapanicën e një „hoteli“ tjetër edhe më të lartë. Në Shqipëri hotel quhet secili objekt që pranon mysafirë me qira. Një qytetar i Sarandës më thoshte se e ka të vështirë ta gjejë shtëpinë e tij, sepse edhe muret e shtëpive janë bërë deri në brendësi të rrugëve dhe më nuk shihen as rrugët si duhet. “A ke në Sarandë, a? Ahhhh qysh e kishin ndërtu! Fantazi ish ba. Nuk e kum njoft hiç kur kesh sivjet!“- më thoshte para shtatë vjetësh një mik në Kosovë. Nuk e di pse, por shkatërrimin e shtëpive të vjetra të gurit dhe ndërtimet pa plane urbanistike asnjëherë nuk i kam konsideruar si „fantazi“. Më erdhi keq se Saranda nuk e ka pasur fatin e Gjirokastrës apo të Beratit që të vihet nën mbrojtje të UNESCO-s. Ndoshta një gjë e tillë do ta kishte ruajtur origjinalitetin e këtij qyteti. Ndoshta jo sepse epshet për t’u pasuruar shpejt në Shqipëri nuk pengohen as nga ligjet. E tash në Sarandë, për mendimin tim, turistët mund të vijnë për det dhe diell, edhe për mikpritje tradicionale, por sa i përket rëndësisë së arkitekturës së qytetit nuk ka ndonjë vlerë të veçantë. I tillë është bërë i tërë bregdeti i Shqipërisë, prej Velipoje e deri në Ksamil. Edhe në brendi, në pjesën kontinentale të shtetit amë, janë shkatërruar shumë objekte të vjetra për t’ua lërë hapësirën atyre më të rejave. Edhe ato pak objekte që nuk i shkatërroi diktatura komuniste u shkatërruan gjatë tranzicionit dhe vazhdojnë të shkatërrohen edhe sot.

E në Kosovë ndiqet e njëjta logjikë. Gjatë komunizmit disa qyteteve iu dha një pamje e shëmtuar. Për kryeqytetin e Kosovës një ekspert amerikan thoshte se i duket sikur të ishte ndërtuar nga punimet e studentëve të arkitekturës, të cilët kanë rënë në provim me të njëjtat punime. Kosova u shkatërrua shumë edhe gjatë luftës. Madje edhe Tribunali i Hagës në procesin kundër ish-diktatorit serb, Slobodan Milosheviq, kishte nxjerrë dëshmi për shkatërrimin e qëllimshëm të objekteve kulturore, etnike dhe fetare. Dëshmitarë, ekspertë, në hollësi shpjegonin se si shkatërrimi i xhamive të vjetra, i ndërtesës së Lidhjes së Prizrenit, i Çarshisë së Pejës dhe asaj të Gjakovës, shtëpive të vjetra të fshatrave të Junikut dhe pjesë të tjera të Dukagjinit, ishin të qëllimshme dhe ishte një lloj kulturocidi. Madje dëshmohej se Xhaminë në Gjakovë e kishin djegur në atë mënyrë saqë të duket se kinse është shkatërruar nga bombardimi i NATO-s. Pos që donte Milosheviqi të largonte pothuajse të gjithë shqiptarët nga Kosova, donte që të mos mbetej as gjurmë e kulturës së tyre.

Pas luftës disa nga këto objekte u rindërtuan me mund dhe me ndihmë të fondacioneve të huaja. Ajo që ra në sy ishte se më shpejt ndërtoheshin xhami të reja sesa që rindërtoheshin ato me qindra vjet të vjetra. Dhe ato të rejat ndërtoheshin me stil krejt të ndryshëm nga stili i atyre të vjetrave. Në disa raste nga zyrtarë ndërkombëtarë ka pasur edhe dyshime për përzierje të politikanëve kosovarë në shpëlarje parash gjatë ndërtimit të disa xhamive me funde nga Lindja e Mesme, por ata asnjëherë nuk bënë asgjë për të ndriçuar dyshimet e tyre.

Edhe nëpër qytete filluan ndërtimet e egra. Me përjashtim të Prizrenit, që deri diku u krye edhe nga forcat serbe, pak ka ndonjë vendbanim në Kosovë për të cilin mund të thuhet se ka ruajtur identitetin e vet të arkitekturës.

Vërtet shpesh është më lehtë të ndërtosh diçka të re sesa të rindërtosh diçka të vjetër që është shkatërruar apo dëmtuar. Por duhet pasur respekt edhe për të kaluarën, edhe për historinë për të cilën shqiptarët aq shumë flasin. Çfarë mund t’u tregojmë turistëve të cilët në të ardhmen do të vijnë në Kosovë nga arkitektura e Kosovës. Shumë pak. Madje kanë filluar ta shkatërrojnë edhe natyrën ndërtimet e egra.

Kur e kishin pyetur gjeneralin serb, i cili komandonte bombardimin e qytetit të Dubrovnikut, se si nuk i vinte keq që të shkatërronte një qytet aq të bukur dhe aq të vjetër, ai ishte përgjigjur: “Kur ta marrim ne në dorë do ta ndërtojmë edhe më të bukur dhe më të vjetër“. Në Kosovë dhe Shqipëri me këtë logjikë po vazhdojnë të zhduken gjurmët e së kaluarës përmes shkatërrimit të asaj pak trashëgimie arkitekturale që ka pasur. Këto ditë pamë edhe shembjen e një xhamie të vjetër në Mitrovicë, ku thuhet se do të ndërtohet një tjetër „moderne dhe më e madhe“. Ky mund të jetë edhe një shembull i anarkisë në Kosovë nëse vërtet kjo ndërtesë ishte objekt i mbrojtur kulturor. Por nuk besoj se dikush do ta ndjekë deri në fund këtë problem. Asnjë problem i tillë në Kosovë nuk është sqaruar deri në fund. Udhëheqësit do të argumentojnë duke thënë se “kemi punë më të rëndësishme“, ndërsa Kosova po mbetet me gjithnjë e më pak objekte të saja me të cilat mund të identifikohej e kaluara.

Koha është që qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë të bëjnë një ligj për status të veçantë të objekteve të vjetra kulturore dhe fetare, diçka ngjashëm me atë që Pakoja e Ahtisaarit bëri për monumentet ortodokse serbe.  Kur disa prijës fetarë në Kosovë, myslimanë dhe katolikë, ishin ankuar se pse edhe objektet fetare të këtyre dy besimeve nuk janë mbrojtur në të njëjtën mënyrë sikurse ato serbe, një diplomat i lartë ndërkombëtar, i përfshirë në ekipin e Martti Ahtisaarit, kishte thënë se “ne kemi parashtruar si obligim ruajtjen e objekteve serbe për të siguruar që të mos përsëriten ngjarjet e marsit të vitit 2004. Shqiptarët atëherë patën dëshmuar se nuk munden apo nuk duan t’i mbrojnë objektet serbe. Prandaj na duhej një siguri. Por askush nuk ua ndalon autoriteteve të Kosovës që me ligj të mbrojnë objektet e tjera kulturore, fetare e tjetër fare“, pati thënë ai. Mund të ndërtohen gjëra të bukura në Kosovë, edhe të mëdha, edhe moderne, edhe funksionale. Por deri më sot nuk ka arritur dikush ende të ndërtojë diçka edhe më të vjetër sesa ka qenë. E nuk do ta bëjmë as ne shqiptarët.

3 komente në “Do t’i ndërtojmë edhe më të vjetra!”

  1. Dilema says:

    E pershendes Agustinin per shkrimin. Eshte gazetar dhe njeri i i mire.
    POR…. Agustini i di mire pergjigjet e te gjitha pyetjeve….Edhe pse asnjehere nuk do behen ato gjera te drejta dhe te domosdoshme qe ai shtron…

  2. tonini says:

    Artikull shume i drejte por sic tha dilema me lart, pergjigjet dihen. Kur kombinon nje mungese totale te shtetit funksional ligjor dhe udhehiqesh nga klane barbaresh pa vizion dhe pa kreativitet te formuar ne komunizem – alla Sali – bashke me nje popull te pafuqishem, te pandergjegjshem e deri diku edhe te pacivilizuar, keto do jene rezultatet.

    Asnje njeri e aq me pak turistet, nuk mund te doje shkaterrimin arkitektural, ekologjik, politik, ambjentalist, qe po behet ne Shqiperi. Shume qeveri dhe faktore jane pergjegjes per kete gjendje por asnje nuk ka bere demin qe po ben sali kanibali qe ka vendosur te shkaterroje gjithshka qe lidhet me Shqiperine: tokat, pyjet, lumenjte, nentoken, detin, pronat, ambjentin, arkitekturen e qyteteve, dhe njerezit. Opozite nuk ka. keq shume jane gjerat per kete vend persakohe kjo mortje eshte aty dhe po krijon edhe klone te rinj te tij te tipit Lulka pederasti.

  3. ATILA says:

    Historia e nje populli ngrihet mbi mijera vite e nuk mund te sajohet mbi mite te huazuar e mbi sajesa te shtirura si ne F.Y.R.O.M.Nje popull qe nuk vlereson te kaluaren nuk mund te gezoje te ardhmen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje