Mitrovica paguan 60 mijë euro kopjen e shtatores së Boletinit

21 Tetor 2012, 14:56Rajoni TEMA

Skulptori durrsak Idriz Balani, nuk do ta ketë të vështirë ta shkrijë në bronz Isa Boletinin. Pak ditë pas inaugurimit të shtatores së heroit në fshatin e tij të lindjes, Isniq të Deçanit, Balani i është përveshur punës që ta realizojë kopjen e saj. E për këtë punë Komuna e Mitrovicës do ta paguajë 60 mijë euro.

Për veprën origjinale e tij, të inauguruar javën që shkoi, Komuna e Deçanit kishte paguar 87 mijë e 700 euro.

Skulptori nga Durrësi ishte përzgjedhur të realizojë shtatoren me tenderin e parë të Komunës së Mitrovicës “Punimi dhe vendosja e shtatores së Isa Boletinit”. Por, tenderi ku Balani kishte konkurruar me kompaninë “PMN” në korrik ishte anuluar pas ankesës së kompanisë konkurruese “Kos-ing” të skulptorit Luan Mulliqi.

Në ankesën e “Kos-ing” ishte thënë se është bërë shkelja e nenit 28 të Ligjit të Prokurimit Publik, meqë autoriteti kontraktues nuk ka parashtruar specifikimet e detyrueshme teknike në dosjen e tenderit.

“Në dokumentacionin e tenderit nuk ceket lartësia e shtatores, kualiteti si dhe materiali (bronz apo gur). Mungojnë edhe specifikimet që shtatorja duhet të jetë ide origjinale e jo kopje e ndonjë skulpture e cila është punuar dhe vendosur në ndonjë qytet tjetër”, ka qenë një nga pikat e ankesës, shkruan “Koha Ditore”.

Në ftesën e dytë për tender që u realizua në shtator të këtij viti, Kuvendi Komunal i Mitrovicës i kishte bashkangjitur në dosje specifikimet e detyrueshme. Por edhe pas tenderit të dytë, komisioni i formuar nga Komuna e Mitrovicës, kishte shpallur fitues të njëjtën kompani.

Skulptori Idriz Balani, nuk e ka mohuar faktin që shtatorja e Isa Boletinit është e njëjta me atë që është vendosur në Isniq të Deçanit.

“Shtatorja e Isa Boletini që do të vendoset në Mitrovicë është e njëjtë me atë që u inaugurua në Isniq, pra është kopje e asaj të parës. Do të jetë në bronz, identike me të parën”, ka thënë ai. /

Sipas Balanit, kjo ka qenë zgjedhje e Komunës së Mitrovicës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje