Raporti ‘Të bësh biznes’ i Bankës Botërore, Shqipëria humbet dy vende

23 Tetor 2012, 18:07Politika TEMA

Banka Botërore publikoi raportin vjetor Doing Business apo “Si të bësh biznes” për vitin 2013. Ndonëse Shqipëria ka humbur dy vende në klasifikimin e përgjithshëm të këtij raporti, bashkëautorja e studimit, Tea Trumbiç thotë se vendi ka shënuar përparime në disa tregues të rëndësishëm por ka ende vend për përmirësime.

Banka Botërore e radhit Shqipërinë në vendin e 85 nga 185 vendet e përfshira në klasifikimin e përgjithshëm të raportit Doing Business i cili merr në konsideratë rregulloret e vendosura nga qeveritë që ndihmojnë apo pengojnë bërjen e biznesit në një vend.

Tea Trumbiç, bashkëautore e raportit thotë se një nga arsyet kryesore për  këtë rënie të lehtë të Shqipërisë në klasifikim janë hapat e shpejtë të ndërmarra nga vendet e tjera në drejtim të reformave. Por ajo shton se edhe në Shqipëri vihen re disa ndryshime pozitive.

“Pavarësisht renditjes së përgjithshme, ka pasur dy reforma të rëndësishme vitin e kaluar. Një në treguesin e fillimit të biznesit ku Shqipëria hoqi një nga kërkesat për noterizimin e dokumenteve të themelimit të kompanive (duke e bërë atë fakultativ) dhe duke ulur procedurat si dhe kohën që nevojitet e që e vë Shqipërinë ndër vendet më të shpejta për të filluar një biznes”.

Shqipëria gjithashtu bëri përparime në treguesin e regjistrimit të pronave duke vendosur afate kohore për regjistrimin e një titulli të pronësisë.

Megjithatë në treguesin e lejeve të ndërtimit Shqipëria radhitet e fundit në klasifikimin e këtij raporti të Bankës Botërore. Arsyeja…

“Për tre vitet e fundit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në Tiranë. KKRT ishte autoriteti kryesor që autorizonte lejet e ndërtimit dhe kishte zyrtarë të lartë të përfshirë në të. Procesi sigurisht që merrte shumë kohë edhe më parë. Tani ka një ligj të ri që supozohej të zbatohej vitin e kaluar e që ja kalon këtë autoritet bashkive. Por për shkak të problemeve me zbatimin e ligjit nuk janë dhënë leje ndërtimi. Pra në këtë pikë as që mund ta klasifikojmë Shqipërinë pasi nuk ka asnjë aktivitet”. 

Një tregues ku çalon jo vetëm Shqipëria por mbarë rajoni i Ballkanit thotë zonja Trumbiç, është ai i energjisë, një kriter i ri i futur në raportet e dy viteve të fundit e që mat lehtësinë në procesin e sigurimit të energjisë elektrike për një biznes.

Zonja Trumbiç thotë se puna që po bën qeveria shqiptare për të lehtësuar procesin e pagesave të taksave është inkurajuese.

“Një tregues tjetër ku Shqipëria duhet të bëjë përparim janë pagesat e taksave. Kjo është një fushë ku e dimë se qeveria po punon në mënyrë aktive. Vumë re miratimin e një reforme këtë vit që pakëson disi kohën e pagesës së taksave për shkak të lehtësirave të propozuara për të paguar taksat online”.

Ndër vendet e rajonit, zonja Trumbiç përmend Serbinë si vendin që ka shënuar më shumë përparime në raportin e këtij viti ndërsa Shqipëria paraqitet më mirë sesa Bosnje-Hercegovina. Ajo thotë se gara mes vendeve të rajonit është e fortë.

“Ka ende vend për përparime në Shqipëri. Ka shumë vende që po ndjekin fuqishëm zbatimin e reformave. Maqedonia është një vend që ka avancuar ndjeshëm në klasifikim. Gjithashtu po shohim mjaft reforma në Kosovë dhe kjo i lë disi pas vendet e tjera në rajon. Kështu që ka ardhur koha të ecet më shpejt për të konkurruar”.

Raporti vjetor i Bankës Botërore Doing Business klasifikon vendet sipas 10 treguesve ku përfshihet shpejtësia e regjistrimit të një biznesi, pagesa e taksave, regjistrimi i pronës, tregtia ndërkufitare si dhe zbatimi i kontratave./VOA

2 komente në “Raporti ‘Të bësh biznes’ i Bankës Botërore, Shqipëria humbet dy vende”

  1. Jorgo Papqingji says:

    Po hundrrensi cfare thote?
    Aj e ka digjisalizue te tan salistanin me Non stop one stop shopa alla paidhi Sheqeres.
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/non-stop-one-stop-shop-albania-made-in.html

  2. aa says:

    Nuk ka rënë me 2 vende po me 3 vende. Ishim në vendin e 82 dhe kemi rënë në të 85. Aritmetika thotë: 85-82=2. Me fjalë të tjera, Zëri i Amerikës ja fut kot. Për këdo që do ta konfirmojë
    http://www.doingbusiness.org/data/exploreeconomies/albania

    Siç mund ta shikoni, rënia më e madhe, me 5 vende, është te taksa e sheshtë. Kemi shkuar për lesh në menaxhimin e sistemit fiskal, nga vendi 155 në të 160. Shyqyr që lëmë pas Ukrainën se do ishim fëlliq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje