Kolegjiumi i Gjirokastrës ka një histori shumë të veçantë. Të gjithë gjyqtarët që janë pjesë e këtij kolegjiumi, gjatë punës së tyre janë dhunuar nga tifozë, futbollistë apo edhe drejtues klubesh. Të gjithë e ushtrojnë profesionin e gjyqtarit për pasion dhe jo për para, për shkak se si punë të parë ushtrojnë profesione të tjera nga të cilat përfitojnë më shumë para. Pjesa më e madhe e tyre janë policë, por ka edhe ekonomistë dhe nëpunës, shkruan Sport Ekspres.
Rasti i parë i dhunës mbi arbitrat gjirokastritë u krijua në ndeshjen Këlcyra–Përmeti, një sifdë e Kategorisë së Dytë. Treshja e gjyqtarëve, Robert Shosha, Gazmend Bimi dhe Bekim Bejko u goditën me grushta nga 4 lojtarë të Këlcyrës, pavarësisht se ndeshja nuk kishte përfunduar ende. Më vonë, në vitin 2006, në sfidën Gramozi–Bylisi në Kategorinë e Parë, kryesorin e takimit, Tanush Latifi, tifozët vendas e goditën në dhomat e zhveshjes duke i thyer brinjët. Gjatë lojës ai ndëshkoi me të kuqe shefin e klubit të Ersekës, i cili në përfundim të ndeshjes e goditi me grusht Latifin, të cilin më pas e sulmuan edhe tifozët.
Në përfundim të ndeshjes kryesorit i thyen xhamat e makinës me të cilën udhëtuan nga Erseka në Gjirokastër. Për të vazhduar, dy vite më parë, në ndeshjen Skrapari–Shijaku, Proletar Puto u godit me gurë në gjoks nga një tifoz vendas. Ngjarja u përhap shpejt pasi doli edhe një video në rrjetin social “YouTube”. Ngjarjet e dhunës mbi Kolegjiumin e Gjirokastrës vazhdojnë. Sezonin e kaluar, në përballjen mes Delvinës dhe Përmetit, po në Kategorinë e Dytë, ku sfidën e gjykonin Robert Shosha, Gazmend Bimi, Pajtim Goxho dhe Gentian Nora, tifozët goditën me tullë asistentin e parë, Gazmend Bimi dhe atë të katërt, Gentian Nora. Këtë të fundit, me pretekstin që po i zinte pamjen tifozit, një absurditet shumë i madh, ndërkohë që policia bënte sehir. Po një vit më parë, në takimin Këlcyra–Albpetroli që gjykohej nga treshja Shosha, Bejko e Bimi, nga tifozët u godit me gurë në kokë asistenti i parë Bekim Bejko. Dhuna mbi kolegjiumin gjirokastrit vazhdon edhe këtë sezon, pikërisht në ndeshjen Gramozi–Memaliaj, kryesori Gentian Nora u godit barbarisht për disa minuta nga trajneri-lojtar Ervis Peçi dhe tre futbollistë të tjerë të Gramozit. Nora përfundoi në reanimacionin e spitalit të Ersekës. Institucioni i FSHF ka ngritur padi penale për agresorët. Dhuna në kategoritë inferiore mbi gjirokastritët mesa duket nuk ka të sosur. Pak ditë më parë, në ndeshjen Skrapari–Memaliaj që u zhvillua në Kuçovë, aty ku po gjykonin Tanush Latifi, Rezart Zhuli dhe Endrik Nelaj, pas përfundimit të ndeshjes, asistenti i parë Zhuli u godit në pabesi nga një lojtar i Memaliajt, Donald Harizi. Gjyqtari, që ishte pa mendje, kafshoi gjuhën dhe ra pa ndjenja në tokë. Tekniku i Memaliajt, Altin Zhupe, e pa ngjarjen dhe vrapoi menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë Zhulit, të cilin e dërguan menjëherë në spital, aty ku qëndroi deri në orët e para të mëngjesit. Policia e ka hapur vetë çështjen dhe po e mban lojtarin në qelitë e paraburgimit.
Kush janë arbitrat gjirokastritë?
Gentian Nora (kryesor) – Ushtron profesionin e ekonomistit. Më parë ka punuar në doganën e Kakavijës me një kompani austriake me statistikat. Sot është mësues në një shkollë private italiane në Gjirokastër. 24 vjeç.
Tanush Latifi (kryesor) – Është shef i Qarkullimit në Jug, nga Memaliaj, Përmet, Tepelenë, Gjirkastër, Delvinë e Sarandë. Ish-oficer policie në kufi. Tani oficer në qarkullim. 36 vjeç.
Robert Shosha (kryesor)- Është një ish-polic në Gjirokastër, tani ushtron rolin e zjarrfikësit në “qytetin e gurtë”. 35 vjeç.
Bekim Bejko (anësor) – Është një ish-polic në Gjirokastër, tani ushtron rolin e zjarrfikësit në “qytetin e gurtë”. 37 vjeç.
Gazmend Bimi (anësor) – Është punonjës në një shkollë private në qytetin e Gjirokastrës prej vitesh. 29 vjeç.
Proletar Puto (anësor) – Ushtron profesionin e kryekamerierit në një hotel luksoz në Gjirokastër. Ka mbaruar shkollën për gjuhët e huaja, Anglisht. 28 vjeç.
Pajtin Goxho (anësor) – Është oficer i lartë policie në kufi. Sivjet ai hoqi dorë nga arbitrimi për shkak të moshës. Është 40 vjeç.
albanistan hesapi…
Ti nderroje ate nick. Vere Albanistanez4eva.