Administratori i përgjithshëm i Milanit, Adriano Galiani, ka komentuar zërat rreth largimit të mundshëm të Pato dhe deklaratave të këtij të fundit duke sqaruar se situata nuk është aspak e njëjtë me atë të sulmuesit të larguar nga kuqezinjtë drejt Interit, Antonio Kasano.
“Nuk ka analogji mes të dyve, Pato nuk më ka kërkuar asnjëherë që ta nxjerrim në shitje, ai kërkon që të luajë. Ndërsa Kasano dërgonte edhe SMS në vazhdimësi duke kërkuar që ta shitnim”, ka shpjeguar drejtuesi i Milanit, duke folur pastaj përsëri për lojtarin që tifozeria kuqezi “qan” më shumë, Zlatan Ibrahimoviç.
“Shitja e tij ishte një luks të cilin nuk mund ta refuzonim. Me shumë mundësi, duke patur parasysh situatën, nëse ai do të ishte këtu, El Sharaui nuk do të bënte ato që po shfaq në këtë sezon. Janë gjëra për të cilat nuk mund të kesh siguri, por mua më pëlqen ta mendoj në këtë mënyrë”.
“Kursimet e Berluskonit? Për 26 vite më ka bërë të jetoj mes havjarit dhe shampanjës. Tani ndoshta nuk pimë më shampanjë luksi, por jetojmë ende mirë. Nuk ka arsye për të cilën të largohem nga Milani, kam një marrëdhënie me presidentin Berluskoni e cila shpresoj të jetë e pandashme”, theksoi ai para gazetave, duke deklaruar se para se të bëheshin blerje në janar, do të mendohej më parë për të shitur ndonjë futbollist.