Një lindje e vështirë

28 Nëntor 2012, 10:50Politika TEMA

Momentet kyçe të historisë së Shqipërisë, nga luftrat ballkanike deri në formimin e Lidhjes së Kombeve. Eksplorimi i arkivave britanike dhe fakte të reja të sjella në Tiranë nga një studiuese angleze. Disa prej figurave historike shqiptare të komentuara nga Nicola Guy

Nga Alida Cenaj, KLAN

Çështja shqiptare vazhdon të jetë një prej çështjeve më të mëdha, ende të pazgjidhura në Evropën Juglindore. Kështu thotë një historiane britanike, e cila vizitoi Tiranën gjatë ditëve të panairit të librit “Tirana 2012”. Me një vepër të botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Pegi”, Nicola Guy i ka ardhur për mbarë temës më të përfolur të këtyre muajve në Shqipëri, periudhës së lindjes së shtetit shqiptar. Me një studim në të cilin ajo sjell fakte të reja mbi historinë tonë, të nxjerra nga arkivat britanike, Guy ka hapur diskutime sidomos për periudhën kur Shqipëria doli e pavarur në vijim të shembjes së Perandorisë Osmane në vitin 1912. Libri “Lindja e Shqipërisë” përqëndrohet veçanërisht në arsyet se pse gjatë periudhës vendimtare të Luftës së Parë Botërore, territori shqiptar u nda midis disa shteteve, aq sa rrezikoi ekzistencën. Ajo trajton edhe çështjen se përse shqiptarët etnikë u ndanë në vende të ndryshme të Ballkanit. Përmes ndërthurrjes së studimit të zhvillimeve të brendshme shqiptare me ngjarjet ndërkombëtare të kohës, “Lindja e Shqipërisë” gjurmon historinë shqiptare nga periudha e Luftrave Ballkanike të vitit 1912, Konferencën e Londrës, Paktin e Londrës së vitit 1915, për të arritur në fund në periudhën e pasluftës deri në Konferencën e Paqes në Paris, në Konferencën e Ambasadorëve dhe formimin e Lidhjes së Kombeve. Nicola Guy analizon rolin që kanë luajtur nacionalistët dhe jonacionalistët shqiptarë, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha dhe burrat e shtetit të vendeve fqinje në krijimin dhe përcaktimin e kufijve të shtetit të ri. Gjithashtu ajo shqyrton implikimet e përdorimit të gjuhës si kriter bazë për përcaktimin e kombësisë shqiptare, njëkohësisht ilustron pamjaftueshmërinë e përdorimit vetëm të teorive të nacionalizmit për shpjegimin e çështjes, ende të pazgjidhur shqiptare. “Ashtu siç venë punët e kësaj bote, e drejta mund të diskutohet vetëm mes të fuqishmëve të barabartë, të fuqishmit bëjnë atë që duan dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet të vuajnë”, citon nga “Historia e Luftës së Peloponezit” në hyrje të librit të saj Nicola Guy. Sa i takon rastit shqiptar që ka studiuar, Guy fokusin krysor të studimit të saj e vendos mbi politikën dhe perceptimet britanike dhe duke nisur nga viti 1917, edhe mbi ato amerikane. Fusha kryesore e hulumtimit të saj i drejtohet vendimeve të Fuqive të Mëdha. Burimet e saj kryesore janë Ministria e Jashtme Britanike, korrespondencat personale të ruajtura në arkivat kombëtare, në zyrën e arkivave të Dhomës së Lordëve, dokumentacionet e Konferencës së Londrës, të komisioneve për përcaktimin e kufijve shqiptarë, të cilat, siç thotë ajo, duket se nuk janë përdorur më parë. Në këtë studim, kapitulli i parë eksploron shfaqjen e nacionalizmit shqiptar bazuar mbi gjuhën e të folurit, përpjekjet diplomatike të patriotëve shqiptarë në mënyrë që një identitet i tillë të pranohej nga Koncerti i Fuqive të Mëdha dhe përpjekjet ushtarake për të penguar ndarjen e vendit nga shtetet rivale ballkanike. Kapitulli i dytë analizon hollësisht vendimarrjen e Fuqive të Mëdha, lidhur me atë se çfarë duhej të nënkuptohej me “Shqipëri”. Në kapitullin pasardhës ilustrohen vështirësitë e hasura në mbështetjen e pavarësisë së një shteti të vogël në praktikë, vëçanërisht pa ndihmën apo mbështetjen e Fuqive të Mëdha. Kapitulli i katërt shqyrtohen arsyet dhe implikimet e vendimeve të fuqive të Antantës për të refuzuar Pavarësinë e Shqipërisë. Bazuar mbi dokumente shqyrtohet edhe shtimi i forcave që ishin për kundërshtimin e idesë nacionale në Shqipëri dhe rigjallërimin e mëvonshëm të nacionalizmit etnik shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore. Më tutje Guy tregon se si në Konferencën e Paqes në Paris, presidenti Uillson garantoi rivendosjen e një zgjidhjeje mbi baza etnike për Shqipërinë, por edhe arsyet që patën nacionalistët shqiptarë për të hequr dorë nga varësia e tyre prej Fuqive të Mëdha. Në fund Guy shqyrton mënyrën se si shqiptarët përdorën një taktikë të tretë për realizimin e pavarësisë së tyre, duke moderuar gjithsesi ambiciet e tyre etnike me qëllim që të siguronin miratimin e Fuqive të Mëdha, i cili ishte aq thelbësor për më vonë.

-Znj. Guy, pse një libër për Shqipërinë? 

Isha e interesuar në mënyrë të përgjithshme për Ballkanin prandaj fillova ta studioja Shqipërinë në mënyrë të veçantë gjatë studimeve për doktoraturën. Studiova historinë e Shqipërisë para Luftës së Parë Botërore dhe zbulova se kishte shumë më tepër për të treguar deri në vitet e fillimit të luftës. Përveç kësaj erdha në Shqipëri para tetë vitesh, kohë që përkonte me fillimin e studimeve të mua. Asokohe bëhej fjalë për një projekt shumë më të vogël se ky libër. Këtu dëgjova histori shumë të bukura, takova njerëz interesantë dhe rashë në dashuri me këtë vend. Kishte shumë histori interesante për t’u thënë, sidomos për britanikët, të cilët nuk i dinë. Kishte shumë arkiva të papërdorura kështu që u kombinua interesi për vendin dhe ato që gjeta këtu, prej nga doli si rezultat ky libër.

Ndërkohë sa e njihni historinë shqiptare dhe krahasuar me të, a ka fakte dhe dokumenta të reja në librin tuaj që mund t’ju interesojnë historianëve tanë? 

“Lindja e Shqipërisë” sjell shumë gjëra që janë të reja si për shembull për periudhat e Konferencës së Londrës, arkiva dhe dokumenta të asaj periudhe që asnjë libër nuk i ka trajtuar më parë. Sjell të reja edhe për kohën gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Konferencën e Parisit për mënyrën se si u trajtua çështja shqiptare. Shumë libra e trajtojnë historinë e Shqipërisë deri në vitin 1912 ose që nga koha e Ahmet Zogut e tutje, Ndërsa këtu trajtohen me detaje pikërisht këto periudha. Gjithashtu kombinohen temat e aktivitetit patriotik në Shqipëri dhe aktivitetin shqiptar në komunitetin ndërkombëtar në një kohë që shumica e librave i shohin këta faktorë të ndarë nga njëri-tjetri.

-Keni thënë diku se gjithmonë ju ka bërë kurioze fakti se pse Fuqitë e Mëdha kishin kaq shumë interes për Shqipërinë. A ua shuan këtë kureshtje arkivat britanike?

Ka shumë lidhje me pozitën gjeografike ku ndodhet Shqipëria. Është afër me Italinë, afër me Serbinë, pra me interesat që ka Rusia dhe të dyja këto vende, bashkë me Austrinë kishin interesa që ta kishin këtë vendin të tyrin. Kështu do të punonin me mirë për interesat e tyre. Në pjesë të tjera të librit del se në periudha të caktuara ndoshta Shqipëria nuk ka qenë kaq qëndrore në këto interesa, por mund të përdorej si monedhë shkëmbimi për të zgjidhur situata të tjera në lidhje me detin Egje apo me dominimin e ujrave të Adriatikut.

A iu bë një padrejtësi Shqipërisë me ndarjen e kufijve në Konferencën e Londrës më 1913? 

Po të bazohemi tek ato që thanë Fuqitë e Mëdha se çdo shqipfolës do të ishte pjesë e Shqipërisë, gjë që e thanë, por nuk e bënë, po, Shqipërisë iu bë një padrejtësi. Megjithatë nga pikëpamja tjetër është e qartë se Shqipëria nuk ishte interesi kryesor i Fuqive të Mëdha dhe po ta mendojmë në mënyrë të përgjithshme, duhet të themi se politikanët bëjnë gjithmonë compromise. Në një pamje më të gjërë, po të mos ishte bërë kjo konferencë nuk do të dihej se çfarë do të kishte ndodhur më vonë me Shqipërinë. Në njëfarë mënyre pra, nuk mund të gjykosh duke u bazuar vetëm në një element, në atë që Shqipërisë iu bë një padrejtësi. Ka edhe fakte të tjera, në këndvështrim më të përgjithshëm që duhen marrë parasysh. Pastaj edhe më vonë diskutimet që u bënë, u përqëndruan vetëm mbi Shqipërinë e vogël dhe ndoshta edhe vetë shqiptarët e kuptuan që ishte tepër vonë për të kërkuar një Shqipëri më të madhe dhe si rrjedhojë edhe Fuqitë e Mëdha nuk punuan më mbi këtë projekt.

Po thoni që ishte edhe faji i shqiptarëve? 

Nëse shqiptarët nuk do t’i kishin ulur kërkesat krahasauar me përpjekjet e fillimit për bashkimin në një shtet të vetëm të të gjitha trojeve shqiptare, mbase do të kishin pasur më shumë sukses. Por kjo gjë nuk ndodhi. Pas këtij vendimi edhe përpjekjet e shqiptarëve ishin për Shqipërinë që përcaktoi Konferenca e Londrës dhe kjo ndikoi në mosndryshimin e këtij vendimi. Nga ana tjetër është e qartë se nëse nuk do të ishte bërë ajo përpjekje dhe luftë që u bë, e cila u finalizua me shpalljen e pavarësisë, ndoshta Shqipëria nuk do të ekzistonte fare. Po, kanë faj, por edhe ata në fund e kuptuan që duhej të bënin një hap mbrapa.

-Ekziston një lëvizje politike që kërkon bashkimin e Shqipërisë, krijimin e Shqipërisë së Madhe. Sipas këndvështrimit tuaj a ka gjasa të ndodhë kjo gjë? 

Ka shumë pak mundësi. Megjithëse njerëzit mund ta duan, komuniteti ndërkombëtar është shprehur se nuk mund të ketë bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Ka vende më të mëdha dhe të fuqishme si Greqia, Serbia apo Rusia që janë kundër kësaj gjëje dhe vetëm nëse do të arrinin të gjenin një zgjidhje përfundimtare se si do të trajtoheshin minoritetet brenda Shqipërisë, sepse ky bashkim nënkupton se do të kishte shumë të tillë, kjo ide mund të hidhet për diskutim. Por unë nuk e shoh të mundur krijimin e një Shqipërie të Madhe.

-Ndërkaq janë disa periudhat që keni studiuar mbi Shqipërinë. Ndër të gjitha cila pjesë e librit ju ka kënaqur më shumë? Cila periudhë që keni marrë në studim? 

Më pëlqen kapitulli i shtatë: Shqipëria e pasluftës: pushtimi aleat dhe ringjallja nacionaliste. Në këtë kohë shqiptarët u bashkuan dhe filluan të mbrojnë veten dhe vendin e tyre, filluan luftën kundër pushtuesit. Më pëlqen sepse këtu shoh për herë të parë elementin kombëtar të funksionojë.

Një nga personalitetet historike që keni trajtuar është edhe Ahmet Zogu, eshtrat e të cilit këto ditë u kthyen në në Shqipëri. Si duhet ta presin shqiptarët këtë ngjarje? 

Zogu është një figurë shumë emocionuese. Ka gjëra që ka bërë mirë për stabilizimin e vendit, por sidomos në periudhën ku përqendrohet ky libër ai nuk është një nga karakteret më të mira që merren në shqyrtim. Këtu merr disa vendime që mund të konsiderohen të gabuara si për shembull konflikti me austriakët dhe gjermanët gjatë Luftës së Parë Botërore, por edhe për mënyrën se si trajton kundërshtarët e tij, eleminimin e tyre. Megjithatë duhet thënë se Zogu pati rol të rëndësishëm për krijimin e ushtrisë dhe fakti se krijoi një vend pak a shumë të stabilizuar vlen të përshëndetet. Mendoj se të gjitha vendet, sidomos vendet e vogla, kanë nevojë për një figurë që t’i mbajë të bashkuar. Duhet ta nderojnë atë. Që të jem e ndershme, kur Zogu u shpall mbret, unë nuk do ta thërrisja mbret, por duhet thënë se megjithatë bëhet fjalë për një periudhë kur qeveritë mund të ndryshonin shpesh. Sidoqoftë vendimi u takon vetëm shqiptarëve.

-Po i referohem një tjetër deklarate tuajën që Mbreti Zog kishte ngjashmëri me Enver Hoxhën. Ku e gjeni këtë ngjashmëri që thoni?

Janë të dy krijesa shumë interesante. Është shumë interesante që Mbreti Zog çmohet më shumë se Enver Hoxha megjithëse përdorën teknika shumë të ngjashme karshi kundërshtarëve të tyre. Megjithatë njerëzit janë nostalgjike ndaj Mbretit Zog prandaj e gjykojnë ndryshe tani. Unë e kuptoj se gjatë periudhës së Hoxhës, Zogu u quajt tradhëtar, por është e vështirë të thuash sot se çfarë do të kishim bërë në pranverë të vitit 1939 po të kishim qenë në vend të tij. Personalisht do prisja që lideri im të rrinte të krye, të luftonte dhe të mbronte vendin e tij. Mendoj se është e vështirë të vendosim nëse duhet ta nderojmë apo jo, por komunizmi ka qenë kaq i keq sa ka ndikim dhe rol në faktin se Zogu nderohet dhe respektohet nga shqiptarët. Në vitin 1914 edhe Vidi u largua në të njëjtën mënyrë, por ai nuk përmendet siç përmendet Zogu.

-A janë shqiptarët fatkeqë në historinë e tyre? 

Mendoj se fatin ja krijojmë vetë vetes. Shqiptarët nuk e ndihmuan veten sepse shpesh ishin të ndarë. Dhe ishin pak naivë sepse besonin se Fuqitë e Mëdha do ta kuptonin menjëherë rëndësinë e çështjeve që parashtronin, madje edhe pa i bindur ata. Ndoshta qenë pak të pafatë sepse periudha kur u krijua shteti shqiuptar u pasua me luftrat dhe nuk patën kohë që të ndiheshin dhe të krijonin me të vërtetë një shtet të pavarur dhe të fortë, në mënyrë që edhe izolimi që erdhi pas Luftës së Dytë, të mos ishte aq i fortë sa ç’qe. Kur hyj tani në Shqipëri dhe takoj shumë shqiptarë që pyesin nëse Kosova duhej të ishte apo jo pjesë e Shqipërisë, them se tashmë kjo është një çështje e së shkuarës. Duhet ecur duke parë të ardhmen tanimë. E shkuara duhet lënë pas.

8 komente në “Një lindje e vështirë”

  1. neti,nuku,niku edhe ai tjetri says:

    Alahu ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber. Allahu e bekofte Shqiperine, Allahu i bekofte Shqiptaret.Amin.

    1. raimondi says:

      Per Bashkimin me Kosoven demin e beri Majko

      Bashkimi behej shume lehte ne 1999, atehere kur edhe amerikanet ja kerkuan Majkos qe ta kerkonte Kosoven, por Majko bente sikur nuk e lejonte faktori nderkombetar ….saqe pastaj nje Kongresmen amerikan i tha : Duhet ta kekrosh ti i pari Kosoven , dhe pastaj ne do vijme pas teje te te mbeshtesim…

      Por Majko ishte nje dhelper e keqe

      Sidoqofte bashkimi behet edhe tani nqs gjendet nje gjuhe politke me Serbine…

  2. ujk marsi says:

    Ashtu qofte. Goja mjalte.

  3. Arti says:

    Pere te gjithe ata qe kane frike nga nisma per bashkimin e tokave shqiptare pergjigjen ua jep historianja britanike ” Nese shqiptaret nuk do ti kishin ulur kerkesat ….per baskimin ne nje shtet te vetem te te gjitha trojeve shqiptare mbase do te kishin pasur me shume sukses….”

  4. """"""" says:

    Allahu te ka lènè mbrapa per 5 shukuj o rracè e çuditshma!

  5. neti,nuki,niku edhe ai tjetri says:

    Te qellofte sallamateja ishalla.

  6. Doriani says:

    Koment gazetareve: Do ishte pak me e pranueshme per syte e lexuesit nese per ate tekst-perbindesh te perdornit ndarje me paragrafe dhe largesite e nevojshme nga rreshti ne rresht, se po verbohemi!

  7. banija01 says:

    Nuk di nivelin e historianes po kur me kraheson Princ Vidin me Zogun me duket se eshte o naivitet o mosnjohje,se Vidi nuk ishte shqiptar dhe nuk iku nga ndonje pushtim i Shqiperise si ndodhi me Zogun.Zogu braktisi popullin e tij i mori dhe pasurine dhe ja mbathi,kurse Vidi nuk mori ndonje thesar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje