Albert Zogaj është shkarkuar nga detyra e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ende pa e marrë detyrën. Institucioni që e kishte zgjedhur atë para një jave për këtë pozitë e ka anuluar vendimin e vet me të cilin kishte shkelur Kushtetutën për ta bërë kryetar, gjyqtarin pa përvojë. Këtë vendim e ka marrë të premten në mbledhjen e rregullt. Shkas për këtë ka qenë raportimi i “Kohës Ditore” se KGJK-ja ka shkelur kriteret.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në takimin e mbajtur më datë 30 nëntor 2012, rishqyrtoi vendimin mbi emërimin e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 22 nëntor 2012”, ka lëshuar një njoftim në faqen zyrtare KGJK-ja. “Pas rishqyrtimit dhe diskutimit nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor, me 9 vota për, 1 kundër, dhe 1 abstenim u vendos për revokimin e vendimit dhe përsëritjen e procedurës së përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës në Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, ka shtuar më tej pa treguar arsyet për këtë.
Anulimi ka ndodhur, sipas burimeve, për shkak se dy anëtarët nga EULEX-i nuk kishin qenë atë ditë në votim. Më vonë kishin thënë se në këtë emërim ka shkelje duke kërkuar anulim të vendimit.