Kryeministri Hashim Thaçi, të hënën në mbledhjen e qeverisë falënderoi të gjithë qytetarët për organizimet madhështore për shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Ishin organizime madhështore, organizime festive, të unitetit dhe bashkimit të kombit shqiptar, manifestime këto që u përcollën në çdo cep ku jetojnë shqiptarët, me theks të veçantë në Prishtinë, në Shkup, në Tiranë, por mbi të gjitha në qytetin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar, në Vlorë,” u shpreh kryeministri Thaçi.
Mijëra qytetarë të Kosovës vërshuan më 28 nëntor në Vlorë, edhe pse Berisha tentoi ta ndajë festen mes Vlorës dhe Tiranës për të shmangur Vlorën si kryeqytet i parë i shqiptarëve. Performanca festive e grupeve të ardhura nga Kosova në Vlorë ishte mbresëlënëse, sidomos parada e kalorësve dhe këmbësorëve që mbërritën nga Kosova më këmbë. Kjo është arsyeja që të martën në Vlorë do të shkojë Berisha, për të amortizuar distancën që krijoi me Vlorën.