Gjyqtari i FIFA-s, Volfgang Stark, i ka kërkuar publikisht falje skuadrës së Borusia Dortmund, duke pranuar se ka gabuar në gjykimin e tij duke dhënë një penallti për ekipin e Volfsburg dhe sidomos për kartonin e kuq që i dha mbrojtësit Marcel Shmelcer në takimin që kampionët në fuqi të Bundesligës humbën me rezultatin 2-3.
“I kam parë edhe një herë pamjet dhe fatkeqësisht e pranoj që ishte një gabim perceptimi nga ana ime. Më vjen keq, një gjë e tillë nuk duhej të kishte ndodhur. Penalltia dhe kartoni i kuq ishin një gabim nga ana ime. Jam i mërzitur shumë për këtë ngjarje”, tha Stark pas përfundimit të takimit, ku ai foli para gazetarëve të pranishëm.
Shmelcer u ndëshkua me karton të kuq pasi gjyqtari mendoi se mbrojtësi i Borusia Dortmund kishte prekur topin me dorë në gjuajtjen e Dost që po shkonte drejt kuadratit të portës. Por pamjet televizive treguan se lojtari kishte ndalur topin me gju, ndërsa prekja me dorë ishte pa dashje dhe nuk ndikonte në aksion. Penalltia e dhënë dhe largimi më karton të kuq i Shmelcer ndryshuan krejtësisht fatin e ndeshjes, pasi Volfsburg që deri në ato momente po mundej 1-0 dhe thuajse nuk eksitonte në fushën e lojës, arriti të përmbyste gjithçka dhe të fitonte 3-2.
Për më tepër, mediat gjermane kanë kritikuar edhe sjelljen josportive të Volfsburg, pasi lojtarët e kësaj skuadre protestuan ashpër ndaj Stark, duke shtyrë këtë të fundit të nxirrte kartonin e kuq ndaj Shmelcer. Kjo shtyu më pas trajnerin e Dortmund, Jurgen Klop, të mos pranonte t’i jepte dorën homologut të Volfsburg, Lorenz Gunter Kostner në fundin e ndeshjes.
Lajmi i vetëm i mirë për kampionët është se zyrtarët e Bundesligës kanë bërë të ditur se kartoni i kuq i Shmelcer do të anulohet dhe ai mund të luajë në ndeshjen e radhës.