“Ne nuk mund të fajësojmë Komisionin Evropian pse kemi ndërtuar vetë një sektor publik mbi baza politike e të nepotizmit, të paaftë dhe joefiçent për t’u ballafaquar me sfidat e shtet-ndërtimit. Punësimi në sektorin publik dhe sistemi i parregulluar i pagave, nga qeveria aktuale po shfrytëzohet për efekte elektorale dhe të fushatës,” tha sot në një konferencë për medie kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili foli për pjesëmarrjen në samitin e liderëve të EPP.
“Kosova, po ashtu, është radhitur e para në rajon dhe në radhët e shteteve afrikane për nga shkalla e korrupsionit, në kushtet kur kryeministri dhe Qeveria kanë shpallur tolerancën zero ndaj korrupsionit e ku janë të përfshirë dikasteret dhe ministritë më të ndjeshme”, tha në vijim Mustafa, duke shtuar se LDK-ja do të mbështesë shtyllën e ligjit, gjyqësinë dhe prokurorinë që të jenë të pandikuara politikisht dhe të paanshme në zbatimin e ligjit. “Ne angazhohemi që këto institucione, të cilat i përgjigjen Kushtetutës e ligjeve, si dhe qytetarëve të Kosovës, të përgatitën dhe ta marrin sa më shpejt përgjegjësinë e plotë për zbatimin e ligjit dhe për shtetin ligjor”.
Sipas kreut të LDK-së, duhet të bëhet shumë më tepër për të përmbushur reformën e administratës publike, për të forcuar shtetin ligjor dhe për të bërë progres domethënës në liritë dhe të drejtat e njeriut, sidomos në liritë e të shprehurit, si kritere për të vazhduar me procesin e stabilizim-asocimit.
Ai përsëriti se presidentja Jahjaga, por edhe PDK-ja duhet t’i hapin rrugë përcaktimit për zgjedhje të drejtpërdrejt të presidentit të shtetit dhe reformës së mirëfilltë kushtetuese e zgjedhore, si dhe respektimit të afateve të marrëveshjes Thaçi – Mustafa – Pacolli.
“LDK-ja nuk sheh asnjë të mirë nga arnimi i kësaj qeverie. Por LDK, respekton faktin se çdo subjekt merr vendime në suaza të interesave, vlerësimeve dhe përgjegjësisë së vet. Për LDK-në zgjidhja e vetme e qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme të këtij vendi janë zgjedhjet nacionale, të drejta, fer dhe demokratike, nga të cilat do të buronte legjitimiteti qytetar për qeverisje të këtij vendi. Çdo kombinim tjetër, është konstruksion mbi vota të abuzuara dhe zgjedhje të dyshimta”.
Lideri i LDK-së vlerësoi se ndërtimi i shtetit të Kosovës po tregon dështime në katër fusha themelore, shumë të ndjeshme për ne: në zhvillimin ekonomik, në politikat e arsimit, në polici dhe në drejtësi.
“Qeveria jo vetëm që është tepër glomaze, për këtë Kosovë me dy milion banorë, por ajo po funksionon si dopioqeveri (një qeveri e vendit – glomaze, dhe një qeveri e kryeministrit me zyra dhe agjenci)”, tha Isa Mustafa, duke e përmbyllur me efektet e politikave të këqija të kësaj qeverie që shihen në papunësi më të lartë se 3 vjet më parë, në deficit buxhetor e tregtar më të lartë se 3 vjet më parë, në investime të huaja direkte dhe investime private më të ulëta se 3 vjet më parë, në korrupsion më të lartë se 3 vjet më parë, në politizim të skajshëm të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike etj./KD