Platforma perverse

24 Dhjetor 2012, 21:04Blog TEMA

Nga Beqë Cufaj

E kujt është platforma serbe, e cila po na zemëron kaq shumë? E presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliqit, apo e kryeministrit të qeverisë, Ivica Daçiqit? Apo e të dyve?! Edhe më e rëndësishme: do të marrë kjo platformë edhe bekimin institucional të Qeverisë e Parlamentit serb apo do të mbetet vetëm një “non-paper”, siç po i thonë diplomatë të huaj në Beograd e Prishtinë, por edhe njohës të të dy vendeve që kanë marrë mundin ta shfletojnë dhe lexojnë atë fije për pe.

E para dhe më e rëndësishmja: reagimet tona- ‘en bloc’, nga politika përmes publicistikës janë logjike. Sepse kjo platformë është një pervesitet politik i Beogradit që s’ia gjen shoqen prejse këta ish- çetnikët e Sheshelit dhe socialistët e Milosheviqit kanë ardhur në pushtet. Është e kotë këtu të gjejmë diçka të hajrit, diçka pozitive, në këtë “copë letre” (Jacobson). Bile edhe atributet e diplomatëve të Brukselit në Beograd që “është një hap para” i cili duhet përpunuar janë një kontradiktë më vete sepse vetë kjo letër parashikon “ndërprerjen” e “dialogut teknik” për t’u përqendruar tek “marrëveshja politike”.

Pyetjet që me këtë rast shtrohen janë të shumta dhe atyre ndoshta më së miri iu përgjigj koordinatori për dialogun, Blerim Shala, i cili e tha qartë: me këtë hap të Beogradit, Prishtina jo vetëm që nuk pajtohet, por thjesht mund edhe t’i ndërpresë bisedimet. Edhe më e rëndësishme është që kjo porosi e Shalës u përcoll edhe në kanale diplomatike, por dhe në agjencitë kryesore të lajmeve në qendrat e vendosjes.

Pyetja që duhet shtruar është kjo: e kanë përnjëmend Tomislav Nikoliqi e Ivica Daçiqi apo po tallin veten dhe popullin e tyre për “nevoja të brendshme” me këtë platformë? Këtë gjë nuk e dimë. Dhe ndoshta nuk do të duhej edhe të na interesonte po të mos ishin këtu disa detaje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimet në Beograd.

I pari dhe sinjali më i rëndësishëm ka të bëjë me mosmarrëveshjet mes koalicionit të naprednjak-ëve me socialistët serbë.

Tabulatat me telefonatat e zëvendësit të Daçiqit, Aleksandar Vuçiqit, ishin shenja e parë që policia e Daçiqit donte të dinte çfarë ky i pari kishte ndërmend të bënte. Dhe e bëri: arrestoi pasanikun më të madh në Ballkan, Mishkoviqin me të birin dhe një grup të gjerë të biznesmenëve të mëdhenj, të cilët mallin e paranë e kanë të shtrirë në tërë rajonin. Dihet: Mishkoviqi ishte dhe vazhdon të jetë njeri i Milosheviqit në krah të të cilit edhe u pasurua. Dhe fakti që ky u arrestua, jo pak njohës të rrethanave serbe çon tek konkluzioni që Nikoliqi e Vuçiqi duan të prishin koalicionin me Daçiqin dhe Serbinë ta çojnë në zgjedhje qysh në pranverë në mënyrë që ta marrin vetë – krejt pushtetin. Një skenar jorealist? Aspak.

Sidomos kur dihet që barrën kryesore të kësaj lufte, të rëndësishme për spastrimin kundër korrupsionit në Serbi duan ta marrin Nikoliqi e Vuçiqi. Nëse kësaj i shtojmë edhe peshën që Nikoliqi do të marrë për platformën, fjalët e Daçiqit që duhet të jemi “realistë” se Kosova s’mund të kthehet në Serbi etj.etj., atëherë në pah del një çarje që mes partnerëve qysh nga fillimi ekziston dhe me platformën në fjalë veç sa do të luhet ajo vallja tipike e “blame-game” për të shkaktuar krizë institucionale për primat në zgjedhje të mundshme në Serbi ku demokratët e Gjilasit nuk e kanë as shansin më të vogël të fitojnë diçka.

Nëse krejt ky skenar serb hyn në ujëra spekulimesh të qarshive beogradase nuk e dimë. Por, ajo që qysh tash e shohim është një Nikoliq që e shtyn platformën dhe një Daçiq që e refuzon atë. Dhe kjo nuk mund të jetë lojë, sepse siç e tha edhe një prej njohësve më të mirë të rrethanave serbe, Vladimir Gligorovi, platforma e vë në pozitë tejet të vështirë vetë Qeverinë e Serbisë. Duket që Nikoliqi me Vuçiqin këtë gjë e duan. Dhe çmimi edhe i kësaj suade serbe është: ose rrëzimi i Daçiqit ose kyçja edhe e Nikoliqit në dialogun me Prishtinën.

E me njërin apo tjetrin variant, Prishtina duhet ta ruajë qetësinë dhe të mos bezdiset shumë. Me kushtin që sidomos baronesha Ashton ta kuptojë që kjo platformë paraqet… siç një diplomat i lartë gjerman i tha “SZ”-it në Munih këtë javë, “një shuplakë” në fytyrën dhe punën e saj të deritashme në ndërmjetësimin teknik mes Prishtinës e Beogradit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje