Venger: Tifozët kërkojnë Mesin

4 Janar 2013, 12:07Sport TEMA

Arsen Venger është i ndërgjegjshëm që tashmë ka mbi vete sytë e të gjithë tifozëve, të cilët presin lëvizje të rëndësishme në merkaton e janarit. “Tifozët kërkojnë nga unë që t’u blej Lionel Mesin”, ishte pohimi i trajnerit të Arsenalit.

Francezi ka një reputacion të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare pasi ka blerë me çmime të ulëta lojtarë pak të njohur duke i shndërruar në yje dhe duke i shitur shumë shtrenjtë. Patrik Vieira, Emanuel Petit, Cesk Fabregas, Nikolas Anelka, Emanuel Adebajor apo edhe Tierri Henri janë shembuj të punës së tij, që kanë sjellë në arkat e klubit mbi 113 milion paund fitime pas shitjes. Por tani Venger duhet të tregojë se është i aftë edhe të blejë yje, pasi tifozët janë mërzitur me idenë se më të mirët largohen gjithmonë, ashtu siç ndodhi në vitet e fundit me lojtarë si Robin Van Persi, Aleks Song, Fabregas, Samir Nasri dhe Gael Klishi.

“Tani është më e vështirë të punosh në merkato, pasi pritshmëria është shumë e lartë. Tifozët nuk duan të shohin një futbollist premtues, ata duan të shohin Lionel Mesin. Pikë së pari, emri të jep shpresë. Kur lojtari nuk është i afirmuar, njerëzit janë skeptikë dhe kjo e bën më të vështirë punën tonë”, tha ia duke shpjeguar më pas se si kishte lënë t’i ikte nga duart sulmuesi 26 vjeçar Miçu, i cili po shkëlqen me fanellën e Suonsi, duke shënuar 13 gola në këtë kampionat.

“Kishim dëgjuar për të, pasi kemi vëzhgues të mirë në Spanjë. Por ai u zhduk për pak kohë. Ai u largua nga klube të ndryshme dhe menduam se nuk do t’ia dilte mbanë as te ne”, pranoi gabimin e tij trajneri i Arsenalit, pasi çmimi i lojtarit që u ble nga Suonsi për 2 milion paund nga Rajo Vajekano në verë, tashmë ka kaluar 10 milion paund.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje