Do zgjohen të vdekurit

8 Janar 2013, 20:21Blog TEMA

Nga Reldar Dedja

Me siguri duhet t`ju ketë rënë rasti të jeni gjendur, për arsye të ndryshme, në një ceremoni mortore. Aty, me patjetër, do të keni hasur rastësisht një çrregullim total të organizimit të varrezave, si nga pikëpamja e ndërtimeve, po ashtu edhe nga vendosja e tyre. Vihet re lehtësisht varre të formave dhe ngjyrave të ndryshme. A thua se, përpara Zotit, nuk do jenë të barabartë si i pasuri dhe i varfëri. Për të mos folur për vendosjen e tyre nën shtylla të tensionit të lartë dhe çuditërisht shumë pranë vendeve ku toka ka filluar të shembet. Madje në varrezat e Kamzës, thuhet, nga erozioni që ka pësuar dheu është shembur një varr dhe eshtrat e atij të gjorit kanë dalë mbi sipërfaqe. Me siguri kjo është një mungesë e theksuar vëmendje e pushtetit lokal. Ndoshta ndonjëri nga ju mund të mendojë edhe më thellë, pasi nga ata, për ironi të fatit nuk mund të presësh më vota dhe si rrjedhojë i kanë larë me kohë hesapet me buisjen e mbidheshme. Ndërsa me heshtimën e nëntokshme kujdeset tjetërkush…!

Na duhet, apo lipset nevoja, të shqiptojmë një emër dhe meqë muret janë të kalueshme, hyjmë në kohën e saj, një takim i shumëdëshiruar, që nga thellësia e kohës ajo përballon pa ngurruar vështrimin tonë. “Dita e të vdekurve” ose kujtimi për ata që nuk janë më mes nesh”. Për herë të parë kjo mëdyshje. Një muskul, a më mirë me thanë një shumësi soji të mbledhur në fytyrë me të tallur, kthim pas, kësaj dite nuk i duhet mëdyshja jonë, as mendimi ynë për ta kujtuar, ajo ikën. Përpara nesh? Prapa nesh? Pyetjet gjatë rrugës e kanë humbur kuptimin e tyre. Ne nuk duam ta kujtojmë atë ditë. Por kujtimi i saj nga thellësia e kohës na vjen përballë, ne dëshirojmë të lëshohemi mbrapsht, duke ju shmangur. Po kjo është gjë e kotë, ne jemi pjesë e këtij realiteti, ku me sa duket, nuk na flet kaq qartë si ai i saj. Dikur duhet të takohemi patjetër.

Veçse para disa muajsh, bashkë me tre priftërinj të urdhrit Françeskan më erdhi rasti të vizitoj varrezat e Tufinës. Shkaku i vizitës ishte “Dita e të vdekurve” që për besimtarët e krishterë kujtohet me datën një nëntor. Të gjendesh në varreza nuk mund të jetë kënaqësi për askënd në asnjë vend të botës. Ndërsa si detyrë dhe respekt nuk mund të thuash të njëjtën gjë si më lart. Pse? Mund të pyesë dikush. Në këtë rast është vështirë për të ndërtuar një sërë argumentesh për t`i dhënë përgjigje “pse”-së. Por, mendoj se tash e tutje, mund t`i jap vetëm “Pse”-së sime. Duke shpresuar se diku, qoftë larg apo afër të bashkohet me “pse”-në tuaj.

I gjendur në një nga varrezat e qytetit të Tiranës, mjafton të përfytyrosh një skenë orientale të pikturuar shekuj më parë.  Ajo mund të jetë një pikturë arabe, me gjithë legjendat e “Një mijë e një netëve” përfaqësuar në sipërfaqen e saj; mund të supozohet të jetë edhe diç nga një libër i shenjtë që ilustron një skenë me dhjetëra e dhjetëra ngjarje e personazhe të ndërkallura së bashku: një grup xhamish me ngjyrë të trandafiltë pranë një muri gri që na tërheq vëmendjen, pastaj ne vazhdojmë më tej. Dita po fillon të mbledhë, drita po zbehet, ndërsa kur po shikojmë më në thellësi të panelit të gdhendur e kuptojmë se aty ndodhet gjithçka që ka mbi tokë. Atë çfarë ka qenë, atë që është e atë që do të jetë, historia e së shkuarës dhe e së ardhmes, gjërat që kemi pasur dhe shumë syresh do t`i kemi, të gjitha këto na presin në këtë labirinth tragjik, por të heshtur ama.

Po ecnim së bashku me padre Nucion nëpër këtë “qytezë të vdekurish”. Ai është me origjinë nga Sicilia dhe kam përshtypjen se ju ngjan shumë disa aktorëve italianë që ju është dhënë rasti të luajnë rolin e priftit si personazhe në filma të ndryshëm, ku humori dhe situatat komike që krijojnë ata provokojnë shumë të qeshura. Çuditërisht atë ditë nuk ndjehej i tillë.

Më pas mësova se kjo mrrojtje kishte ardhur si shkak i pranisë shumë të paktë të njerëzve në varreza për të nderuar kujtimin e të afërmve të tyre. “Këtu ka qindra varre dhe besoj kaq njerëz duhet të ishin”, më thotë ai. Në “Ditën e të vdekurve” në shumë shtete të botës varrezat mund t`i gjesh të vizituara nga qindra e qindra njerëz për të nderuar kujtimin e tyre. Si respekt i jetës, e mbushur plot me halle, vuajtje, por edhe me gëzime si vetë jeta pa të cilat nuk mund të kishte kuptim. U nisëm duke folur për vdekjen dhe tani ka ardhur koha të flasim për atë pjesë që plotësohet nga e kundërta e saj; jetën. Edhe pse është e kundërta, ka një fill që i mban të lidhura përjetësisht njëra me tjetrën: ideja se kur flet për vdekjen, nuk bën asgjë më shumë veçse sa mendon për jetën. Ndoshta, pikërisht ashtu siç thotë vetë Bibla: O njeri jeto mirë se flokët e zinj durojnë pak.

Në këtë varrezë mund të konstatosh lehtësisht në mënyrë masive faktin se ky vend mban një moshë shumë të re njerëzish. Vëmendjen tonë e tërheq një djalë shumë i ri që mbi varr ka të shkruar një epitaf: “Të falenderoj o Zot që na dhurove djalin tonë edhe pse për pak kohë”. Padre Nucio po e lexonte me shumë vëmendje, madje të krijonte përshtypjen sikur kishte dëshirë ta mësonte përmendësh. Pas pak, kthehet nga unë dhe më thotë: “ju shqiptarët jeni shumë fatalistë. Për ju mjafton që gjithçka t`ia lini Zotit. Thoni gjithmonë, kjo ishte e shkruar”. Si i thonë kësaj, i kapur mat, nuk dija si t`i përgjigjesha. Ashtu shpejt sa rrëmujshëm dhe po aq pa argument bindës, si për tu kapur diku, i thashë: mos vallë ne shqiptarët nuk kemi dëshirë të fajësojmë, as veten, as Zotin dhe as shtetin. Sa për Zotin –ma pret ai- nuk keni arsye që ta bëni, nuk keni se si. Dhe largohet duke u lutur. I ngelur vetëm, në atë çast mendoja, se mos ai prift i ardhur nga një zonë që nuk mund të thuash se ndryshon shumë nga ne shqiptarët në mentalitet, mos donte të më thoshte; ne kemi çelësin që hap të gjitha epokat, nganjëherë e përdorim paturpësisht, hedhim një sy të shpejtë përmes së çarës së derës, të etur për gjykime gjysmë të gatshme, por edhe mund të afroheshim hap pas hapi, me ndrojtje përball përgjegjësive qytetare, me vullnetin që t`ua shkulim të vdekurve të fshehtën e tyre jo pa vështirësi. Të pranojmë vështirësinë tonë, që këtej duhet të fillojmë.

Më pas fillon e mendon se duke respektuar ata që kanë ikur nga kjo botë, ti fillon të respektosh akoma edhe më shumë të gjithë ata njerëz që të rrethojnë, të jesh më i ndërgjegjshëm, më kritik ndaj shkeljeve të natyrave të ndryshme dhe mbi të gjitha arrin të kuptosh edhe më shumë idenë se jeta për ty mund të jetë akoma edhe më e shkurtër nga sa mund ta mendosh.

Atëherë bindesh akoma edhe më tepër se njeriu nuk paskërka të tregojë vetëm  kur është gjallë, por edhe kur ai ndodhet në jetën e pasosur. Për çudi ai të tregon atë gjë që nuk do të kishte kurrë guximin për ta thënë kur ishte gjallë. Për ta vërtetuar këtë, mjafton të pyesni ata njerëz që kanë humbur familjarët e tyre.

Ai djalë i ri që mbi varr ka të shkruar atë epitaf iku nga kjo jetë për shkak të një aksidenti rrugor. Nuk e di a mund të jetë ky fati që atij i ishte përcaktuar?! Këtë nuk mund ta thuash. Më tej shoh Sebaheten, vajzën që mbaroi për gazetari si studentja më e mirë. Pasi u përpjek sa andej-këtej për një vend pune edhe pse ishte e shkëlqyer në mësime, ajo kishte kërkesa shumë modeste. Një punë që nuk arriti ta gjejë kurrë. U vetëvra! Me atë akt ekstrem sa edhe të dhimbshëm nuk i la kohë Kryeministrit që të reformojë tregun e punës dhe as për të mbajtur premtimin e tij disa vjeçar se qeveria që ai drejton mbështet dhe do të mbështesë studentët ekselentë. Sebahetja la pas një kujtim të hidhur për të gjithë ata që e njohën. Por mbi të gjitha ajo la mendimin se kjo qeveri dhe kjo shoqëri nuk ka vullnetin për të përkrahur dhe mbrojtur njerëz me kapacitet të tillë.

Ky vit që kaloi la mjaft dhimbje, korrupsion , vrasje etj. Në këtë vend të vdekurish ka veçse njerëz që kanë lënë këtë jetë, por pas ka mbetur historia e tyre. Histori që nuk mund t`i shpërfillësh. Gjithaq tek sa mendon mirë të gjitha këto, në mendje po vinte vrullshëm mendimi i padre Nucios. Vazhdoja ta sillja nëpërmend vazhdimisht çast për çast, deri sa e bëja një shuk letre të mbledhur keqas në mendje si një ngërç. I gjendur në një situatë të tillë, njeriu vazhdon t`i drejtojë vetes një sërë pyetjesh. Po-të janë aq pasionante sa edhe jo-të. Tek imagjinon gjymtyrët e shpërndarë të fëmijëve anë e kënd Gërdecit nga shpërthimi i municioneve dhe të thuash kështu ishte e shkruar, sikur nuk ka sens. Për më tepër, kur kujton 21-janarin ku njerëz që rrinin dhe kundronin revolten qytetare për drejtësi, teksa i qëllojnë snajperët nga lart tarracës së Kryeministrisë e të thuash ky ishte fati i tyre, me të vërtetë nuk ka kuptim.

Ndërdyshazi vë re një çoroditje totale në disa këndvështrime njëherësh. Çoroditje në administratë, në sistemin spitalor, atë universitar dhe për më tepër një çoroditje e gjithë shtetit. Kësisoj sheh idenë për t`i thënë “Mjaft” kësaj gjendje. Mjaft, mjaft, mjaft…ishte refreni i gjithë këtij mendimi!

Fundja, herët apo vonë, të gjithë do kemi një gur mbi varr. Vetëm pak besim. Pak besim që të shpresojmë që të bëhemi pjesë e ngjarjeve të papritshme dhe të dobishme; atëherë fillojmë të besojmë se njerëzit kur ndodhen në vuajtje, nga e keqja, si për mrekulli e gjejnë rrugëdaljen. Ku të shkojmë? Duhet menduar një vend, një kohë, në të cilën do të kalojmë. Besoj se mund të ketë një njeri që mund ta pyesim. Kjo është përgjigja.

2 komente në “Do zgjohen të vdekurit”

  1. Roland Ora says:

    I dashur Reldar! Per te shkruar nje shkrim te tille nuk mjafton deshira,frymezimi,dashuria dhe perkushtimi serioz,gje qe vihet re tek ky shkrim.Qe te mbetesh i sakte e te flasesh per disa rregulla te vendosura nga krishterimi perendimor ne lidhje me katekizmin duhet te jesh shume i sakte me datat.Konkretisht data 2 Nentor i cdo viti, perkujtohen te vdekurit apo e thene ndryshe eshte “dita e te vdekurve”, ku organizohen homazhe e behet mesha perkujtimore ne varreza(ne besimin e ritit katolik kudo ne bote).Duke me mirekuptuar,vleresoj seriozitetin e deshiren e mire,sygjeroj qe te lexosh e mesosh me teper per te qene i vleresuar ne kete pjese te botes se civilizuar…..

  2. VERONIKA says:

    Bravo,me tè vèrtet njè artikull i mirè,i shkruar me njè gjuh tè thjesht,dhe qetèsi uluritèse,dhe i shoqèruar me foto tè njè tè riu me vèshtrim tè atij tipit te filmi :Il sesto senso,mè pèlqen rinia e zgjuar.
    Respekt kujtimit tè Sebahetes,nuk e kisha dègjuar tragjedinè e saj…kam jetuar jashtè ktj vendi tè nèmur,dhe impenjimet qè kam pasur mè kanè mbajtur larg tragjedive.Ju nderon fakti qè e pèrmendni,sepse si thoni kjo shoqèri nuk i pèrkrah tè gjallè,dhe do tè shtoja nuk i pèrmend tè vdekur.Ka frikè ,jo nga hijet e tyre,ka frikè nga hijet e ndèrgjegjies sè pistè–sepse èshtè ajo qè i vret ,denigron!
    Kam mendimin se ne kemi lindur tè çoroditur,pak…budallenj…vetèm pak.
    Tè gjithè do kemi njè gur mbi varr??!!
    Dègjo ,ti rini e zgjuar..nuk e di unè çfarè do na vini mbi varr..ndoshta nuk do jetè gur…por na shkruani :Brezi anonim,ata qè lindèn tè çoroditur,tè dyzuar ,nga diktatura e telit me gjemba,dhe pastaj e kafazit tè artè..ata qè nuk e dalluan asnjèher se po kafaz ngelej,brezi i atyre qè dhe po tè vrisje veten,nuk pèrbènte mè lajm…nuk do tè thoshte asgjè,,hahaha çoroditemi me lajmin e bumit ekonomik,por tè vdekurit nuk na tundin mpirjen e trurit–shum thjesht-nuk kemi tru!
    Pra rini e zgjuar,qè mos tè tè çorodis mè gjatè,thuajeni sa mè shpejt atè fjalèn,qè ne nuk guxojmè ta mendojmè;MJAFT,MJAFT ,me ne tè çoroditurit,tè korruptuarit,vrasèsit,viktimat,tè vetè-vrarè dhe tè vrarè
    (nuk ka tè vetèvrarè,rni e zgjuar–ka induksion nè krim,uroj qè ta kuptosh termin qè unè u mundova tè pèrshtas nè gjuhèn shqip,mendo kjo gjuhè èshtè e varfèr nè terma drejtèsie,ka çdo lloj termi qè spiegon vrasjen,hakmarrjen–por jo drejtèsinè)mos mè lexo shum gjatè,se jam njè e çoroditur…mos lexoni askènd–u thoni tè gjithve ,MJAFT!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje