Fundi i botës dhe fundi i Tiranës

14 Janar 2013, 12:40Blog TEMA

Një Tiranë e re, qoftë pas tërmetit apo pas termiteve, do duhej të ishte një Tiranë e parë me një sy tjetër. Një Tiranë që të ketë shpirt. Nëse do na jepet mundësia ta rindërtojmë këtë qytet, do duhej ta bënim duke e parë me sytë e një fëmije, një gruaje, një endacaku…

Nga Koloreto Cukali*

Njeriu ka nevojë të marrë herë pas here një dozë frike, si punë vaksine, ndaj zhanri horror është nga më të vjetrit, më mbijetuesit, e më të suksesshmit. Spekulimi me fundin e botës, luajti të njëjtin rol. Kishim nevojë të merrnim një dozë frike dhe imagjinate, “po sikur bota jonë të marrë fund?” Përtej ekzotikës së profecisë majane, po të lexosh ca raporte organizmash ndërkombëtare e studime të pavarura, mund të kuptosh që fundi i botës nuk duhet të jetë aq larg. Të paktën, fundi i botës njerëzore.

Fundi i botës sonë

Njerëzit e pritën fundin e botës sikur do vinte nga qielli, një rudiment fetar i lashtë i mbetur brenda nesh. Në fakt, fundi i botës mund të vijë shumë shpejt nga veprimtaria e njeriut. Më shumë se nga Zoti, ai vjen nga vendime administrative të papërgjegjshme, të ndihmuara nga korporatat e mëdha apo individët me ndikim të madh në vendim-marrje, vendime që nuk na bëjnë më as përshtypje dhe na kalojnë si lajme rutinë. I tillë është dhe plani urbanistik i Tiranës. Nuk kam ndër mend të merrem me planin, sepse falë kulturës së arrogancës mbi të cilën është ngritur shteti shqiptar, këtu nuk dëgjohet as zëri i specialistëve, jo më i kolumnistëve. Nuk është se se ky plan do zhdukë botën. Por ai, përfundimisht zhduk Tiranën, ose atë që ka mbetur nga Tirana. Ky plan zhduk shpirtin e qytetit.

Shpirti i keq i Tiranës

Oswald Spengler, shkruan në “Rënien e Civilizimit Perëndimor”, tek kapitulli “Shpirti i Qytetit”, që ndryshimi mes qytetit e fshatit, është se qyteti ka ‘shpirt’. Ky shpirt, mund të kuptohet edhe duke parë siluetën e një qyteti. Silueta e Tiranës që tani të le shije të keqe për shpirtin e qytetit. Por, modifikimet e planit të ri, krijojnë një makth akoma më të keq. Çfarë ëndërrojnë për Tiranën ata që e kanë bërë këtë plan (përveçse, “fjetoreve” të reja dhe pallateve të reja)?

Fundi i Tiranës që njohim

Tek “Tiranat e padukshme” (SH, 1/5.2011) jam përpjekur ta lexoj Tiranën përmes syve të Italo Calvinos dhe kryeveprës së tij, Qytetet e Padukshme. Calvino flet për një qytet (imagjinar), Zobeiden, që u ndërtua sipas ëndrrës së atyre që ndiqnin një grua. Mijëra burra kishin parë të njëjtën ëndërr, me të njëjtën femër të bukur që bridhte në rrugët e një qyteti të panjohur. Në ëndrrat e tyre ata ngrinin mure e cepa për t’i prerë rrugën, për t’i ngritur kurthe femrës së bukur e të panjohur. Gjetën njëri-tjetrin, u takuan së bashku, dhe ndërtuan qytetin që kishin parë në ëndërr. Njeriu që vjen në këtë qytet nuk kupton kush e ka ngritur kaq të shëmtuar. Është një qytet i ngritur mbi ëndrrat e atyre njerëzve.

Kur sheh Tiranën, pas fasadave, mes rrugicave, mes pallateve ku s’merr dot frymë, ku as kateve të 5-ta nuk u bie më dielli, ku ka vetëm parkingje e fjetore, herë xhungël e herë rrjetë merimange, pyetja që më lind, e që ka brenda dhe përgjigjen është “çfarë kanë parë në ëndërr ata që e kanë ngritur këtë qytet?”

Tërmete dhe termite

Sado zhurmë të bëjë propaganda zyrtare, plani i ri urbanistik vetëm jep liçensë për të ndërtuar të tjera ëndrra horrori në këtë qytet. Mjafton ai element i planit që mundëson bërjen e shtesave të rejave të pallateve, anash ose lart, për të imagjinuar se çfarë “ëndrre” na pret. Një arkitekt, më thoshte para disa vitesh që Tirana ka shumë ndërtesa që mund të mos i bëjnë ballë një tërmeti të fortë. Kjo na rikthen tek fundi i botës. Fundi i botës mund të vijë dhe nga poshtë. Një Zot mirëdashës, mund të dërgojë një tërmet e ta zhysë në pluhur këtë qytet (duke shpresuar të mos ketë asnjë viktimë). Ose, thjesht, banorët mund të vendosin të ikin që këtej, të zhvendosen diku tjetër. Civilizimet e Amerikës paraevropiane kanë njohur edhe raste kur banorët kanë braktisur një civilizim befas, e janë zhvendosur diku tjetër, duke lënë pas vetëm gjurmët e qyteteve të tyre të vdekura.

Fundi i botës mund të jetë dhe një ushtri termitesh, mund të jetë dhe një sulm alienësh, mund të jetë dhe një dekadencë a varfëri ekonomike që do na detyrojë të rrisim përsëri dele që do i ushqejmë te parku Rinia. Prandaj, do doja të shihja përtej planit të ri urbanistik të Tiranës, pa shpirt brenda. Një Tiranë e re, qoftë pas tërmetit apo pas termiteve, do duhej të ishte një Tiranë e parë me një sy tjetër. Një Tiranë që të ketë shpirt. Nëse do na jepet mundësia ta rindërtojmë këtë qytet, do duhej ta bënim duke e parë me sytë e një fëmije.

Tirana e parë me sytë e fëmijës

Tirana duhet të jetë për fëmijët, dhe si fëmijët. Fëmijët duan vendet e egra. Jo parqet. Duan hapësirat ku është lënë natyra të bëjë punën e vet. Ndërkohë që në Tiranë nuk po ngelet metër katror pa u mbushur me ndërtime, fëmijët ëndërrojnë krejt të kundërtën, vende ku dora e njeriut ndërhyn sa më pak. Copa pylli. Rrënoja të braktisura. Vende ku fantazia e lodrat e tyre të mund të harlisen. Madje, fëmijët i duan shumë dhe pirgjet e dheut. Më shumë se tapetet e gomës në lokalet me lodra, ku prindërit pinë kafe e fëmijët lozin nëpër dhoma me dysheme gome. Mbi një pirg dheu, fëmijët rrokullisen, hapin vrima, bëjnë shtëpi balte, luajnë me kështjella. Ata duan një pirg dheu në vend të asfaltit apo dhe të gomës. Ajër, në vend të kondicionerëve.

Në Tiranën e rrokaqiejve… (sa trishtues ky term, “kulla” i quajmë grataçielat tona që jo vetëm nuk i rrokin qiejt, por na kujtojnë vendet e ngujimit, ndaj u shkon aq shumë të thirren “kulla”). Në Tiranën e kullave, fëmijët lëvizin me ashensorë, ndërkohë që fëmijët duan shkallët – një pallat nuk mund të ketë më shumë shkallë sa një fëmijë të mund t’i zbresë me vrap. Kati i 5-të ishte maksimumi që një fëmijë të vijë në shtëpi me frymën që i merret, për të pirë ujë e për t’u kthyer në lojë poshtë pallatit. Në pallatet mbi 5 kate, loja “bjeri ziles e futja vrapit” nuk mund të ketë më kuptim. Fëmijët nuk mund t’i bien ziles e të zbresin me vrap 11 kate.

Një Tiranë, pra, për fëmijët. Dhe për gratë. Tirana e re, e pas tërmetit, duhet ndërtuar e parë me sytë e gruas.

Tirana e parë me sytë e gruas

Një grua e dashuron ujin. Ky qytet nuk ka ujë. Nuk ka shatërvane, çezma, një lumë (çik më serioz se Lana), ujëvara artificiale, ekspozita me akuj. Në Tiranë ti nuk ke as një urë mbi të cilën të rrish duke soditur poshtë. Para ’90-s, të rrije te ura e Lanës ishte një nga vendet e preferuara. Femrat i duan vendet ku mund të shohësh e të të shohin. Sheshet rrethore, të qendërzuara. Femrat, duan hapësirë për të parë horizontin. Edhe kur lajnë enët, ato kanë nevojë të shohin nga dritarja për të kontrolluar fëmijët dhe gjithçka ndodh jashtë.

Prandaj mua do më pëlqente që Tirana të ndërtohej prej grave… (sigurisht, jo nga këto gratë në pushtet që mendojnë e ndjejnë si burra). Gratë do të ndërtonin një qytet ku jetohet. Burrat, ndërtojnë një qytet ku vihet vetëm për të fjetur. Gratë do të ndërtonin një qytet ku fëmijët të luajnë, burrat një qytet ku fëmijët të stërviten. Gratë duan hapësira ku të mund t’i shohin fëmijët edhe nga dritarja, burrat do preferonin që fëmijët të mos lëvizin nga vendi.

Tirana e parë me sytë e endacakut

Përveç burrave, grave e fëmijëve, ky qytet ka edhe endacakë. Endacaku, sado i përbuzur e i konsideruar si qenie aseksuale, apolitike e acivile vetëm se nuk jeton në një “kullë” me ashensor, është një përbërës esencial i qytetit tonë. Është një riqarkullues. Është individi që merr mbeturinat tona e i ripërdor. Endacakët tanë mund të kenë përfunduar në fund të zinxhirit të qytetit prej fatkeqësisë, rastësisë, ose sepse sistemi nuk u ka dhënë asnjë shans. Por, ata janë aty. Gërmues të përjetshëm. Në botën tonë të tejngopur me stres, ata jetojnë mes një lirie që ne, skllevërve të konsumizmit na duket e pakuptimtë.

Endacakët janë aty. Tirana e pas-tërmetit duhet të garantojë për ta lirinë për të gërmuar, dhe lirinë për të fjetur të mbrojtur në vend të hapët. Çdo qytet që ua heq atyre cepat ku mund të flenë dhe vendet ku mund të gërmojnë, është një qytet pa liri. Dhe kundër lirisë.

Tirana e parë me sytë e të verbrit

Keni provuar ndonjëherë të mbyllni sytë kur jeni në Tiranë? Po ta bëni, ky qytet ju ofron vetëm zhurma makinash dhe britma. Njerëzit bërtasin, sepse ndërtesat që i rrethojnë u bërtasin atyre. Një i verbër, duhet të orientohet mes britmash. Një i verbër, nuk mund të prekë asgjë. Asgjë që ti prek nuk të jep një orientim, as shtyllat, as trotuari, as muret. Çfarë ka sot, nuk e gjen nesër. Tirana e re, nëse një botë e re do të lindë mbi gërmadha, do duhet të ketë një shpirt.

Tirana e Re e re

Unë nuk gjej dot asnjë shpirt më të pastër se ai i një fëmije, më të paqtë se ai një gruaje, më të lirë se ai i një endacaku dhe më të ndjeshëm se ai i një të verbri, për t’ia dhënë Tiranës së pas-apokalipsit. Mund të duket një imagjinatë e tepruar dhe një ëndërr e parealizueshme, meqë apokalipsi doli huq në datën që na kishin lënë majat. Por unë besoj se apokalipsi po afrohet çdo ditë nga pak. Pas çdo VKM-je, pas çdo privatizimi korporativ e pas çdo plani urbanistik.

*Revista Klan

6 komente në “Fundi i botës dhe fundi i Tiranës”

  1. Ligor Luarasi says:

    Koloreto Cukali,kush eshte ky shqiptar?

    Konkretisht une nuk e njoh.Por kur lexoj kete shkrim kuptoj qe ai s’eshte politikan,qe ai ka orizont dhe kulture,qe ai ka kulture perendimore,qe ai s’ka karieren qe kane zakonisht kasta jone politike 72 vjecare,qe ai ka edukate Kristiane,qe ai pemen e tij gjenetike do ta kete me njeres jo te rendomte,qe ai ka fantazi,qe ai ka shoqeri ku e mirekuptojne dhe e vleresoojne,qe ai ka xheloze politikanet mendje ceket,keto dhe fakte te tjera qe s’ja di deshmojne pse shkrimet e tij kane vlera dhe aseqaret me agjitacion propaganden, ja ulin keto vlera se duhet te dale lul basha mbi Cukalin.Na jepni nje biografi te Z.Cukali ta njohim ne kohen e duhur jo si kofini pas te vjeli.

    Keshtu Shqiperine tone te dashur me te pa aftet ne krye vetem do ta renojme,duke qene te ngrote nga parate ne xhepat e nje shtrese shqiposh qe s’po kupton c’mekate te medha ben,sa here ve intresat e saj egoiste mbi begatine e gjithe atdheut dhe gjithe shqiptareve ne nivel, qe mos vdesin si krimba,apo mos vrasin njeri tjetrin sepse e shikojne, qe me dredhira u pasuroke me shume se me ndershmeri.

    Politikane te Shqiperise,s’jemi ne regull si komb,s’ini edhe ju ne regull si individe, mos u kenaqni se nga kjo bote se do largoi te pasur duke lene prapa nje Shqiperi me themele rere apo shtufi.

    Pershendetje, ne se ndryshimi rifillon nga vetevetja, boll me kalbesiren:Beni c’them une jo c’bej une.

    1. DUM BABEN says:

      Koloreto eshte nje pene e vyer qe ky popull rralle e ka pare dhe lexuar.
      Per ata qe nuk e njohin po sjell nje foto:

      http://www.berlinale-talentcampus.de/campus/talent/koloreto-cukali/photo

  2. feniks says:

    Koloreto Cukali eshte ky,qe ka bere kete PAMFLET URBANISTIK,me siguri NJERIU,QE E DO ZHVILLIMIN NJEREZOR me shume se KAFSHET,QE SUNDOJNE MBI NE!!!
    E keqja e te gjitha ketyre PERCUDNIVE,fillon ketu:
    -NUK KA ASNJE STRATEGJI KOMBETARE TE ZHVILLIMIT TE SHQIPERISE TE MIRATUAR ME VOTAT E 3/5!!
    -Buxhetet vjetore te shtetit caktohen dhe vendosen me arrogancen e kartonave vetem me ato te MAZHORANCES!!!
    Kjo do te thote(si deri me sot) TE SHPENZOHET KU TE KETE INTERES QEVERIA E JO SHQIPERIA!!!
    Mendoj:BUXHETI VJETOR TE HARTOHET NGA QEVERIA,POR MIRATIMI TE BEHET ME 3/5!!!
    Kjo do te thote,qe qeveria te DETYROHET,qe te BASHKEPUNOJE ME OPOZITEN E JO T’I SHAJE ATA ME LIBER SHTEPIE!!!
    PARATE E BUXHETIT JANE E TE GJITHE POPULLIT,PRA NE SE ATO HARXHOHEN PER RRUSH E KUMBULLA,atehere CFARE VLERE KANE AKUZAT PAS MENXYRERS???
    Berisha do te ndertoje rruge PIRAMIDALE,ME KREDI TREGETARE ME INTERESA KOLOSALE!!!
    -TE NDALOHET ME KUSHTETUTE,QE TE MOS BEHET ASNJE INVESTIM ME KREDI TREGETARE!!!
    -PRIVATIZIMET E PASURISE PUBLIKE DUHET TE MIRATOHEN ME 3/5 ,ndryshe shiten 4 hidrocentrale(krim i madh e i pa degjuar)per 5 leke,se kuptohet,qe miliona futen ne llogarite e Berishes,jashte ketij pazari!!!

  3. dritani says:

    Kolo si gjithmone je i modh sepse je i lire!

    Sikur ma ke marre mendimin.
    Une ka kohe qe e quaj Tiranen nje KONVIKT TE MADH ku te vetmet aktivitete tonat, pasi kthehemi nga puna, jane ato me karakter instiktiv: te hame, te pime, te bejme nevojat personale dhe seks ndonjehere, por pa zhurme se me keto fjetoret e reja degjon gjithe lagjia se c’je duke bere.
    Thene ndryshe: kemi pesuar involucion dhe jemi shnderruar ne kafshe!!!

    Respekt!

  4. Mark Gjonaj says:

    Cfare sistemi ekonomiko shoqerore doni dhe ju tregojme shkallen e pershtatjes!

  5. Alb says:

    Me pelqen shume ky burre shqiptar ‘feminilist’ i formatit shume perendimor, por me vjen keq kur mendoj se ne kete katrahuren qe pershkruan ka dore te forte ‘manjatja e ndertimit’ kushdoqofte ajo, pra GRUAJA. Mjere ajo shoqeri ku ne krye te saj(ne çdo fushe) dalin gra qe vjedhin njesoj si burrat! Mjere ajo shoqeri qe ka gra, qe jane ‘financiere’ te zellshme te burrave dallkauke e xhambaze!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje