Vëzhguesit vendorë: KQZ të rishqyrtojë edhe njëherë ndarjen e mandateve

19 Janar 2013, 19:45Politika TEMA

Koalicioni i Vëzhguesve Vendore, me anë të një deklarate, i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrë sërish në shqyrtim çështjen e ndarjeve të mandateve zgjedhore.

Në deklaratë thuhet se “Koalicioni vëren se procesi i ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk po respekton të drejtën kushtetuese të barazisë së votës së qytetarëve”.

Vëzhguesit vendorë i kërkojnë KQZ se ka kohë deri më 7 mars për të bërë ndarjen e mandateve.

“KQZ si një organ kolegjial, në kushtet e mospërmbushjes së detyrimeve ligjore dhe detyrimit madhor kushtetues për caktimin e mandateve, i ka të gjitha tagrat për të marrë në shqyrtim sërish çështjen e përcaktimit të mandateve, madje duke ribërë ndarjen e mandateve mbi bazën e numrit të popullsisë në periudhën e tanishme,” thuhet në deklaratën e tyre.

“Kjo do të maksimizonte akoma më shumë përmbushjen e detyrimit kushtetues mbi barazinë e votës, pasi në përllogaritjet e tanishme të ndarjes së mandateve do të reflektoheshin edhe lëvizjet e mundshme të popullsisë që mund të jenë bërë pas datës 7 nëntor e deri në periudhën kur do të merret në rishqyrtim çështja. Për më tepër, argumenti i përdorur, se merret ky vendim pasi nuk arrihet shumicë e cilësuar votimi prej së paku 5 votash pro, është i pavend dhe kundër frymës së Kodit Zgjedhor dhe funksionimit të KQZ-së si një institucion kolegjial dhe i pavarur,” vijon deklarata.

Vëzhguesit vendorë kanë kritikuar edhe një shkresë të Sekretares së Përgjithshme të KQZ për Kuvendin.

“Koalicioni deklaron se në mënyrë kategorike Sekretarja e Përgjithshme e Administratës së KQZ-së, nuk ka tagër që të investojë Kuvendin, sepse bazuar në nenin 20 pika 1 germa “a” të Kodit Zgjedhor, është Kryetari ai që e përfaqëson KQZ-në në marrëdhënie me institucionet e tjera. Sekretarja e Përgjithshme i ka të përcaktuara qartë detyrat dhe kompetencat e saj në nenin 25 të kodi Zgjedhor e veçanërisht në pikën 4 të tij”.

2 komente në “Vëzhguesit vendorë: KQZ të rishqyrtojë edhe njëherë ndarjen e mandateve”

  1. Lil Toronto says:

    4. Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së kryen këto detyra:
    a) merr masa për organizimin e mbledhjeve të KQZ-së, përgatit materialet e mbledhjes, si dhe bën njoftimet përkatëse;
    b) merr masa për botimin e akteve të KQZ-së dhe bërjen publike të tyre;
    c) merr masa për plotësimin e kushteve të punës së anëtarëve të KQZ-së, sipas kërkesave të tyre, në zbatim të këtij ligji dhe të akteve nënligjore të nxjerra nga KQZ-ja;
    ç) është përgjegjës, drejton dhe organizon punën për zbatimin e vendimeve të KQZ-së apo urdhrave të Kryetarit, sipas nenit 20 të këtij Kodi;
    d) ndjek zbatimin e buxhetit dhe merr masat përkatëse për të;
    dh) propozon për miratim në KQZ Rregulloren e Brendshme të Organizimit dhe Funksionimit të Administratës së KQZ-së; dhe
    e) kryen detyra të tjera të përcaktuara nga ky Kod.

  2. Dani says:

    I vetmi veprim qe Kuvendi do te duhej te bente, do te ishte shkarkimi i te gjithe anetareve te KQZ-se, te cilet nuk permbushin detyren kryesore per te cilen i ngarkon ligji. Ku eshte sensi i votimit pese me dy? Kete do te duhej ta kishte parashikuar Kodi si mase garantiste, dmth ashtu sic dikur parashikonte Kushtetuta qe, nese Presidenti nuk zgjidhej me 2/3, pra me konsensus, Parlamenti shperndahej. Kjo eshte analogjia, kesaj mendoj se duhet ti qendroje edhe opozita, qofte edhe duke i terhequr anetaret e saj nga KQZ. Ose detyrimisht te gjejne konsensusin, ose te shkrihen te gjithe. Nuk u be qameti qe te tere keta 7 anetare me ne krye Kryetarken, te rikthehen ne vendet e meparshem te punes. Perndryshe …. loje kungulleshkash do te kemi deri ne fund.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje