Milani duket se nuk ka hequr dorë nga ideja për të bërë ndryshime të rëndësishme në përbërjen e vet dhe vazhdon të insistojë në idenë e largimit të sulmuesit brazilian Robinjo. Por destinacioni i këtij të fundit nuk është më Brazili, por Turqia, me Fenerbahçen që i ka bërë atij një ofertë mjaft serioze.
Klubi turk është gati të paguajë 8-10 milion euro për të blerë futbollistin në fjalë nga Milani, ndërsa i ka propozuar atij një kontratë trevjeçare me kushte shumë të mira ekonomike. Sipas mediave turke, braziliani ka kërkuar disa ditë kohë për t’u menduar se çfarë do të bëjë, pasi nuk dëshiron që ta mbyllë përfundimisht si opsion.
Me paratë që vijnë nga shitja e Robinjos, Milani i është kthyer idesë së përforcimit me një tjetër element cilësor, që në këtë rast është sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba. Ky i fundit ka kërkuar ndërprerjen e kontratës me Shangai Shenhua, një kërkesë e cila ka përfunduar edhe në zyrat e FIFA-s dhe ku si arsye kryesore citohet mosrregullsia në pagesën e rrogës.
Milani është gati t’i paguajë lojtarit afrikan 10 milion euro për një kontratë 18 mujore, ndërsa shpreson që me mbërritjen e tij të zgjidhë përkohësisht problemet në repartin e avancuar, të paktën derisa të jetë konsoliduar skuadra që po kalon një periudhë të rëndësishme tranzicioni./lajmeshqip