Bastian Shvajnshtajger ka deklaruar se ka qenë shumë pranë largimit nga Bajern Mynih për një skuadër tjetër elitare evropiane në vitin 2008.
Futbollisti i përfaqësueses gjermane ka deklaruar edhe më parë se tundohet nga ideja për të luajtur jashtë Bundesligës, sapo kontrata e tij ekzistuese me Bajern Mynih të përfundojë në vitin 2016.
28 vjeçari e ka konfirmuar përsëri një ide të tillë, pasi i duket interesante ideja për t’u larguar nga Gjermania, ku aktivizohet që në vitin 2002.
“Isha shumë pranë transferimit në verën e vitit 2008. Mund të shkoja te një skuadër elitare evropiane”, pranoi mesfushori.
“Por tani kam një kontratë ekzistuese me Bajern Mynih dhe dëshiroj që ta respektoj atë. Megjithatë, një lëvizje jashtë Gjermanisë mbetet ende shumë tunduese dhe nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”.
Futbollisti gjerman është ndjekur me shumë vëmendje në të kaluarën si nga Real Madrid, ashtu edhe nga Interi, dy klube që mendohet se kanë bërë edhe oferta zyrtare për mesfushorin, të refuzuara menjëherë nga Bajern Mynih që për momentin e cilëson të paprekshëm një futbollist të tillë./lajmeshqip