KLSH: 97 milionë euro abuzime në vitin 2012

30 Janar 2013, 17:07Politika TEMA

Rreth 97 milionë euro është dëmi financiar që institucionet e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore kanë shkaktuar në vitin 2012. Gjatë analizës vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kreu i këtij institucioni, Bujar Leskaj, deklaroi se shkeljet janë zbuluar në ato sektorë që menaxhojnë fondet publike por edhe në shitjet e pronave shtetërore.

Leskaj tha se edhe pse shumica e auditimeve janë dorëzuar si kallëzime penale në Prokurori, në Shqipëri drejtuesit ende nuk ndëshkohen, raporton “AS”.

“Institucionet e pushtetit qendror dhe vendorë me dëm ndaj buxhetit të shtetit afërsisht 97.3 milionë euro. Institucioni ka rekomanduar që kjo shumë të zhdëmtohet në masën 100 përqind. Masat për largime nga puna të drejtuesve të gjetur me shkelje janë në një nivel shumë të ulët. Ky tregues i ulët ka ardhur nga serioziteti i pakët i titullarëve të enteve të audituara në ndëshkimin e shkelësve të ligjit brenda stafit të tyre”, bëri me dije Leskaj.

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, pohoi numrin e lartë të kallëzimeve të bëra pranë institucionit të tij, ndërsa shprehu gatishmërinë për hetimin e çdo rasti.

“Prokuroria është përpjekur të vlerësojë në mënyrë të kujdesshme materialet e ardhura prej jush duke paraqitur vlerësimin e saj në drejtim të rritjes së cilësisë të kallëzimeve penale. Sipas përcaktimit të parashikuar në ligjin procedural penal nëpërmjet rritjes së kërkesave për kallëzime të plota, të qarta që lidhen me ekzistencën e një vepre penale”, u shpreh Llalla.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kërkoi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri në goditjen e aferave korruptive ndërsa siguroi mbështetjen e organeve ligjzbatuese.

“Dëshiroj t’ju garantoj se KLD do të ndjekë dhe do të monitoroj me shumë vëmendje sjelljen ligjore të trupës gjyqësore ndaj të gjithave çështjeve të iniciuara nga institucioni juaj, të drejtuara nga Prokuroria e të paraqitura në gjykatë. Vetëm në këtë mënyrë duke funksionuar dhe vepruar në mënyrë të njëpasnjëshme të gjitha hallkat e shtetit, neve mund të sjellim një produkt real, konkretë për shtetin, për shoqërinë dhe për qytetarin”, deklaroi presidenti.

Gjatë vitit 2012 KLSH ka bërë 40 kallëzime penale për 135 punonjës të administratës shtetërore, ndërsa për vitin 2013 për 35 të tillë. Sipas Leskajt, në Kuvend janë dërguar 58 ndryshime për forcimin e masave ndëshkuese, ndërsa shumica prej tyre po gjejnë zbatim në auditime.

2 komente në “KLSH: 97 milionë euro abuzime në vitin 2012”

  1. elinor says:

    Epo, ne mos rrjedhte, do pikoje. Megjithese nuk kam dyshim se kjo eshte vetem shuma qe ata nuk kane mundur ta fshehin – vetem maja e ajsbergut.

  2. Slayer says:

    ….dhe as edhe nje nuk do perfundoje ne burg, sepse jane 97-miljon euro e jo 97-mij leke ose..97 pula

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje