Një nga ndeshjet e Liverpulit në Ligën e Kampioneve është ajo që Europoli mendon se është manipuluar në favor të basteve, edhe pse sipas raporteve paraprake, trukimi ka mbetur në tentativë. Takimi i luajtur në vitin 2009 në “Anfild” ndaj hungarezëve të Debreçen mendohet se është ndeshja që u bë objektiv i organizatave kriminale aziatike të basteve.
Në këtë çështje është përfshirë portieri i skuadrës hungareze, Vukasin Poleksiç, i cili mendohet se është paguar për të siguruar se ndeshja do të përfundonte me dy apo më shumë gola, por nuk ia doli mbanë në detyrën e tij. Takimi përfundoi 1-0 për Liverpulin, që gjuajti vetëm 7 herë në portë dhe një prej këtyre gjuajtjeve, Poleksiç e devijoi në këmbët e Kajt që shënoi golin e fitores.
Gazeta daneze “Ekstra Bladet”, pretendon se në disa SMS që janë zbuluar nga hetuesit e Europol, organizatorët e trukimiut të ndeshjes janë ankuar për faktin se Stiven Xherard kishte humbur raste të pabesueshme, duke bërë që ata të humbnin shumë para nga dështimi i tentativës së tyre. Duhet theksuar se mesfushori anglez goditi edhe traversën në këtë sfidë, ndërsa në 15 minutat e fundit, Liverpuli thuajse nuk sulmoi pasi trajneri Rafael Benitez bëri zëvendësime në mbrojtje duke u munduar të ruante rezultatin.
Më vonë, në të njëjtin edicion, aludohet se Poleksiç u pagua për të manipuluar një tjetër ndeshje, atë ndaj Fiorentinës, të përfunduar 4-3 për skuadrën italiane. Portieri malazez është përjashtuar që nga ajo periudhë nga futbolli, për përfshirjen e tij në manipulimin e ndeshjeve dhe mos denoncimin e korrupsionit.