Guardiola zgjedh Gabriel Militon si asistent

6 Shkurt 2013, 14:34Sport TEMA

Pep Guardiola ka filluar të ndërtojë që tani stafin teknik me të cilin do të punojë në drejtimin e Bajern Mynih duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Ndonëse ai u ka bërë të qartë drejtuesve të klubit bavarez se është i gatshëm të punojë me stafin ekzistues teknik, mendon se 2-3 persona të besuar do ta ndihmojnë për të zhvilluar më mirë detyrën e tij.

Emri i parë që ka dalë në skenë është ai i ish-mbrojtësit argjentinas, Gabriel Milito, i cili ka braktisur futbollin në qershor. 32 vjeçari ka një të kaluar si futbollist në radhët e Barcelonës dhe njeh mirë Guardiolën, duke bërë që marrëveshja të quhet thuajse e arritur.

Rreth një teme të tillë, ka folur edhe Andres Iniesta, që e njeh argjentinasin dhe mendon se do të ishte një ndihmë perfekte për Pep Guardiolën në detyrën e tij të re.

“Nëse Gabi Milito do t’i bashkohet skuadrës së Guardiolës, do të jetë një lajm i madh, pasi ai do të jetë një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm”, tha mesfushori katalanas për argjentinasin i cili ka qenë mes liderëve të skuadrës te Barcelona, edhe pse nuk ishte titullar i paprekshëm te ky ekip.

Milito nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë rreth kësaj çështje, por fakti se ai ka refuzuar vazhdimisht ofertat që i kanë ardhur për të drejtuar në futbollin argjentinas, bën të mendohet se kontaktet e tij me Guardiolën janë në fazë të avancuar dhe shumë shpejt ai mund të bëhet pjesë e stafit teknik të klubit bavarez.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje