Bruksel dhe Berlin

19 Shkurt 2013, 17:23Blog TEMA

Nga Beqë Cufaj

Festa mbaroi. Për dikë mirë e për dikë tjetër edhe më mirë. Por, pas çdo feste vjen këndellja. Dhe kjo që do pasojë, sidomos për neve në rajon, do të jetë aq e rrufeshme. Menjëherë këtë fillimjavë. Të martën, në Bruksel pritet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës Thaçit dhe kolegut të tij serb Daçiq. Është e tepërt që këtu të rikujtohen të gjitha paralajmërimet- nga baronesha Ashton deri te Albert Rohan që faza e re e dialogut mes Prishtinës e Beogradit është sa vendimtare aq edhe dramatike.

Me të drejtë. Kjo shihet nga nervoza e cila jo nga dita në ditë por nga ora në orë vërehet në deklaratat dhe buzët e Ivica Daçiqit. Kulminacioni ndoshta ishte të dielën. Në mënyrë që sidomos të martën e mërkurën të ndjehet në tryezën e bisedimeve mes dy shefave të qeverive të Kosovës e të Serbisë. Pozitat janë të qarta: Beogradi duhet të lëvizë dhe lëshojë pe. Institucionet paralele në veri të Kosovës duhet të shkojnë. Këtë e ka bërë të ditur edhe vetë presidenti serb Toma Nikoliqi i cili edhe na “sugjeronte” që këtë inkorporim të institucioneve serbe të veriut duhet ta “shënojmë” në Kushtetutën e Kosovës. Në këtë ton edhe Daçiqi vetëm sa i qëndronte prapa shefit të shtetit por edhe me kërkesën maksimale që ai do ta hedhë në tavolinë: formimin e “lidhjes” së komunave serbe në Kosovë. Pra, derisa Beogradi e ka të qartë që në veri më s’do të jetë kurrë siç ishte deri tashti, në të njëjtën kohë do të shkohet me kërkesën maksimale- atë të autonomisë serbe në Kosovë.

Këtë kërkesë nuk do ta pranojë Thaçi. Dhe nuk ka pse, sepse kjo do të ishte vetëvrasje politike qoftë për të ashtu edhe për të ardhmen e Kosovës, Kushtetuta e së cilës është e qartë. Sesi do të gjendet një zgjidhje mes këtij, siç Beogradi po i thotë “transformimi” të strukturave paralele në veri, por Prishtina e quan “shuarje” të tyre- nuk e dimë. Por ajo që tash mund të themi është se Beogradi e ka kuptuar punën që e pret.

Dhe kjo nuk varet aq shumë nga takimi Thaçi- Daçiq, sa tek një ngjarje tjetër, e cila paralelisht me atë në Bruksel ka po aq rëndësi. Fjala është për vizitën e zëvendëskryeministrit serb, i cili është bërë sinonimi i njeriut më të pushtetshëm në Serbi, Aleksandar Vuçiq, në Berlin. Dhe atë jo edhe krejt rastësisht- pikërisht këtë të martë dhe mërkurë. Pra, në kohën sa Daçiqi dhe Thaçi me baroneshën flasin për detajet, është Berlini, janë Vuçiqi dhe këshilltari i kancelares Merkel, Heusgen, ata që do të kryejnë punët që duhet kryer. Krejt kjo ngjet për arsyen e thjeshtë: Berlini ka qenë dhe është i qartë qoftë kur prania e strukturave paralele serbe në veri është në pyetje ashtu edhe marrja e datës për Serbinë për fillimin e negociatave me BE-në. Dhe dihet që po të mos ishte Berlini, Beogradi këtë datë tashmë do ta kishte. Involvimi gjerman në Kosovë- qoftë me KFOR-in e tash së voni edhe me EULEX-in është aq i madh saqë në këtë pikë s’ka dilemë që në kohët që na presin roli i Berlinit do jetë kyç. Manta për Beogradin: Berlini merrni datën kur të lëvizni në Kosovë. Presioni për Prishtinën: veriun jua rregullojmë por jo edhe krimin e korrupsionin.

Nëse dikush pyetet pse kjo nguti kësaj jave- përgjigjja del e thjeshtë. Beogradi duhet që pos premtimeve dhe sipas gjasëve edhe marrëveshjes me Prishtinën për futjen e strukturave paralele (edhe) nën kupolën e Qeverisë së Kosovës, duhet ta bëjë brenda këtyre dy javësh. Këtë e dinë që të tre: Nikoliqi, Daçiqi dhe sidomos Vuçiqi. Këtu s’ka vend për profeci as teori konspiracioni. Zyra e kancelares por edhe Westerwelle të fuqishmin e Beogradit do ta presin si e më së miri sepse ky po e lufton korrupsionin, është më se i popullarizuar dhe pse Vuçiqi e di që duhet ta ndihmojë Daçiqin në veri të Kosovës. Rezultatet duhet të jenë të pashme dhe prekshme dy javët që vjen sepse Kancelarja harton propozimin për hapjen e bisedimeve për BE me Beogradin qysh tashti në shkurt- në mënyrë që në procedurën e rregullt në qershor Bundestagu edhe ta miratojë këtë propozim.

Ndryshe do të jetë vonë për çdo gjë. Në korrik e gusht s’ka Bundestag, sepse në Bundesrepublik-ë në shtator mbahen zgjedhjet. Për këtë shkak Ashton dhe Heusgen, Beogradit ia kanë ngushtuar rrethin: o tash datën për bisedime…, o duhet pritur edhe një vit. Në të dy skenarët Beogradin e presin ditë të vështira. Por tash për tash- gjasat janë që Serbia do të pranojë (gati) çdo gjë për ta marrë datën. Si do jetë reagimi i serbëve në Veri … është pyetja mbi pyetjet. Sepse rrugës për në BE- nuk ka truqe as lojëra. Beogradi do ta marrë vesh javën që vjen. Ashtu siç e kuptoi Thaçi me Qeverinë e tij javën e kaluar kur i ndali fallet për vizat…

2 komente në “Bruksel dhe Berlin”

  1. Tan Lapraksi says:

    Nga Brukseli kemi kujtime te bukura o Beqe ?
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/nastradini.html

  2. Din Kruja says:

    Semundjet qe ke marre para qershorit 99 nuk te japin mundesine te shkruash si shqiptar, por vetem si serb. Harroje Beqe se Serbia nuk kthehet me ne Kosove, e mbi te gjitha kete nuk do ta pranojne pervec amerikaneve edhe gjermanet. Disa prej ju intelektualeve qe nga koha e ish Jugosllavise ju ke mbetur ora tek sllogani i “bashkim vllazerimit titist”, qe tamam ishte sllavi mbi shqiptarin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje