Ku i ke agjentët?

22 Shkurt 2013, 11:47Rajoni TEMA

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se grabitën 13 mijë euro në një nga filialet e bankës “NLB”. Njeri nga ta supozohet se është pjesëtar i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Burime të Express thonë se këta tre persona janë pjesë e një bande që ka kryer shumë plaçkitje në Kosovë.

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona mbrëmjen e së enjtes, të cilët dyshohet se një ditë më parë grabitën 13.000 euro në një nga filialet e bankës “NLB” në Prishtinë.

Njëri nga të arrestuarit, sipas burimeve të Gazetës Express, është pjesëtar i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Vjedhja ka ndodhur pasditen e së mërkurës, ndërsa një polic hetues, në kushte anonimiteti për gazetën, ka treguar se banditët ishin të armatosur dhe në kokë mbanin maska.

Ata për ta kryer grabitjen kishin shfrytëzuar edhe një veturë, të cilën tashmë e ka konfiskuar Policia e Kosovës.

“Arrestimi i tyre erdhi pasi veturën me të cilën kryen grabitjen, arritëm ta gjejmë pak metra larg filialit së bankës së grabitur”, ka treguar burimi i gazetës.

Aksioni për kapjen e këtyre plaçkitësve është zhvilluar në orët e vona të së enjtes, ku të gjitha njësitet e policisë – përfshirë edhe Njësinë Speciale – kanë filluar bastisjen e disa lokacioneve.

“Tani për tani kemi tre të arrestuar, në mesin e tyre besohet se është edhe një pjesëtar i AKI’së”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje