Presidenti i Barcelonës rrezikon 8 vite burg

12 Mars 2013, 18:16Sport TEMA

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, është denoncuar në Brazil me akuzën e përfitimeve ilegale nëpërmjet një kontratë të falsifikuar për të organizuar një miqësore të kombëtares së futbollit të Brazilit.

Sipas “Folha de Sao Paulo”, Rosell ka përfituar 9 milion real (rreth 3.5 milion euro) nga paratë publike në Brazil. Nëse ai shpallet fajtor, mund të ndëshkohet deri me 8 vite burg, sipas legjislacionit brazilian.

“Folha” bën të ditur se Rosell ishte shefi i kompanisë “Ailanto Marketing”, e cila u kontraktua pa një tender publik për organizmin e ndeshjes miqësore Brazil-Portugali të vitit 2008 në Brazilia. Qeveria e Distriktit Federal e financoi këtë ndeshje me investimin e 9 milion real. Sipas të njëjtës gazetë, pjesë e mashtrimit është edhe ish-guvernatori, Hose Roberto Arruda.

Një vit më parë, e njëjta gazetë bëri të ditur se kompania “Ailanto Marketing” ka lidhje me Rikardo Teikseira, ish-presidentin e Federatës Braziliane të Futbollit që kishte përfituar ilegalisht shuma të mëdha nëpërmjet ryshfeteve.

Policia ka vërtetuar që tani se Teikseira ka përfituar një çek prej 275 mijë eurosh që i është dërguar nga një prej ortakëve të kësaj kompanie. Ndërsa tani ka dalë në skenë se Sandro Rosell i ka dërguar atij rreth 400 mijë euro në një llogari bankare që ish-presidenti i Federatës Braziliane ka të hapur në Spanjë.

I gjithë hetimi ka filluar pasi dokumenti që vërteton aftësinë e kompanisë “Ailanto Marketing” për organizimin e ndeshjeve të futbollit, të menaxhuar nga Sandro Rosell dhe ortakja e tij Vanesa Preht, është lëshuar nga “Bonus Sports Marketing”, një tjetër kompani e Sandro Rosell. Falsifikimi i këtij dokumenti është i qartë, pasi ai është lëshuar vetëm 7 ditë para zhvillimit të ndeshjes, ndërsa përshkruan aktivitete të zhvilluara nga “Ailanto Marketing”, gjatë periudhës kur nuk ekzistonte ende si kompani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje