Prefekti i Romës, Xhuzepe Pekorara, ka vendosur zyrtarisht që të ndalojë në të ardhmen zhvillimin e ndeshjeve derbi mes Romës e Lacios në darkë, duke marrë shkas nga ngjarjet e dhunshme që ndodhën në natën e të hënës në kryeqytetin italian para dhe pas ndeshjes mes këtyre dy skuadrave.
“I kam shkruar edhe Ligës së Futbollit në mënyrë që ndeshjet derbi të ardhshme mes këtyre dy skuadrave të zhvillohen pasdite për arsye sigurie. Në të kundërt do të rezervoj të drejtën të vendos unë, pasi nuk është më e tolerueshme që në çdo derbi të kryeqytetit të verifikohen incidente”, tha ai duke iu referuar faktit se policia e ka shumë më të vështirë të identifikojë tifozët e dhunshëm gjatë natës.
“Rezervoj edhe të drejtën të vendos për postimin e datës së finales së Kupës së Italisë mes dy skuadrave, sidomos për moszhvillimin e ndeshjes me datë 26 maj, pasi në atë datë zhvillohen zgjedhjet administrative në qytetin e Romës dhe është e pamundur që të ndiqen dy aktivitete të tilla madhore në siguri të plotë”, deklaroi prefekti i Romës.