“Tatimet dhe doganat janë shthurur për shkak të fushatës”

10 Maj 2013, 10:32Ekonomia TEMA

Fushata zgjedhore nuk mund të mos prekte edhe tatimet dhe doganat. Këto të fundit në tre mujorin e parë të këtij viti kanë mbledhur të ardhurat më të ulëta në këto 10 vitet e fundit. Rënia e të ardhurave nga këto dy institucione për këto tre muaj ka qenë 4.7 miliard lekë.

Kjo ka shqetësuar biznesin, përfaqësuesit e së cilës shprehen se tatimet dhe doganat tashmë janë shthurur për shkak të fushatës elektorale.

Sipas bizneseve, administratat e menaxhimit të taksave pothuajse janë shkrehur fare, mungon motivimi për punë dhe se fushata elektorale i ka përfshirë deri në pikën për të lënë pas dore funksionin ligjor: shërbimin ndaj sipërmarrjes private.

“Rënia e të ardhurave ka rënë kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit, rritjes së informalitetit dhe korrupsionit njëkohësisht. Shikojmë një demotivim të administratave në prag të zgjedhjeve, një farë shthurjeje të tatimeve dhe doganave. Bashkë me këta faktorë, kemi edhe politikën e gabuar të taksave sa u takon produkteve që dalin për eksport”, thotë për gazetën “Shqip” Alban Zusi, ekspert i tregjeve, si dhe kryetar i Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë./b.l

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje