Politikanët tanë ndjejnë një kërcënim të tmerrshëm, kjo s’ka më asnjë dyshim. Ata i ngrysin dhe gdhijnë ditët me ankthin makbethian që ju shfaqet në formën e bezes së kuqe që vetëm i ndez gjakrat. Ky është një kërcënim që ata nuk e ndien as atëherë kur u vërsulën kundër popullit të jugut me të gjithë arsenalin e tyre djallëzor njerëzor dhe ushtarak që kushtoi aq shumë. Me pazaret e fëlliqura Berisha– Nano u gjet lehtë gjuha e përbashkët dhe s’kishte nevojë për armatim të mëtejshëm. As atëherë kur si rrjedhim i përfshirjes në trafiqe skandaloze armësh dhe karburantesh, duke thyer embargot ndërkombëtare, humbet jetën deputeti i PD. Për këta lloj deputetësh dhe qeveritarësh, para pasurimit të tyre me para të pistë, nuk kishte asnjë rëndësi se ky lloj biznesi kontribuonte në përgjunjen e vëllezërve tanë të Kosovës. Por kjo nuk është hera e parë që është demonstruar në të tilla mënyra të fëlliqura, dashuria e tyre për atdheun. Boll të kujtojmë këtu pazarin që u bë me shitjen e territoreve tona detare, një problem akoma i pambyllur, të cilin kjo qeveri e korruptuar deri në palcë, nuk ka kurajën as të belbëzojë, ndërkohë që për të njëjtin problem shteti turk është ngritur i gjithi në këmbë. Këtu janë ndryshe punët. Përpara atdheut ka rëndësi vetëm xhepi dhe kolltuku.
Por e kishim fjalën tek armatimi. Kuvendi ynë mori vendimin e çuditshëm për armatimin e politikanëve, në një kohë kur në shenjë pajtimi me këtë popull të irrituar, duhej të shpërndante jo vetëm dhurata, por edhe ndonjë pendesë për krimet që shteti bëri në kurriz të tij. Do të duhej kështu që të vendosej një farë balance bashkëjetimi edhe me të keqen të cilën, sado të mos e duam, e kemi pjesë tonën. Por jo. Krimi ka marrë të tillë vrull sa tashmë vazhdon të kërcasë dhembët. Një masë të tillë Kuvendi ynë nuk e mori as atëherë kur rrezikoheshin seriozisht fatet e vendit. Marrja dhe realizimi i saj në këtë periudhe, është një rrëfyes i saktë për të kuptuar se ç’është duke iu përgatitur këtij vendi. Pasi e nënshtruan dhe poshtëruan këtë popull duke i vjedhur të vetmen armë të tij, votën e lirë, ata nuk ndihen më të sigurt, se të besueshëm nuk janë ndier asnjëherë.
Ankthi që çdo ditë vetëm zgjeron përmasat, i detyron që të kalojnë nga njeri karagjozllëk tek tjetri. Nuk është shenjë pjekurie dhe shprese fakti që ata nuk arrijnë të kuptojnë se këto manovrime vetëm rrisin gradiacionin e neverisë ndaj tyre. Nuk mund t’i shpëtojë më as përfshirja e fëmijëve 16- vjeçarë në votime, as boshatisja e burgjeve nga kriminelët gjakatar që lirohen për t’i pasur kontingjent derdhjesh gjaku dhe as dyfishimi e trefishimi i numrit të popullsisë së qyteteve verilindore. Pasi shitën gjithë pasuritë mbitokësore dhe nëntokësore të vendit tonë, si t’i kishin prona të tyre të trashëguara, miniera, hidrocentrale e vendburime nafte, pasi e rritën borxhin publik të vendit në përmasa katastrofike, tani shtrohet problemi për t’i bërë derman kokës. Që të shesin edhe veten ata janë gati, por për fatin e keq, për kafka të tilla pa tru brenda s’ka kush nevojë. Ato nuk mund t’i përdorësh dot as si uturakë. Gjithë manovrimet që u bënë gjatë votimeve të shkuara, tani vështirë se do shkojnë sërish. Ndaj duhet kuptuar se ka mbetur vetëm një zgjidhje: të mbrojë secili kokën e tij, se askush nuk i ka faj. Për këtë qëllim po i japim edhe një kobure në brez. Por unë jam i sigurt se nëse ka, dhe sigurisht që duhet të ketë të tillë, njerëz me cipë, para se ta shkrepin këtë armë kundër popullit që kaq shumë i kanë hyrë në pjesë, do e shkrepin së pari kundër vetvetes. Logjika më e thjeshtë këtu të çon.
Nuk është rastësore deklarata e poshtër e Nishanit se ne nuk kemi kulturë për votime demokratike. Kjo deklaratë që e përmban brenda të vërtetën e hidhur, duhej shprehur ndryshe: Ёshtë e vështirë të lihet pa dhimbje kolltuku magjik që të ka bërë të pasur duke vjedh e gjakosur popullin tënd. Unë qofsha gabim, por në të vetmin rast të votimeve, nuk nevojitet ndonjëfarë kulture. Shko hidh votën tënde ku të ta dojë e bardha zemër dhe gjithçka mbaron këtu. Por kultura që ka gjetur si çelës prapësie Nishani, fillon pasi ka kthyer shpinën votuesi. Të numërojnë dinë edhe barinjtë e lopëve. Por për t’i rënë anës së vërtetës së hidhur me të cilën u ngritën në krye kjo skotë banditësh që po i rëndon vendit në qafë, faktit që nuk e kanë të lehtë shkëputjen prej pushtetit, prej nepotizmit, prej copëtimit të vendit në zona influence e plot ligësira të tjera, këtë radhë del në shesh edhe puna e kulturës e cila në një farë mënyre shpreh edhe justifikimin: Ç’të bëjmë ne të gjorët politikanë, kur nuk do të na kuptojë ky popull i pakulturë? Këto lodra të poshtra janë në pragun e mbarimit. Nuk ka më dyshim se po afron dita e dhënies llogari për poshtërimet që ju bënë vendit dhe pasurimet në kurriz të tij. Kjo padrejtësi kaq e madhe nuk mund të kaloj kaq lehtë dhe politikanët e dinë mirë këtë gjë. Ata dinë gjithashtu se kanë hyrë në gjak me këtë popull. Tani është koha për ta hequr përgjithnjë nga shpina këtë të keqe të madhe e për të shpresuar për sado pak barazi. Nuk jam idealist që të shpresoj se me ikjen e kësaj qeverie dhe këtij klani, punët do shkojnë si në vaj, por ama jam i mendimit që punët të rregullohen hap pas hapi. Që hapat e duhur të hidhen në kohën e duhur. Në se u humbën 23 vjet me këtë ëndërr, nuk është humbur e gjithë e ardhmja. Akoma nuk është vonë. Po u respektua fanatikisht vota, ajo e ka brenda edhe garancinë e rrotacionit politik i cili është ingranazhi kryesor i funksionimit të demokracisë.
Që të jem më i saktë, këtu duhet thënë për hir të së vërtetës se nuk ndryshojnë shumë politikanët e së majtës dhe të djathtës, sado që të majtët e patën kurajën të belbëzonin kundër një ligji të tillë poshtërues, por vetëm kaq. Në nderin e tyre do ishte që asnjeri të mos e pranonte atë bujari që ju ofroi kuvendi. Duke ngjeshur pisqollën në brez, ata bëhen po aq të pabesueshëm sa dhe kolegët e tyre të djathtë. Në Shqipërinë tonë të qorrollisur keq, kanë humbur efektin ngjyrat të cilat shfaqen vetëm me bukuri mashtruese.
Boll të kesh parasysh këtë pasqyrë dhe është e qartë se nga kush kërcënohen politikanët tanë. Ata kërcënohen direkt nga populli i tyre i cili më së fundi po e kërkon këmbëngulshëm drejtësinë. Këtë radhë për fat të mirë ai ka me vete edhe ndërkombëtarët të cilët janë duke e ndjekur nga afër procesin zgjedhor. Ky është një rast që nuk duhet të shpëtojë. Le të nxjerrë mitingjeve Berisha rrogëtarët dhe mercenarët, le të nxjerrë topat dhe tanket. Le të vazhdojë edhe beniamini i tij Meta me kartërat kërcënuese për të punësuarit e tij, jam i sigurt se do dalin të humbur përpara dëshirës mbarëpopullore që haka të shkojë tek i zoti.