Kush mbjell erën, korr stuhinë

13 Qershor 2013, 22:10Blog TEMA

Nga Magdalena Ramohito

 

Jemi vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë faktorët dhe aktorët politikë të vendit dhe ndërkombëtarë si ‘historike’, duke abstraguar formën ligjore, u duk se në përgjithësi fushata ishte e qetë, por nuk vonoi dhe filloi ‘avazi i vjetër’ me thyerje eshtrash e kyçesh e çarje kafkash…presione që nuk dihet konkretisht nga vijnë, por që janë një dëshmi e qartë se pushteti jep shenja se nuk do të largohet lehtë, pra nuk pranon një betejë ku në themel të saj të jetë forca e votës, por forca e grushtit.

Është qesharake ti shohësh politikanët tanë të shfaqen gjatë ditës ‘si amerikanë’ duke bërë fushata moderne në komunikim me popullin, pavarësisht si vishen me jelek apo pa jelek antiplumb, e të na japin të dhënat e pritshme prej sondazheve të bëra, ndërsa natën kërcënohen familjarë të kandidatëve për deputetë e dërgohen në spitale të masakruar fizikisht.

Ndërsa kishim filluar të ndiqnim sondazhet, duke gënjyer veten tonë, se qetësia do të mbretëronte në këtë vendin tonë të trazuar, gjithmonë e më shumë të trazuar, tani po përgatitemi për të parë e dëgjuar gjëra edhe më të rënda, ndonëse me zemër nuk i duam dhe urojmë, të mos ndodhin, por sidoqoftë ‘exit poll-et’ edhe këtë herë do të jenë një farsë.

Po vetëkuptohet kush e mban përgjegjësinë, për gjërat që nuk shkojnë mirë në lidhje me përgatitjet për zgjedhje, është Kryeministri i vendit ai që ka në dorë ‘vulën’ për të na i kursyer ca vuajtje që nuk i meritojmë, por për t’ia kursyer edhe vetes së tij pasoja, që pashmangshmërisht do ti ketë. Duket se mazhoranca është shumë e sforcuar në këtë fushatë, sepse ka humbur shumë kredite që tashmë dihen; ndërsa kritikohet cilësia në PS tek PD nuk mund të adresohen fare kritika sepse nuk bën sens një gjë e tillë, përderisa ajo  përfaqësohet me kandidatura të huajtura nga PS, diçka e pa dëgjuar më parë, shumë qesharake, por mbi të gjitha i heq tharmin  garës, pra seriozitetin mbi të cilin ngrihet e justifikohet gjithë fushata si një arenë  ku përplasen  idetë, nëse ka në të vërtetë mazhoranca në ikje të tilla.

Presionet ndaj administratës po e tejkalojnë cakun, i cili ka ekzistuar realisht në këto 22 vjet, nga të gjitha palët, por me diferenca të vogla. Çdo ditë denoncohen rastet kur nëpunësve u bëhet presion, për të marrë pjesë aktive në fushatë, madje të sjellin me detyrim pranë qendrës së tyre të punës një listë, e cila të përmbajë një sasi emrash pjesëtares të familjes së nëpunësit plus të afërm të tij, pra një kërkesë kjo jashtë çdo logjike nga njëra anë dhe një presion i tmerrshëm logjik nga ana tjetër. Gjithashtu është e pabesueshme e gjithë kjo histori, përderisa dihet që administratat janë të mbushura me militantë dhe për këtë  qeveria nuk kishte pse të kërkonte garanci të tilla.

Supozojmë se një pjesë e specialistëve mund të kenë bërë gabime gjatë punës ‘së lodhshme’ tetë vjeçare, por nëse çdo gabim mund ta vendosësh njërin pas tjetrit mbi një copë akulli, IDEALI “ngrin”. Ai nuk mund të zhduket, ashtu siç mund të ngrijë ‘feja’, apo parimet individuale. Pse PD jep udhëzime të tilla nëpër dikastere, kur ajo e di mirë se militantët nuk ‘lëvizin nga istikami’ sido që kryetari i Partisë Demokratike njëherazi edhe kryeministër të sillet e të veprojë me premtimet e tij?

Një fjalë e urtë e popullit tonë të zgjuar thotë: “Kush mbjell erën korr stuhinë”.

Mos vallë shqetësimi i PD vjen pikërisht nga bindja se, megjithëse administrata ka qenë në një masë të konsiderueshme bashkëpunëtore dhe si rrjedhim bashkëfajtore për mosrealizimet, ajo nuk dëshiron më të jetë bashkëpunëtore deri në pakufi?

Në një nga takimet me Kreun e “Rilindjes” Edi Ramën pak ditë përpara, në lagjen “Don Bosko” të Tiranës, gjesti i një themeluesit të PD, të cilin të gjithë e pamë  duke e grisur dokumentin e anëtarësisë, qe i mjaftueshëm për të treguar se ‘stuhia’ sapo filloi, dhe sqarimi me të cilin ai e shoqëroi atë akt ishte shumë qytetar, tepër bindës për ne, që e pamë dhe e dëgjuam kur ai u shpreh se, -vetë ai nuk kishte probleme sociale, pra pakënaqësia e tij ndaj kësaj qeverie nuk ishte personale, por ai vet kish vendosur të votonte ndryshe më datën 23 qershor, pasi nga Qeveria Demokratike, nuk kish pritur përfitime për veten (siç rëndom ndodh dhe mbisundon mendimi se njerëzit që mbështesin një forcë politike janë patjetër mercenarë të pavlerë, ca interesaxhinj të pa fytyrë, që mezi presin të marrin një karrige dhe të rrinë aty për të pirë kafe o për të grabitur pronat e shqiptarëve, e jo për të bërë detyrën me pasion duke ndjekur idealin e tyre, për të bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të gjithë, e jo vetëm për militantët), ai ishte i zhgënjyer nga pa aftësia e Kryeministrit  dhe Kryetarit të PD për të bërë shtet; pra për të ndërtuar institucione, për të respektuar institucionet, për të mos i uzurpuar institucionet etj,. Ky për mua ishte një lajm i mirë, jo se nuk e kisha ditur se ka qindra e mijëra shqiptarë që janë në rresht të gatshëm për të punuar denjësisht në institucionet e shtetit shqiptar dhe madje t’iu bëjnë nder këtyre institucioneve dhe këtij shteti me praninë e tyre, por skepticizmi që ekziston se ky vend s’bëhet kurrë, se të gjithë e kanë mendjen të rrëmbejnë nga një copë e të ikin, gjesti i atij burri ishte sa dhjetë fushata për PS, por edhe shkëndija e një shprese se në këtë vend ka plot qytetarë të devotshëm, me ideale, të cilat nuk i vendosin tek shtylla kurrizore e Partisë, por i kanë individuale, biologjike dhe se në këtë vend nuk ka skllevër të bindur për t’i shërbyer partive që shkojnë e vijnë për interes thjesht personal. Ky gjest ishte shumë frymëzues për ata shqiptarë që e duan këtë vend, që besojnë se në këtë vend ka vlera, dhe se po vritet frika, dhe se paragjykimet do të rrëzohen një e nga një si fletët e pemëve në çdo fillim vjeshte, por edhe ishte një mësim për të gjithë liderët e vjetër dhe ata që presin të ngjisin tashmë shkallët kryeministrore se njerëzit të ndjekin, por jo pafundësisht.

Ata mund të të falin gabime, por jo faje të tipit vrasje të njerëzve me duar në xhepa në trotuar, jo kërcënime ndaj Kryetarit të opozitës, por askujt si p.sh:- dil në protestë pa do të shohësh…. apo hë fol, pa ta tregoj unë sa të vlen lëkura, ose në parlament brenda, Kryeministri i drejtohet deputetëve:- unë ta bëj surratin më zi se këpuca, apo ua bëj prapë si në 21 Janar…

Prandaj pas 23 qershorit duket me sy të lirë e nuk ka nevojë për sondazhe se: “kush ka mbjellë erën do të korrë stuhinë”…Për qeverinë e re e për Edi Ramën Kryeministër do të kemi kohë të bëjmë kritikat e vlerësimet tona, por para së gjithash nëse supozohet se, është ekonomia e para në vendet normale demokratike, në Shqipëri, e para është respektimi i institucioneve, kontrolli e balanca e tyre. Jeta jonë! Ja e vetmja gjë e rëndësishme. Në të vërtetë individualizmi është qëllimi më fisnik i jetës, prandaj veprimi i themeluesit të PD dhe jo thjesht grisja e asaj cope letre ishte një demonstrim se individualizmi në këtë vend ekziston, përkundrazi të vendosurit e shtyllës kurrizore në një parti është të jesh një njeri i zhveshur, pa individualitet.

5 komente në “Kush mbjell erën, korr stuhinë”

  1. kureshtari says:

    po te votonin 1 milion e gjysem emigrante nuk do kishim fatkeqesine qe ne parlamentin e ardhshem te shikonim te pakten genjeshtaret e pa skrupujt ne tv shqiptare

  2. Ola says:

    Komplimente znj Ramohito. Frika po vritet dhe syte e shqiptaret po hapen cdo dite. Tevotojne RILINDJE palku mere nuk ka me takat

  3. tragj says:

    Pikerisht!Nga Salivandali e servilat pa shtylle kurrizore,bande kriminelash e hajnash nuk egziston asnje shprese per popullin. Gjithshka duhet te nisi nga fillimi dhe te nisi ndryshe.Modelet e personalitetet nuk mungojne,por i pengon ligesia qe ka shume emra.

  4. Ira says:

    Grisja e teseres se PD, kalimi i njerezve nga njera parti ne tjetren, eshte vetem tregues i populizmit, qe mbizoteron ne partite politike.Thelbi eshte se pjesa me e madhe as nuk e dine pse hyjne dhe as pse dalin, apo ikin nga partia.Uroj qe zonja te mbetet optimiste,se ky vend behet.Une nuk e besoj, madje jam i bindur.

  5. eri franc says:

    eri,franc

    pershendetje magda! Shqiperia do behet per inat te atyre qe nuk e duan. Po c’rendesi ka, ti ke lindur e do mbetesh optimiste e dashur. Jic me thua gjithmone: “jeta jetohet pavaresisht te tjereve” edhe une keshtu bej, nese dikush thote se Shqiperi nuk behet, une me vete them ajo eshte e bere, perderisa ka njerez qe mendojne si une.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje