Pengmarrje me çështjet sociale

12 Qershor 2013, 20:53Blog TEMA

Nga Altin Ketro

 

Gjatë regjimit komunist, një nga format shtrënguese që ti të ishe besnik dhe të bashkëpunoje, ishte që Sigurimi i Shtetit të të ndërtonte një dosje me anë të të cilës të të mbante peng gjithë jetën. Ose duhet të pranoje faktin që t’i bindeshe çdo urdhri që merrje nga operativët e sigurimit, ose do duhej të merrje më qafë veten dhe gjithë familjen.

Në ditët e sotme, jo se dosjet e sigurimit nuk përdoren për të mbajtur peng individë që për çudi promovohen edhe në poste të larta shtetërore, por janë gjetur forma të tjera që s’ndryshojnë fare nga ato dosje.

Rënia e komunizmit bëri që shqiptarët të lëvizin lirisht nga njëri rreth në tjetrin. Kjo lëvizje, e pakontrolluar dhe kaotike, bëri që banorë të zonave të thella e pa perspektivë të shpërngulen në qendrat e mëdha urbane, duke zënë hapësira të lira toke që dikur ishin tokë bujqësore, baza më e fuqishme e mbajtjes në këmbë të ish ekonomisë socialiste.

Të gjendura të papërgatitura për këtë fluks të madh njerëzish, qeveritë në vijimësi, qysh nga viti 1992, nuk ndërmorën asnjë plan afatgjatë për të parandaluar informalitetin. Gjithkush u nis me mendimin “ku rafsha, mos u vrafsha” dhe s’u menduan dy herë për të zënë çdo pëllëmbë tokë të lirë, në pronësi publike a private. Ish-pronarë të dikurshëm e panë veten të shpronësuar, ndërkohë që ata që s’kishin tokë, u bënë zotër në pronën e tjetrit.

Sot ndodhemi përpara faktit të kryer që janë me qindra mijë ndërtime informale, kapitale që vlejnë miliardë euro, por që kanë mbetur peng i lojërave politike. Dhe, ajo që ka përfituar më shumë nga kjo pengmarrje është pikërisht Partia Demokratike dhe veçanërisht kryetari i saj, zoti Berisha. I kanë marrë peng, si pronarët e vërtetë, ashtu edhe të ardhurit. Të parëve u premton se do u kthejë a kompensojë tokën, kurse të dytëve, se do u bëjë legalizimin dhe dhënien e certifikatës së pronësisë.

Ka 8 vjet që Berisha është në pushtet dhe po i zvarrit këto çështje me kaq shumë ndjeshmëri publike e sociale. Dhe, jo pa shkak! Çështja e pronave dhe legalizimit të ndërtimeve informale ka qenë një nga kuajt e betejave të tij elektorale me të cilën i ka mbajtur në ankth pronarët e vjetër e të rinj. Ua premton në vigjilje të zgjedhjeve se do e zgjidhë çështjen brenda vitit të parë të mandatit dhe përgjat 4 viteve i stërlodh nëpër zyrat e shtetit me gjithfarëlloj formularësh që ndryshojnë vit pas viti, në pritje të afrimit të zgjedhjeve të radhës.

Më bëri përshtypje një bashkëbisedim që kryeministri pati në Metoq të Sarandës. Njëri nga fermerët, pasi i thuri lavde kryeministrit, u ankua se prona që ai pretendon se e ka, ka mbivendosje, pra është edhe dikush tjetër i regjistruar në po atë tokë. Fermeri tha gjithashtu se ka ardhur dhe një ekip nga ministria e Bujqësisë, por që s’i dha dot zgjedhje problemit. Kryeministri bëri sikur mbajti shënim shqetësimin dhe u zotua live në TV se do ngrinte një grup pune për këtë çështje. Unë s’di të them se cili nga fermerët ka të drejtën e pronësisë, por ajo që doli ashiqare qe fakti se institucionet që ka ndërtuar kjo qeveri janë të pazonjat për t’i dhënë zgjidhje problemeve të pronësisë dhe duhet doemos që kryeministri të ngrejë grup pas grupi që dublojnë punën e njëri- tjetrit dhe zvarritin me vite problemin. Por, më shqetësues është idea që krijohet se pasi ky fermer dha garanci se është një besnik i partisë, grupi që do “ngrejë” kryeministri do ta shohë atë me prioritet!!!

Habitesh me individë, që janë pjesë e këtij procesi, që turfullojnë gjithë ditën për sorollatje dhe korrupsion, por që këtë situatë e kanalizojnë vetëm tek nivelet që nuk prekin kryeministrin. Demagogjia politike e këtij të fundit i ka bindur se ai s’di gjë se ç’ndodh poshtë, prandaj siç kemi parë këto ditë, të interesuarit kanë besim se do u zgjidhet halli vetëm pasi flasin me Berishën. Duket pra se ka një organizim të çorganizuar të këtij procesi, ashtu siç është dhe vetë qeveria.

Nga ana tjetër, Berisha premton legalizimin deri në fund të këtij viti për ndërtimet para vitit 2006, ndërkohë që ka filluar procesi numër dy i aplikimeve për legalizim për ndërtimet pas vitit 2006. Përsëri një politikë pengmarrjeje që efektin e ka deri më 23 qershor. Sepse, siç kanë treguar këto 8 vite, kjo qeveri e ky kryeministër as e kanë në planin dhe në vullnetin e tyre që ta përfundojnë ndonjëherë këtë proces. Në fund të fundit, me çfarë tjetër premtim do t’i mbanin peng për zgjedhje si deri më sot gjithë këta mijëra votues?!…

2 komente në “Pengmarrje me çështjet sociale”

  1. O ZOT! says:

    O ZOT!
    KUR DO SHPETOJME NJE HERE E MIRE NGA KY I CMENDUR QE PO NA CMEND TE TEREVE?
    http://imazheshqip.blogspot.com/2013/06/pd.html

  2. shpresa says:

    ju lutem lexues shikoheni me vemendje kete foto .a mendoni te fotoni per ta ?vetem frike servilizem . nuk besoj se doni per femijet tuaj .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje