Under construction

10 Qershor 2013, 20:09Blog TEMA

Më shumë se 30 rrugë të kryeqytetit janë në rikonstruksion ose gati për t’u inaguruar. Gjithçka në funksion të fushatës zgjedhore, e cila ka hyrë në pikën e saj më të nxehtë

Nga Renato Kalemi*

 

Në zgjedhjet që e sollën në krye të Bashkisë së Tiranës në 2011-ën, Lulzim Basha u shfaq me parrullën: “Tirana është e para”. Shumë e vlerësuan këtë si një gjetje, të tjerë veçuan qytetarinë me të cilën ai po drejtonte një fushatë larg akuzave politike, të fokusuar plotësisht tek problemet e përditshme, kurse më skeptikët prisnin me padurim se çdo të bëhej me premtimet. Pas njëqind ditëshit të parë, kthimit në gjendje normale të sheshit “Skënderbej” dhe hapjen e zyrës së tij për hallet e qytetarëve, Basha humbi nga radarët e politikës aktive. Praktikisht, ish ministri i Brendshëm u zhduk nga studiot televizive dhe faqet e gazetave, përveçse kur shfaqej rrallë për inagurimin e ndonjë sheshi lojërash ose në mbledhjet e këshillit bashkiak. Në media kishte çuar fjalë se nuk dëshironte të jepte intervista, pikërisht sepse ishte i zënë me punët e bashkisë dhe se tani e tutje do të mbante një profil të ulët, atë të punëtorit dhe kryebashkiakut model, sa më pranë qytetarëve dhe larg politikës aktive. Elemente të cilat i frymëzoi fillimisht duke pritur qytetarët në zyrë, e më pas me indiferencën që tregonte në publik ndaj asaj që ndodhte jashtë Bashkisë së Tiranës. Derisa profili i tij zuri kore e u mbyll në atë të njeriut që sheh vetëm punët e tij, ndonëse në Tiranë nuk ndihej ende era e ndryshimit që Basha kishte premtuar.

Ajo nisi të thithej nga pak në fundin e 2012-ës dhe fillimin e këtij viti, duke kulmuar në muajt maj e qershor, sot kur Tirana është kthyer në një kantier të vërtetë ndërtimi. Duke ndjekur shembullin e kryeministrit Berisha, kryebashkiaku Basha ka ndezur motorrët dhe po i jep një dorë Partisë Demokratike duke iu dhënë fund rikonstruksionit të rrugëve të kryeqytetit bash në zemër të fushatës zgjedhore. Mjafton të lëvizësh nëpër Tiranë për të kuptuar se janë të shumta rrugët e kryeqytetit, në të cilat punimet kanë nisur prej disa muajsh, por vijojnë të mbeten të hapura me qëllimin për t’u mbyllur (inaguruar) brenda qershorit. Një situatë e cila, ashtu si me punimet e sheshit “Skënderbej” në kohën e ish kryebashkiakut Rama, po shkakton një kaos në trafik dhe bllokimin e arterieve kryesore. Basha, nga ana e tij, e ka thyer koren e kryebashkiakut që s’do të merrej me politikë që në daljet e tij të para në podiumin e mitingjeve elektorale të PD-së, duke sulmuar Ramën me modelin e gabuar të administrimit të Tiranës. Madje, për disa media, ai është drejtuesi kryesor i fushatës së PD-së, i ndihmuar edhe nga grupi i lobistëve amerikanë të Podestas. Sjellje e cila, e kombinuar me rregullimin e infrastrukturës rrugore të kryeqytetit në pikën kulmore të fushatës, provon se kjo është një strategji e pastër elektorale për të marrë vota. Pra, asgjë e re nga çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.

Lojën e inaugurimeve në kohë fushate e hapi kryeministri Berisha i cili muajin maj e ktheu në muajin e prerjes së shiritave për disa nga investimet më të mëdha të qeverisë. Duket se ai ka pritur afrimin e datës 23 qershor për të treguar në publik disa nga veprat, të cilat i ka shfaqur si përmbushje të premtimeve. Inaugurimet e ditëve të fundit nuk janë vetëm rrugë, paçka se sipas kryeministrit qeveria ka ndërtuar 10.400 km. Shirita janë prerë dhe po priten edhe për investime të tjera të rëndësishme në fushën e energjisë, ujësjellësa, dogana etj. I tillë ishte përurimi i sistemit të kontrollit të OST-së apo nisja e punimeve përgatitore për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës në rrethin e Elbasanit, i cili u përurua në vitin 2009 po nga kryeministri Berisha. Në Korçë u përurua impianti i ujërave të zeza, një investim prej 37.5 milionë eurosh që bën të mundur kanalizimin dhe grumbullimin e ujërave të zeza, kurse në Tiranë shërbimin “e-dogana”, sistemi i ri doganor për vendosjen e pagesave online. Për të vijuar me shtytjen e jashtëzakonshme të punimeve të rrugës së Elbasanit dhe tunelit, e cila ashtu si “Rruga e Kombit” në vitin 2009, është e përzgjedhura e Berishës për ta paraqitur si kryeveprën e re të qeverisë së tij. E gjithë kjo mizanskenë e ndërtuar në fushatë zgjedhore të jep përshtypjen se shumë nga investimet e katër viteve janë lënë qëllimisht të përfundojnë në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit.

E njëjta situatë po përsëritet në Tiranë me rikonstruktimin e mbi 30 rrugëve njëherësh. Rrugët në ndërtim, punimet e të cilave kanë nisur vjeshtën e kaluar, çuditërisht kanë thuajse të gjitha një afat përfundimi mesatarisht 6 deri në 8 muaj. Çka do të thotë se nëse përfundojnë në kohë, qytetarët dhe trafiku i rënduar i makinave do të lëvizin lirisht në mes të qershorit; pra, koha kur fushata elektorale është në kulmin e saj. Një nga rrugët thuajse e përfunduar në kohë rekord është “Rruga e Dibrës”, e cila për aq javë sa ka qenë e bllokuar ka shkaktuar një çorientim të trafikut dhe një mbingarkesë të rrugëve paralele. Rikonstruksionit të plotë iu nënshtrua edhe rruga nga Shkolla e Baletit tek tregu elektrik, e cila pritet të inaugurohet këto ditë nga kryebashkiaku Basha. Ky ishte një segment i lënë në mëshirë të fatit për disa muaj. Punimet për ndërtimin e bulevardit “Petro Nini Luarasi”, vijojnë të jenë të hapura dhe sipas planifikimeve të bashkisë pritet të mbarojnë në kulmin e fushatës. Ashtu si disa nga segmentet e ish Bllokut, të cilat janë hapur në fillim të këtij viti dhe pritet të mbyllen e përurohen nga fundi i qershorit. Punime po kryhen edhe në rrugën “Siri Kodra” apo në segmentet që lidhin Rrugën e Durrësit me atë të Kavajës.

Edhe ndërtimi i xhamisë së re për besimtarët myslimanë në sheshin e Namazgjasë, ka një prapaskenë elektorale. Fillimi i punimeve u përurua disa javë më parë nga vetë Berisha dhe Basha, por edhe sot ato nuk kanë nisur. Në një deklaratë të tijën të fundit, kryebashkiaku u detyruar të pranojë se leja për ndërtimin e xhamisë është dhënë dhe se ato do të nisin shumë shpejt. Pastaj, sulmoi kryesocialistin Rama se për 11 vjet nuk bëri asnjë përçapje që kjo xhami të ndërtohej, nga “paragjykimet që ky njeri ka për Komunitetin Mysliman, por jo vetëm”. Pas mungesës së gjatë në televizione, Basha do të shfaqej javën e kaluar në “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit për të deklaruar nisjen e një prej premtimeve më të mëdha të bëra prej tij në 2011: dhënien e hipotekave për apartamentet që nuk e kanë atë. Ai tha se qytetarët duhet të shpejtojnë ta bëjnë aplikimin tani në qershor, pavarësisht se premtimi i tij ishte se kjo çështje do të mbyllej brenda vitit të parë si kryetar bashkie. Nga ana tjetër, pasi u zgjodh në krye të Bashkisë së Tiranës, Basha premtoi se do të merrej vetëm me qytetarët, çka është thyer këto ditë me daljet e tij kundër Ramës.

Të gjitha këto bëhen në funksion të një fushate zgjedhore, e cila në Tiranë merr rëndësinë më të madhe, qoftë pse pas fitores së 2011-ës PD-ja kërkon të rrisë numrin e deputetëve që do të dalin nga ky qark, por edhe sepse duhet mposhtur rrjedhja e votave që mund të shkaktojë kandidimi i FRD-së së Bamir Topit. Por, ajo çka është më e rëndësishme mbetet fakti se Berisha kërkon ta shesë imazhin e kryebashkiakut Basha si atë të njeriut që sjell ndryshimin, si modelin e qeverisjes demokratike që mendon për qytetarin. Jo më kot, Basha është shndërruar muajin e fundit në yllin e fushatës së PD-së, duke marrë përsipër edhe prezantimin e kandidatëve për deputetë në vend të kryeministrit Berisha, si në rastin e Kavajës. Modeli Basha është modeli që Berisha po e reklamon si zgjedhjen që duhet të bëjnë qytetarët në 23 qershor, për të prekur mandatin e tretë. Fakti pse Tirana ishte lënë në harresë për rreth një vit e gjysmë dhe ndezja e fadromave erdhi vetëm pak javë para zgjedhjeve, harrohet shpejt: Rëndësi ka të stimulohet përshtypja se punët e mira në Tiranë do të pasohen nga punë po kaq mira në të gjithë Shqipërinë, nëse votohet për “partinë e duhur”.

*Revista KLAN

5 komente në “Under construction”

  1. Vlora says:

    le te inaguroj rruge basha se na duhet te levizim ne to por votat tona kan per te shkuar te rama.

    ate qe na beri rama per “tiranen e kioskave” nuk ka per ta bere kurre basha.

    basha i ka kthyer perseri kioskat mbi trotuare,,, por kete radhe jo me llamarine por me investime prej xhami.

    nje rast qe mund ta vertetoni lehtesisht tek rruga P.N.Luarasi (mbi shkollen e baletit) qe u inagurua sot nga cifti basha – berisha pikerisht kioska e bashes eshte ne ndertim e siper.

    1. fl says:

      Nuk e kuptoj se me cfare fytyre ky palluqja Bashkise do u dale perpara mbeshtetsve te vet ne zgjedhjet e ardhshme. Ka 5 muaj lluc per asfaltuar 400m rruge te lagja ime. Thote se do asfaltoj qindra km rruge, po me kete rritem do i duhen 100 vjet. Me sa duket ka akoma torrallker sa te duash qe nuk e kuptojne qe cfare nuk asfaltohet para 23 Qershorit – s’ka per tu bere me kur nga ky.

      Keni per ta para pas 2-3 muajsh kur te qahet se nuk me lene socialistet ti perfundoj rruget. Shpresojme qe demeve qe Basha i Argites i ka bere Tiranes keto 2 vjet, ti vihet nje fre pas 23 Qershorit

  2. tomori i beratit says:

    Po 4 te vraret e 21 JANARIT i haroi basha.Sa te jet gjalle ai do te jet ne GJAK me 4 familje.E drejta VONON POR NUK HARON.

  3. Moza says:

    Keta e konsiderojne publikun si nje tufe delesh mjerane qe u hedh pak bar para per te ngrene.

    Shtrojne para zgjedhjeve disa rrugica dhe me keto duan te blejne zemerimin qytetar dhe te evitojne ndeshkimin me vote.

    Pse kaq mjeran e dine kete popull keta ?

    Kaq keq dhe te pashprese qenkemi ne si komb ?

    Kaq lehte mund te fitoje injoranca dhe neneshtrimi mbi qytatarine ?

  4. v says:

    Moza, jam me ty. Po sic e di dy rruge jane:
    1. Ajo rradikalja me dhimbje te forta, por qe duhet te jemi te gatshem ti durojme
    2. Ajo e ‘kadifejta’, me dhimbje te buta por pa fund…..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje