Të gjitha arsyet e listuara prej Gjykatës Kushtetuese, me qëllim përligjjen e saj për të qëndruar jashtë kontrollit të vendimmarrjes gjyqësore për të drejtën për një proces të rregullt ligjor, në të vërtetë të bindin për të kundërtën. Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ankesën e individit në kuptim të nenit 131, shkronja “f” të Kushtetutës, nuk mund të kufizohet nga paapelueshmëria e vendimit të Kolegjit Zgjedhor
Dimensioni që kanë marrë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut ka shërbyer për t’i dhënë një hapësirë më të gjerë mbrojtjes së tyre përpara gjykatave kushtetuese, duke e bërë në të njëjtën kohë, shqyrtimin e ankimit individual si një funksion kryesor të gjykimit kushtetues. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore është një funksion i rëndësishëm i shumicës së gjykatave kushtetuese. Roli i organit që realizon drejtësinë kushtetuese konsiston në faktin se në përmbushje të funksioneve të veta, duhet të jetë i aftë, që me pushtetin kushtetues që zotëron, të arrijë të pengojë autoritetet shtetërore në cenimin që mund tu bëjnë të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve. Qëndrimet e mbajtura së fundmi nga Gjykata Kushtetuese, por që i kanë dhënë një tjetër qasje standardit të procesit të rregullt ligjor, duke devijuar nga jurisprudenca e konsoliduar kushtetuese dhe ajo konventore, është arsyeja kryesore për të vënë në pah mos-dakordësinë me zgjidhje të kësaj natyre. Deri më tash, qenia i vetëpërmbajtur në dhënien e opinioneve mbi vendimmarrjen kushtetuese ka qenë e kushtëzuar për shkak edhe të angazhimit tim për një kohë të gjatë si pjesë përbërëse e kësaj trupe gjyqësore. Duke e analizuar vendimmarrjen kushtetuese nga këndvështrimi i një studiuesi të çështjeve të drejtësisë kushtetuese, por i nxitur njëkohësisht edhe nga disa qëndrime të kohëve të fundit, profesionalisht dëshpëruese, nuk do të ngurroj të shpreh keqardhje e mospajtim me to.
Dy janë çështjet tek të cilat dua të ndalem për të nisur një dialog me gjyqtarët kushtetues:
Moslegjitimimi i subjektit zgjedhor për të kërkuar kontrollin kushtetues të vendimmarrjes së Kuvendit për ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, si dhe Përjashtimi nga juridiksioni kushtetues i verifikimit të standardit të procesit të rregullt ligjor ndaj vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese në 20 vite të funksionimit të saj ka konsoliduar qëndrimin, sipas të cilit, çdo organ i pushtetit publik, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij kushtetuese e ligjore, detyrohet të respektojë standardet e gjithëpranuara demokratike që lidhen me procesin e rregullt dhe se ankimi kushtetues, për shkeljen e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, nuk është kufizuar për asnjë subjekt, përfshirë këtu edhe personat juridikë publikë. Tashmë me qëndrimet e mbajtura, ky koncept i përket arkivës historike të drejtësisë kushtetuese.
Kuvendi
Me gjithë rëndësinë thelbësore që ka për procesin zgjedhor vendimmarrja e Kuvendit për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga njëra anë, në parimin e barazisë së votës dhe të barazisë së konkurrimit në zgjedhje ndërmjet subjekteve zgjedhore dhe, nga ana tjetër, edhe në vetë legjitimitetin e zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 35 datë 07.03.2013 e ka mbyllur përfundimisht këtë çështje. Ajo nuk ka pranuar të legjitimojë subjektin zgjedhor kërkues për të verifikuar kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për të vlerësuar nëse i ka respektuar parimet procedurale në atë masë, që siguron respektimin e të drejtës për një proces të rregullt, në kuptimin kushtetues. Respektimi i këtyre parimeve janë garanci kushtetuese substanciale, që çdo subjekt zgjedhor i gëzon për të legjitimuar veten, me qëllim nisjen e gjykimit kushtetues për të kontrolluar procedurat parlamentare.
Kolegji Zgjedhor
Ndërkohë, një tjetër vendimmarrje kushtetuese, e konfirmuar me vendimin nr. 53, datë 07.05.2013 të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nga lloji dhe natyra e vendimit, ka krijuar një çoroditje teorike dhe praktike për standardin e procesit të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese duket se ka konfonduar kompetencën e saj thelbësore për të shqyrtuar ankesën e individit lidhur me pretendimin për një proces të rregullt ligjor, me kompetencën tjetër të saj për të vlerësuar në substancë kushtetutshmërinë e çështjeve që lidhen me zgjedhshmërinë e Presidentit të Republikës, të deputetëve, si dhe me papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të tyre. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë nxjerrë përfundimisht jashtë juridiksionit kushtetues kontrollin për respektimin e standardit të procesit të rregullt ligjor ndaj vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Arsyet e një qëndrimi të tillë, Gjykata Kushtetuese i bazon në paapelueshmërinë, që Kodi Zgjedhor parashikon për vendimin e formës së prerë të Kolegjit Zgjedhor, në detyrimin që qëndron mbi Kolegjin Zgjedhor për të verifikuar respektimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, në tejzgjatjen e kohës që do të duhej për të nxjerr rezultatin zgjedhor, si rrjedhojë e ushtrimit të ankimit kushtetues, si dhe në vullnetin e kushtetutëbërësit për të përjashtuar kontrollin mbi zgjedhjet vendore nga juridiksioni kushtetues.
Të gjitha arsyet e listuara prej Gjykatës Kushtetuese, me qëllim përligjjen e saj për të qëndruar jashtë kontrollit të vendimmarrjes gjyqësore për të drejtën për një proces të rregullt ligjor, në të vërtetë të bindin për të kundërtën. Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ankesën e individit në kuptim të nenit 131, shkronja “f” të Kushtetutës, nuk mund të kufizohet nga paapelueshmëria e vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Një vendim gjyqësor kërkohet domosdoshmërisht të jetë i formës së prerë dhe i paapelueshëm për të argumentuar shterimin e mjeteve ligjore, i cili përbën një kusht thelbësor për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Qoftë subjekti politik, ashtu si edhe çdo individ nuk pengohen të iniciojnë një gjykim kushtetues, me pretendimin për cenimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, pasi kanë shteruar para gjykatave të zakonshme të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e kësaj të drejte. Çështja e shterimit të mjeteve juridike përbën një kusht paraprak që duhet përmbushur nga kërkuesi, pasi kontrolli i ushtruar nga kjo Gjykatë, përfshirë edhe rastet e shkeljes së të drejtave të individit nga një proces i parregullt ligjor, është një kontroll subsidiar. Shterimi i mjeteve juridike detyron ankuesin të shfrytëzojë në rrugë normale mjetet juridike, të cilat janë të përshtatshme, të disponueshme dhe efikase për një çështje konkrete. Shterimi i këtij mjeti ligjor para Gjykatës Kushtetuese bëhet i domosdoshëm për individin edhe për shkak të vijimit të mëtejshëm të ankimit të tij në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Pra, shterimi i mjeteve juridike nuk do të kishte kuptim pa u konsideruar më parë një vendim gjyqësor i paapelueshëm dhe pa e marrë formën e prerë. Këto janë kushte të domosdoshme për të përdorur ankimin kushtetues për një proces të rregullt ligjor në kuptim të nenit 131, shkronja “f” të Kushtetutës. Mënyra e formulimit të kësaj dispozite kushtetuese, që kërkon paraprakisht shterimin e mjeteve juridike për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, nuk e shmang kontrollin kushtetues mbi asnjë vendim gjyqësor, qoftë edhe vendim i Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Të konkludosh dhe, për më tepër, të kërkosh të zgjidhësh në mënyrë përfundimtare juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet mos lejimit të ushtrimit të ankimit kushtetues ndaj vendimeve gjyqësore, për cenimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe, për më tepër, duke ndryshuar tërësisht jurisprudencën e mëparshme, pa arsyetuar mbi shkaqet e këtij ndryshimi, nuk e mendoj si një zgjidhje të drejtë, por si një devijim të paarsyeshëm nga standardet evropiane të gjykimit kushtetues, të cilat e dëmtojnë imazhin e këtij autoriteti të lartë.
Prirja për ta orientuar Gjykatën Kushtetuese në një pozicion që nuk konfondohet me shkallët e tjera të gjykimit, por që nxjerr në pah, nëpërmjet kontrollit të kushtetutshmërisë së vendimeve gjyqësore, vetëm problemet esenciale që prekin procesin e rregullt ligjor, është ndjerë vazhdimisht në praktikën e saj. Gjykata Kushtetuese ka pranuar se kontrolli që ushtron ndaj vendimeve gjyqësore është i kufizuar vetëm në funksion të mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të çdo individi për një proces të rregullt ligjor. Sa herë individi ka shfrytëzuar të drejtën për t’iu drejtuar asaj Gjykate, në kuptim të nenit 131, shkronja “f” të Kushtetutës, prirja ka qenë e orientuar nga pretendimi për parregullsinë e gjykimit të zakonshëm. Në këtë vështrim, Gjykata Kushtetuese mund të vlerësojë mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit që, në parim, u takon gjykatave të sistemit të zakonshëm, vetëm nëse përmes këtij procesi janë cenuar të drejtat kushtetuese të individit për një proces të rregullt ligjor. Në këto raste, Gjykata analizon ligjin, faktin dhe rrethanën përkatëse në atë dimension që ka ndikim mbi të drejtat dhe liritë e parashikuara nga neni 42 i Kushtetutës, gjë që përbën juridiksionin e saj kushtetues. Detyra e Gjykatës Kushtetuese nuk është zgjidhja e një çështjeje konkrete, por identifikimi i fakteve të natyrës kushtetuese, të cilat shërbejnë për realizimin e kompetencave të saj. Nga qëndrimi i mbajtur në vijimësi në jurisprudencën kushtetuese, vihet re se Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur synim kryesor vënien e detyrave për gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, por të krijojë dhe të konkludojë një praktikë sa më të konsoliduar, për t’i dhënë kuptimin kushtetues të drejtës së individit për një proces të rregullt ligjor. Në këtë mënyrë, jurisprudenca kushtetuese ka arritur të orientohet drejt duke shmangur dhe konfondimet me gjykimin e zakonshëm.
Jurisprudenca kushtetuese e ka analizuar procesin e rregullt ligjor si një parim thelbësor kushtetues, duke e identifikuar atë me konceptet e gjykimit të drejtë, që nuk nënkupton vetëm procesin gjyqësor. Sigurisht që nëpërmjet procesit të rregullt ligjor kontrollohen më shumë procedurat e rregullta gjyqësore, por jashtë këtij parimi kushtetues nuk kanë mbetur as procedurat e tjera. Gjykata Kushtetuese nuk ka qenë e rezervuar të analizojë procesin e rregullt ligjor vetëm në procedurat gjyqësore, por ka konkluduar për zbatueshmërinë e tij edhe në procedurat quazi-gjyqësore, administrative e deri në procedurat parlamentare. Cenimin e kësaj të drejte themelore, jurisprudenca kushtetuese e ka identifikuar në çdo rast, si shkelje të Kushtetutës, pavarësisht nga natyra e procesit.
Tashmë me vendimmarrjen e fundit dhe me efekte erga omnes, Gjykata Kushtetuese përjashton vendimin gjyqësor të formës së prerë të Kolegjit Zgjedhor nga juridiksioni i saj, duke injoruar kompetencën, që asaj i rrjedh drejtpërdrejtë nga shkronja “f” e nenit 131 të Kushtetutës. Duke mos dalluar kërkesën për respektimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor në çdo lloj procedure të natyrës administrative, parlamentare apo gjyqësore, nga gjykimi që Gjykata Kushtetuese i bën në thelb çështjes së zgjedhshmërisë ose të papajtueshmërisë së ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës, të deputetëve dhe verifikimit të zgjedhjes së tyre, si dhe duke shmangur jurisprudencën që vetë Gjykata Kushtetuese, nën dritën e jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut ka krijuar në vite, sigurisht që edhe qëndrimet e mbajtura do të ndikojnë në legjitimitetin e këtij institucioni kushtetues.
*Rektor i Universitetit Luarasi, ish-gjykatës kushtetues