Rritja e përfitimeve sociale nuk përballon shtrenjtimin e jetesës

11 Qershor 2013, 19:06Blog TEMA
Rritja e përfitimeve sociale nuk përballon shtrenjtimin e jetesës

Çdo rritje përfitimesh deri në 5 % që mund të bëhet nga qeveria në ditët në vijim, nuk do të mjaftojë për kompensuar shtrenjtimin e ushqimeve.

Nga Ilir Beqja

Para disa ditësh u bënë publike të dhënat për papunësinë në tremujorin e parë 2013. Seria kohore e publikuar fillon që nga tremujori i parë 2013. Përveç papunësisë, ka edhe të dhëna mujore për pagën minimale në shkallë vendi, pagesën e përfitimit të papunësisë dhe të ndihmës ekonomike.

Të dhënat lejojnë të bëhet një krahasim 4 vjeçar. Shihni krahasimin në tabelën 1.

Kështu, në 4 vjet, paga minimale në shkallë vendi (e detyrueshme për t’u paguar nga çdo punëdhënës) është rritur me 24%, pagesa e papunësisë është rritur me 15%, ndërsa ndihma ekonomike është rritur me vetëm 8%.

Me pagesë papunësie janë rreth 8.350 persona (8.230 kanë qenë edhe para 4 vjetësh), ndërsa me ndihmë ekonomike jetojnë rreth 100 mijë familje (94 mijë kanë qenë para 4 vjetësh).

Së pari, bie në sy se sa më i vogël të jetë përfitimi, aq më e vogël është rritja e përbashkët në 4 vjet.

Së dyti, pikërisht për përfitimet e shtresave më në nevojë, për përfitime jetike, rritja 4 vjeçare është jashtëzakonisht e vogël. Madje rezulton më e vogël edhe se vetë shtrenjtimi i jetesës në 4 vjet. Në matjen e shtrenjtimit të jetesës përfshihen disa grupe bazë mallrash dhe shërbimesh jetikë, por për shtresa në nevojë që luftojnë për mbijetesë shtrenjtimi i ushqimeve është vështirësia kryesore në përballimin e jetesës.

Në grafikun 1 në vijim është pasqyruar shtrenjtimi i përgjithshëm i jetesës në 4 vitet 2009 – 2012 si dhe shtrenjtimi i ushqimeve.

Ilustrimi grafik na tregon se ushqimet janë shtrenjtuar më shumë se mallra dhe shërbime të tjerë jetikë. Në të katër vitet së bashku, jetesa është shtrenjtuar, sipas të dhënave zyrtare me 12% (tregues ky shumë i dyshimtë), ndërsa vetëm ushqimet janë shtrenjtuar me 18%. Pra, rritja e përfitimeve sociale në 4 vite 2009– 2012 rezulton më e ulët se shtrenjtimi i ushqimeve. Kjo provon që familjet që jetojnë me këto përfitime të jetojnë më keq se 4 vjet më parë.

Shtrenjtimi i ushqimeve ka vijuar edhe në vitin 2013. Në 5 muajt e parë 2013, shtrenjtimi mesatar mujor i ushqimeve është 5,2% siç ilustrohet edhe në grafikun 2.

Çdo rritje përfitimesh deri në 5% që mund të bëhet nga qeveria në ditët në vijim, nuk do të mjaftojë për kompensuar shtrenjtimin e ushqimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje