Fushatat elektorale janë, përveç të tjerash, tempull i gënjeshtrës. Ndaj, këto ditë të nxehta qershori mund të shihen si një pelegrinazh, si një marshim kuturu i ithtarëve të gënjeshtrës drejt vendit të tyre të shenjtë, pra politikës. Edhe në këtë tempull, politikanët kanë siguruar një vend në rresht të parë. Gënjeshtrat që dëgjojmë në kohë zgjedhjesh valëviten më shëmtuar se sa flamujt e partive që kanë zaptuar çdo shtyllë e që kanë nxirë çdo faqe muri. Ato janë më të gjata se sa ato mijëra kilometra rrugë të ndërtuara, ecin më shpejt se sa një avion reaktiv dhe çdo përpjekje për t’i vrarë, vetëm sa i rilind ato në forma të tjera.
Gënjejnë politikanët. Këto ditë më shumë se sa kurdoherë tjetër, si një pinok që nuk i rritet kurrë hunda. Duke qenë se politika ka krijuar me qytetarin një raport prodhues – konsumues, atëherë gama e gënjeshtrave është e tillë që të përmbushë çdo kërkesë; që nga ato më banalet e deri tek ato me butaforiket, a fantazmagoriket po të doni. E tillë është fushata. Si një kartë krediti e palimituar (ku borxh i merret vetëm të vërtetës e integritetit), ajo bën realitet çdo ëndërr e dëshirë. Çorba e prishur e politikës ngop me lugën bosh të premtimeve stomakët e kequshqyer të njerëzve. Më shumë se sa kurrë, në këto ditë fushate, politikanët veshin kostumin e super-heronjve. Sillen si të jenë shpëtimtarë të rënë nga qielli. Të gjitha do të bëhen: autostrada Tiranë- Elbasan si dhe ajo Shqipëri– Hënë, energji elektrike apo atomike, mbjellje ullinjsh apo bukë e rënë nga qielli, parqe në mes të betonit apo beton në mes të detit, liberalizim vizash jo vetëm me Amerikën, por edhe me jashtëtokësorët, gjithçka do të jetë realitet në 24 qershor. Madje po të doni, 24 qershori, këtë vit, mund të vijë edhe një javë përpara.
Gënjejnë mediat. Veçanërisht televizionet. Ato jo vetëm që po i devijojnë qëllimit të tyre primar, pra informimit të drejtë dhe të paanshëm të publikut, por po shkojnë më larg se sa kaq, duke e shpërfillur krejt këtë qëllim. Edhe në këtë fushatë, televizionet do të pranojnë të paraqesin për lajm, kasetat e para-përgatitura nga studiot e partive. Pra, në vend të informimit të drejtë mbi ngjarjet, do të shohim filma me metrazh të shkurtër, ku protagonisti do të paraqesë atë që do. Të kuruar në çdo detaj, me njerëzit lum që do të shfaqen të zhgënjyer me njërin e shpresëplotë për tjetrin, kasetat e partive që do të shfaqen në edicionet e lajmeve, do të jenë më të trukuar se edhe videoklipet e këngëtarëve të BBF-së.
Gënjejnë edhe analistët që mbijnë ekraneve çdo ditë e që bredhin studio më studio si një cirk shëtitës. Veçse në këtë rast gënjeshtra është e kamufluar. Ajo vesh kostumin e opinionistit të pavarur, i cili “të vërtetën” e transformon dhe e tjetërson sipas dëshirës duke harruar apo shtrembëruar faktet, duke thënë gjysmë të vërteta, e duke bërë kështu shpëlarje truri, por që në gjuhën e tyre njihet si mbrojtje e interesit publik.
Gënjejmë edhe ne. Të tjerët po aq sa edhe veten. Ndryshe gënjeshtra nuk do të kishte kuptim. Madje ajo nuk do të ekzistonte nëse ne, si qytetarë, nuk do ta besonim, pranonim, përvetësonim. Raporti ynë me politikanët ka qenë shpeshherë si raporti i viktimës që do xhelatin e vet. E thënë më ndryshe, në gjuhën e turbo-folkut, politikanët na këndojnë çdo fushatë hitin “të ka lali shpirt, të ka lali xhan”, ndërkohe që ne, si publik, i përgjigjemi më fjalët e së njëjtës këngëtare, duke i thënë “gënjemë ndonjëherë, por thuaj që të dua, dhe ta besoj”. Në kohë fushatash, duket sikur jemi në efektin e një anestezie totale. Pra, edhe pse jemi tërësisht të mpirë, ndjejmë një lloj kënaqësie gënjeshtare ndërsa na premtojnë të nesërmen e ëndrrave e nuk i gjykojmë asfare që na kanë dhuruar të djeshmen e makthit.
Në këtë festival gënjeshtrash, patjetër që ka njerëz “profanë” të cilët e duan të vërtetën. Ka edhe nga ata që e thonë të vërtetën. Por ta dëgjosh atë është njësoj si të përpiqesh të dëgjosh zërin melodioz të një violine që mbytet nga zhurmat shurdhuese të trombave gënjeshtare.
Prandaj, të thuash të vërtetën, sikur edhe një grimcë të saj, është akt revolucionar.
E mor cun ska thene kot Jovan Bregu: edhe genjejme nga nje cik edhe na genjejne nga nje cik
Politika ne thelb te vet permban 9 mashtrime dhe nje te vertete. Kollona e saj vertebrale ,duke qene prodhimtare e pasurise, jane fushatat parlamentare,sepse n.q.se politika eshte burim pushteti ,ky i fundit eshrte burim i Pasurise!
Jo te gjitheve u pelqen t’i genjejne ! Shumica e pertypin ne heshtje dhe me gjysem zeri ate ,disa i perulen ,bile dhe i servilosen genjeshtres sepse nepermjet saj jane pasuruar! Ka edhe nga ATA QE tashme thone :Boll na kane genjyer dhe mashtruar ! Cohu popull dhe tregoju vendin mashtruaesve dhe manipuluesve pa skrupuj ! Boll u lodhem dhe u rraskapitem me parrulla bajate ,votoni ju se fitoj une ! Po behen te padurueshme sulmet ndaj liderve respektiv ,aq sa po na merzisin teper !Zoterinj te masmedias ,mos u beni vegla qorre te politikaneve pa sens ,mos humbni vlerat civile dhe qytetare ,mos neperkembni pavaresine dhe drejtesine shoqerore !Ju zoterinj analiste te mirepaguar dhe si shetites endacaKE ,NA JENI KTHYER SI “PJESTARE TE FAMILJEVE” dhe gradualisht po beheni si te paduruar!Jeni per te thene me keqardhje ne teresi si shume servile dhe po humbni teper dinjitet!
Parrulla :”Genje,genje se ne fund dicka mbetet po triumfon!”
Ke te drejte Vis na ginjeu Erjon Bracja sa ti dhe une nuk besojme me.