A ka demokraci në Shqipëri?

20 Qershor 2013, 19:42Blog TEMA

Nga Ndue Ukaj

 

Në pjesën e dytë të muajit qershor, janë rritur temperaturat në Shqipërinë e trazuar politike, ku zagushia elektorale mezi i le njerëzit të marrin frymë lirisht. Për dikë, këto temperatura ishin të mirëseardhura, e sidomos për ata që i kanë punët mirë me financa dhe duan t’ia mësyjnë plazheve të bukura të Shqipërisë. Mirëpo, ajo që i shqetëson shqiptarët në përgjithësi, është rritja e temperaturave politike, në prag të fundit të një fushate zgjedhore, që u karakterizua me ulërima, britma, gërvallje, dhe me shumë pak ide të shëndosha për çështje fondamentale. Nga ajo që kemi pa e dëgjua, një gjë mund të pohohet me siguri: shqiptarët nuk e kuptuan si Shqipëria mund të bëhet si krejt Europa, një shtet me lirë e drejtësi të plotë dhe i aftë të funksionoj pa ndërhyrje të jashtme. E thënë thjesht, një Shqipëri e shkëputur nga njëmendësia politike e kulturore e së kaluarës. Dilemat e kahershme, vazhdojnë të rrinë pezull mbi jetën shqiptare, pa gjetur mundësi qartësimi. Shqiptarët as nga kjo fushatë, s’morën një përgjigje adekuate për të ardhmen e shtetit të tyre. Në anën tjetër, një gjë u vërtetua qartë: Shqipëria vazhdon avazin e keq me zgjedhje. Në këtë vend, janë ngrit lart dhe fort flamujt partiak dhe i kanë zanë frymën atij kombëtar. Nga kjo, dobi kanë vetëm partitë dhe militantët e tyre. E në gjithë këtë holli, të brengos fakti, ngase në horizont askund s’duken shkëndija shpresëdhënëse.

Në Shqipëri, termometri i matjes së nivelit të demokracisë, i etikës politik dhe mungesa e një higjiene gjuhësore politike, i ka tejkaluar gjitha përmasat normale të lejueshme për një garë elektorale. Këtë e themi, gjithnjë nëse barometër e kemi kontekstin kulturor e qytetërues ku graviton Shqipëria dhe s’bëjmë krahasime me vende tjera.

Për mendimin tim, Shqipëria edhe kësaj here e humbi betejën për një fushatë humane politike. Ajo kishte nevojë për një fushatë humane dhe të qetë, e jo për një fushatë të ashpër, të pështirë, pa ide tw shëndosha dhe larg praktikave demokratike perëndimor. Natyrisht, faji më i madh bie mbi partitë, mirëpo nga përgjegjësia s’mund të amnistohet as media zhurmshme dhe inteligjencia e përgjumur. Ndonëse ka kohë prej kur Shqipëria ka kalua në një sistem demokratik, pas dekadave mbyllje, ka mbajtur disa palë zgjedhje, ka përjetuar rotacion pushteti, demokracia ende vazhdon të jetë e brishtë. Kjo gjendje, i ka degdisur shqiptarët në një situatë të pashpresë politike për një të ardhme më të ndritshme. Është krijuar përshtypja se qytetarët shqiptarë janë pajtuar me të jetuarit në tranzicion. Pikërisht për këtë, qytetarët kanë dy zgjedhje, o të mbrojnë dinjitetin e tyre dhe të mbesin jashtë dhe asaj o t’iu bashkohen turmave dhe të bëhen militantë partiak, të ngrehin flamujt e partive, për të realizuar në siglën e tyre ambiciet e tyre njerëzore. Kjo situatë, e depersonalizon njeriun dhe e bën instrument të konjukturave politike, të përdorshëm skajshmërisht.

Ai që lexon dhe e vrojton paanshëm jetën politike në Shqipëri, i duket sikur ky vend po mban për herë të parë zgjedhje të lira, edhe pse vendi  ka hyrë në dekadën e tretë prej kur formalisht jeton me një sistem të lirë e demokratik.

Qytetarët e Shqipërisë, por edhe shqiptarët tjerë që i kanë sytë ka Shqipëria dhe prej ku presin të mësojnë më shumë për demokracinë dhe shtetin, gjatë kësaj fushate, panë shumë sharje, ulërima, gërvallje, përbaltje të kundërshtarit, pa asnjë parim human e etik. E gjithë kjo, i jep kësaj fushate një pamje të egër. Kjo të bën të mendosh se aty nuk mbahen zgjedhje të lira, për të krijuar institucione publike, por luftohet për jetë a vdekje. Kjo luftë, makiaveliste s’i duhet Shqipërisë e as shqiptarëve tjerë. Për ma tepër, kjo s’është demokracia dhe qëllimi i zgjedhjeve të lira. Një fushatë e tillë elektorale, s’ka sesi të premtoj e garantoj institucione të përgjegjshme e të ndërgjegjshme. Një politik e tillë, s’ka sesi ta lumturon një popull të shumëvuajtur.

Është pritur nga këto zgjedhje, që të depolitizohen shqiptarët. Në fakt kjo s’ndodhi. Përkundrazi, kulti i liderit u sforcua. Plaku që qeveris, u zotua se s’do të shkoi në pension edhe nëse humb, ndërkohë që i riu i opozitës ka shumë vite përpara. Kjo ju ka rritur shpresat militantëve të dalldisur. Partitë tjera, njëherë janë të papërfillshme për t’i dhanë një impakt domethënës vendit. Kjo pamje, të sjell deri te një përfundim i keq: Shqipëria po rrezikon të humb edhe njëherë shansin të depolitizohet dhe të krijoi një normalitet të munguar, që i ka kushtuar shumë vendit dhe të ardhme së tij europiane.

Nuk mund të ketë demokraci në një shoqëri, ku fushatat bëhen me akuza e përbaltje të kundërshtarit politik. Nuk mund të ketë demokraci aty ku pozita e opozita, të vetmin adut që kanë për t’i mashtruar qytetarët, është etiketimi i tjetrit si gogoli i vendit dhe prishës i lumturisë që realisht s’ekziston.

Ne, shqiptarët që jetojmë jashtë shtetit amë, edhe njëherë humbëm shansin të shohin një model të mirë politik, që ta përvetësonim. Ne, kishim nevojë të lexonim, shihnim dhe të dëgjonim diçka ndryshe. Megjithatë, urojmë që fundi i kësaj drame zgjedhore, të shkaktoi katharsis të domosdoshëm për shqiptarët. Vetëm një katharsis i tillë s’do të shtrojë më pyetje, a ka demokraci në Shqipëri?

2 komente në “A ka demokraci në Shqipëri?”

  1. Jozefina asht me JU! says:

    Or ti Ndue,
    Po ka si nuk ka or ti shoc????!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2013/03/bishti-i-qenit.html

  2. trasparenca says:

    Shushunjat komuniste te mesuara me qylet e pushtetit,pjellat e tyre dhe spiunet jane ne front te pare qe urejne dhe sabotojne demokracine ne Shqiperi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje