4 vjet janë pak, 8 janë mjaftueshëm, 12 janë katastrofë!

19 Qershor 2013, 19:53Blog TEMA

Nga Altin Ketro

 

Kryeministri Berisha është në kërkim të një mandati të tretë qeverisës. Përtej viteve të gjata në politikë, si rrallëkush në llojin e tij që hyri furishëm në fillim vitet ’90 për të shembur regjimet komuniste, Sali Berisha nuk është velur ende nga pushteti dhe objektivi për të qëndruar në krye të punëve sa të ketë frymë.

Viti 2005, vit në të cilin ai erdhi në pushtetin ekzekutiv, ishte viti kur socialistët kishin konsumuar 8 vite rresht të një qeverisjeje që e nisën nga niveli zero, aty ku ua kish lënë ish Presidenti Berisha. Qenë vite me të vërtetë të vështira, vite të vendimmarrjeve të mëdha, ku shteti, në të gjithë komponentët e tij qe rrëzuar.

Megjithatë, kjo nuk ua justifikonte qeverive socialiste që ato plagë të cilat duhet t’i kishin mbyllur gjatë 4 viteve të para, të vijonin t’i linin hapur edhe gjatë mandatit të dytë.

Për këtë shkak, vendi kishte nevojë për rrotacion politik, me qëllim që gjithë shteti të shkundej e të vihej në binarët e punës e të ligjit.

Pavarësisht figurës së mbrapshtë që mbarte Sali Berisha, mandati i dytë e socialistëve ia kishte fashitur njerëzve këtë imazh, duke i dhënë atij një mundësi të re.

Por, Sali Berisha nuk e shfrytëzoi këtë rast të artë që ta kuronte imazhin e keq të tij të viteve ’92 – ’97. E nisi fillimisht mbarë me disa aksione të fuqishme antikrim e antikorrupsion. Filloi të menaxhojë të ardhurat për shtetin dhe pati njëfarë ngritje të ekonomisë që zakonisht ndodh sa herë ka rrotacion politik.

Me kalimin e muajve, edhe vetë Sali Berisha, ai që erdhi në pushtet me sloganin e “Duarve të Pastra”, i mikluar nga paraja që të sjell fuqia e pushtetit, u bë palë me të keqen, bile u vu familjarisht në krye të saj.

Një sërë ngjarjesh të njëpasnjëshme shoqëruan qeverisjen e tij të parë, ku më e rënda qe tragjedia e Gërdecit. E megjithatë, Sali Berisha përdori inaugurimin e Rrugës së Kombit dhe anëtarësimin në NATO si propagandë elektorale për të shfokusuar dështimet në fushat e tjera. Duke bërë edhe manovra manipulimi të llojit “Rruzhdie” arriti të “fitojë” një mandat të dytë qeverisës.

Mandati i dytë të jep mundësinë që të përmirësosh shumë nga mangësitë e krijuara gjatë mandatit të parë. Dhe, edhe nëse s’i realizon plotësisht, të paktën hedh themelet për t’i ngritur. Jo vetëm që s’bëri asgjë për të përmirësuar situata problematike në shumë sektorë të rëndësishëm, por edhe ato që ishin në rrugë të mbarë, ose i la përgjysëm ose hoqi dorë fare.

Sali Berisha nuk e shfrytëzoi thënien popullore: “Më lini të bëhem edhe një herë nuse, pa di unë si nusëroj”. Ai ra përsëri në atë batak që ishte mësuar të notonte. Qeverisja e dytë qe edhe më e keqe. U rrit më shumë varfëria, papunësia, korrupsioni, tarafllëku, monopolet, klientelizmi, kriminaliteti, mungesa e perspektivës, e kështu me radhë. Arroganca shkoi përtej limiteve derisa shteti shtiu ndaj shtetasve të vetë.

Tashmë që është në fund të mandatit të dytë, kryeministri kujtohet se s’ka bërë aq sa duhet për t’u ardhur në ndihmë shtresave të ndryshme të shoqërisë. Po sheh se zhvillimi për të kanë qenë vetëm rrugët (që skadencën e kanë brenda 2 vjetësh), ndërkohë që sektorë të tjerë parësorë lëngojnë nga të lënurit në mëshirë të fatit.

I kapur nga paniku i humbjes, nuk po lë pa përvetësuar pika të programit të Rilindjes (që socialistët kanë afro një vit që po ua shpalosin shqiptarëve) dhe mundohet që nëpërmjet politikës së faktit të kryer, t’i vërë në zbatim ato si alternativa të tij.

Por, një kryeministri që s’i mjaftuan 8 vjet për të gjeneruar ide të reja zhvillimi në sektorë të tjerë të qëndrueshëm si prodhimi, bujqësia, turizmi, etj., s’mund t’i dalin 30 e kusur ditë që mbart fushata elektorale për të dhënë premtime në erë.

Nëse 4 vjet janë pak për të vënë në jetë ato çka një qeveri ka në programin e saj, 8 vjet janë të mjaftueshëm për të treguar se çfarë ke mundësi të bësh dhe çfarë perspektive i ke dhënë vendit. Por, kur për shkak të paaftësisë dhe mungesës së vizionit as 8 vjet s’të mjaftojnë, mandati i tretë është një katastrofë e vërtetë për vendin e shoqërinë dhe humbje e jashtëzakonshme kohe për çdo qytetar. Janë vite që ikin e s’kthen më dhe brezat e rinj, gjeneratat e reja të këtij vendi, s’ia ka për borxh të bëhen pjesë e planeve dështake të një katragjyshi, axhenda e të cilit është e kundërt me aspiratat e tyre.

7 komente në “4 vjet janë pak, 8 janë mjaftueshëm, 12 janë katastrofë!”

  1. Malvin E. says:

    Qeveria e PD eshte ne turp e katastrofe e nivelit kombetar. Njerezit jane duke humbur te ardhdmen e disa edhe jeten prej papergjegjshmerise Muliane qe i karakterizon hajdutet blu. Duhet nderruar sa me pare, ndryshe vendi do vazhdoje rreshkitjen masive drejt nje honi si 1997. Po kete here e kemi vete ne dore, per 5 dite, ti themi MJAFT ketyre maskarenjve

    1. halimi says:

      Shqiperia duhet ta marre nje ore e me pare mundesine e ofruar nga zgjedhjet e dates 23. I duhet rotacioni dhe Rilindja, ndryshe keto shushunja qe i jane ngjitur per gryke shtetit dhe qe njihen te gjithe bashke nen emrin Berisha, do tia marrin frymen aq sa nuk do te kete me shtet.

      1. OLTI says:

        12 vjet per Berishen tani, pas 17 viteve ne krye te nje shteti me paterica, te mbaruar e te lodhur si lideri i PD – kjo do te ishte nje arsye per te larguar cdo shprese e mundesi nga ky popull. Po shpresa eshte gjalle sic duket nga te gjithe mitingjet e PS dhe besoj se ne 23 qershor do te fitoje Rilindja, per te gjithe ne!

    2. Skypion says:

      Nje shkrim qe te ngjall meshire (per nga niveli) ,por qe gjithsesi ia vlen ta komentosh,pikerisht per te kunderten qe eshte aq lehte per t’u provuar. Edhe nje nxenes shkolle e di qe ne PARIM rrotacioni eshte nje gje qe e mire dhe qe ndodh vetem ne demokraci.Po askush nuk mund te thote se kur duhet te ndodhe,e aq me fanatiket partiake, pervec ligjit dhe kushtetutes. Dhe sot per sot nuk ka ligj qe kufizon mandatin qeverises.Pike.
      Tani vijme tek arsyet se pse NUK MUND dhe NUK DUHET te kete rotacion kete radhe,ka shume por une po zgjedh nja dy a tri. E para,Shqiperia nuk ra ne Recension per shkak te disa politikave,sidomos asaj te takses se sheshte.E dyta,niveli i pergjithshemi jeteses se shqiptareve eshte rritur ,aq sa kemi dale nga vendet e varfera,ku rreshtoheshim deri para pak vitesh.E treta, eshte hera e pare ne historine e Shqiperise qe rezultatet e nje qeverisjeje jane te dukshme ,shume te dukshme,pra rruget. Nga vendi me rrjetin afrikan rrugor qe trasheguam nga Partia e Punes se Shqiperise dhe pasardhesja e saj PS-ja(ne 8 vjet vjedhje-qeverisje), sot ,te pakten ne udhetim ne rruge ndjehemi me evropiane.Anetaresimi ne NATO,heqja e vizave, edhe statusi i vendit kandidat do te merrej patjeter nese Edi Rama do te ishte pro tij.Por e pengoi zuzari antishqiptar.
      Nga ana tjeter,opozita e Edi Rames,eshte opozita me e dobet dhe pa alternativa qe ka njohur tranzicioni shqiptar.Programi i saj,eshte nje rremuje e vertete,qe edhe vete Edi Rama se merr vesh.Nuk ka asnje oferte serioze dhe racionale.Premtimet jane aq te bujshme sa edhe komunistet e Enver Hoxhes nuk do te premtonin kaq shume.Imagjinoni, edhe vete PD-ja dhe Berisha,te cilin e akuzojne se genjen, premton per 250.000 vende pune pra 50.000 me pak se Rama qe premton 300.000 vende pune !
      Akuzat qesharake qe gjoja e djathta i vidhka(!) programin Rames, behen edhe me qesharake,kur ato qe premton Berisha jane reforma dhe masa totalisht te djathta,pra eshte absurde qe nje parti e djathte ti vjedhe nje partie socialiste programin e saj…kur ky eshte i djathte !!
      Por edhe nje mandat i trete per Berishen eshte i domosdoshem,sepse,ne kohe krize boterore,dhe rajonale,e vetmja poltike qe mund t’i rezistoje krizes jane politikat e djathta,dhe jo ato te majta qe propozon Rama dhe qe shpien drejt humneres se sigurte. Shembulli per kete eshte Greqia e Papandreut(modelit te Rames) qe sapo erdhen te majtet ne pushtet vendi u zhyt perfundimisht ne krize totale.Keshtu ka ndodhu deri diku edhe me Francen dhe Italine. Eshte fakt.
      Prandaj,te gjitha ato qe thote Rama dhe socialistet jane thjeshte DEMAGOGJI e paster,qe shqip-shqip do te thote : rrena sa per te ardhur ne pushtet. Dhe te jeni te sigurte qe nese vjen (qe nuk vjen),nuk do te beje asgje nga ato qe thote,perkundrazi ,do te beje nje mutt te madh qe ta hane te gjithe ata trushpelaret qe e shohin si shpetimtar.

  2. e/ says:

    Do te ishte nje tmerr per shtetin dhe demokracine shqiptare qe te mos e kemi nderruar akoma liderin e pas komunizmit pas 23 vjetesh tranzicion. Pasi ka provuar gjate gjithe kesaj kohe se nuk e ndryshon dot Shqiperine ne menyre cilesore, Saliu meriton vetem brrylat e te gjithe votuesve!

  3. Ligor Luarasi says:

    KONKLUZION LOGJIK.

    Kushdo qe te jete ne qeverisje e shumta pas 8 vitesh, ai i ka deshmuar aftesite me te mira dhe dobesite qe ka.Do te thote qe me s’ka c’te jape me mire se 8 vitet qe drejtoi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje