Një ndër arsyet e plebishitit të qershorit, ishte nevoja për drejtësi. Demokracia është ‘paketë’ dhe pa drejtësi, qoftë vota e lirë, sipërmarrja, prona, ndarja e pushteteve, liria e individit etj, mbeten retorikë. Dhe nëse drejtësi, fillohet nga ‘koka’.
Shumë pak, shumë vonë
Nëse arritjet në sistemin e kaluar (që nuk justifikojnë kurrsesi abuzimin gjatë tij) u argumentuan si atribut i kohës (do të ndodhnin gjithsesi), kjo vlen dhe në demokraci. Në këtë rast merita apo abuzimi i i politikës është sesa, qëllimisht apo rastësisht, ia hap apo ia mbyll më tej ‘derën’ shansit historik jo thjesht duke e lënë kohën të bëjë të sajën por dhe duke e përshpejtuar atë.
Vota dhe fjala e lirë, NATO, liberalizimi i vizave, mundësitë për pasurim vetjak dhe pronësim etj janë shumë pak, shumë vonë dhe deri farsë (ushtri e NATO e intimiduar politikisht, prona në kaos perpetum, kosto e lartë e fjalës së lirë, pasiguri e pasurisë, ligji i kapur prej nepotizmit, habitati urban i degraduar nga lëvizja kaotike migratore etj). Ndryshe nga ish-kampi lindor, ‘demokracia’ jonë ka humbur sistematikisht shanset për integrim dhe zhvillim afatgjatë dhe çdo ‘arritje’ bart kosto ekstreme për qytetarin e thjeshtë të kapur në ‘morsën’ e tranzicionit pafund ndërkohë që qytetarët e ish-lindjes ndërtojnë jetën kudo.
Pa përjashtuar efektin e gjeopolitikës me zanafillë 1913, tersi mbetet brenda. Si askund në lindje, qëllimisht apo ‘rastësisht’, masivisht apo njëkohësisht, u shkatërrua gjithçka në emër të antikomunizmit, u krijua një ushtri e papunë pas ‘terapisë shok’, u fut prona në kaos, u zhbë administrata duke aplikuar nepotizëm politik, u ‘gropos’ kursimi i qytetarit në piramida klienteliste, u cenua vota dhe u çimentua korrupsioni elitar, u hapën depo armatimesh pafund, qindra- mijëra bunkerë u sfumuan nga qindra- mijëra ngrehina në geto ‘urbane’, u trajtua pasuria publike si plaçkë etj deformime të pashembullta për standardin demokratik.
Nga kjo perspektivë, klasa politike e tranzicionit dhe së fundi qeverisja e PD, duke humbur me dashje apo pa dashje kaq shpesh ‘trenin’ e historisë, la në ‘baltë’ aspiratat e Lëvizjes së Dhjetorit dhe çdo trumbetim për ‘arritje’, sesa aset politik, është dëshmi e pazotësisë apo e vonimit të qëllimshëm që i shkon për shtat vetëm axhendës antishqiptare në rajon. Nga tejzgjatja e integrimit europian, anëtarësimi i vonuar në NTO, cenimi i sovranitetit, prona jofunksionale etj.
Dilema për drejtësi është dilemë për demokraci
Demokracia nuk është garanci për mosabuzim, por garanci për ndëshkim. E para gjë që pritet nga rilindja është promovimi i kushteve për një drejtësi funksionale, të ‘verbër’ dhe imediate ndaj abuzimit politik pa dallim, pavarësisht nëse ajo vihet në lëvizje nga qeveria apo individi i thjeshtë. Kjo sepse:
(a) Paqtimi dhe kohezioni kombëtar i dëmtuar prej ndasive politike, nuk ngjizet duke toleruar abuzimin e politikanit por duke e ndëshkuar atë. Nëse ka një nevojë që bashkon, është ajo për drejtësi. Dhe në ka vend për amnisti, së pari duhet të ketë fajtorë.
(b) Rilindjes iu dha një shans në qershor sepse opozita denoncoi dhe premtoi drejtësi – Gërdeci, 21 janari, abuzimi elektoral, buxhetor, koncesionet klienteliste, intimidimi i administratës, pakti i ujërave, shndërrimi i vendit në ‘landfill’ të botës etj. Asnjë arsye gjeopolitike pro- shqiptare nuk mund të justifikojë tolerimin e abuzimit, sa kohë demonstrimi i shtetit ligjor është pritshmëri e vetë perëndimit zyrtar.
(c) Precedentët e ballafaqimit me drejtësinë nuk mungojnë, pavarësisht motivimit dhe degradimit përkatës – operacioni ‘Pelikan’, 2 prilli, gjyqi i ‘kafeve’ etj. Dhe haset kudo ku inspirohet dhe ndërtohet demokraci. Së fundi në Kroaci (jo rastësisht në BE).
(d) ‘Sot unë, nesër ti’ nuk duhet t’i referohet më detantës ‘më lër, të të lë’ (nëse analogji me detantën e luftës së ftohtë, ‘kërcënimi bërthamor’ në këtë rast është njohja reciproke e ‘pikës së dobët’ të tjetrit dhe shantazhi përkatës) dhe arkivimit të ‘mëkatit’ politik të palëve në ‘Kutinë e Pandorës’ ku çdo palë ka drynin e saj.
(e) Nëse ‘frika e ruan vreshtin’, duke promovuar drejtësi për abuzimet 8 vjeçare, qeveria e rilindjes futet në ‘gjak’ me opozitën duke e shtyrë vetë qeverinë të matet mirë tani e tutje sa kohë u krijua precedenti i ndëshkimit dhe ‘kali’ i pushtetit të hedh një ditë.
(f) Vakumi i drejtësisë, sikurse post97 dëshmoi, stimulon si një qasje agresive opozitare (të imunizuar tashmë nga ndëshkimi), ashtu dhe një qeverisje arrogante të tunduar ndaj abuzimit pas precedentit të mosndëshkimit reciprok në politikë që shpie në riciklim të vjetrës, sikurse 2005 tregoi.
(g) Ajo përbën një test për vetë moralin politik të qeverisjes së rilindjes, motiveve të afrimit PS-LSI, duke qenë gur prove i seriozitetit të premtimeve për transparencë dhe dhënie fund të abuzimit politik.
(h) Nëse drejtësi, ajo duhet vënë në kohë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Gjë që nuk është as në interesin e shoqërisë, as të opozitës në çlirimin prej pengut të së shkuarës (‘përçarja’ nuk do ishte fundi por shpëtimi i saj sa kohë është ndarje me abuzimin) por dhe vetë qeverisë. Kjo e fundit, nëse e zgjat shumë, e ekspozuar tashmë në rutinën e qeverisjes, do të shndërrohet vetë në objekt kritikash dhe akuzash për abuzim dhe në këtë rast, goditja ndaj abuzimit të djeshëm do të paragjykohej si lëvizje politike për të devijuar vëmendjen e opinionit publik prej abuzimit të ri qeveritar.
Pa ‘ferra’ nëpër këmbë
Aq sa drejtësia nuk duhet të merret peng prej tabuve dhe komplekseve të së shkuarës, po aq ajo nuk duhet personalizuar dhe nëse ‘hakmarrje’, ajo bëhet vetëm në emër të shoqërisë. Drejtësia nuk është opsion por detyrim dhe ndroja se promovimi i saj ndaj abuzimit të djeshëm mund të fabrikojë ‘heronj’ apo cënon stabilitetin demokratik, është e pavënd, deri fatale për prognozën e rilindjes, sa kohë drejtësia respekton ligjin dhe politika i rri larg asaj. Dhe nëse ka rezerva për kapjen e drejtësisë, është koha për ta testuar dhe jo paragjykuar atë.
Argumentimi se ‘për të qenë i besueshëm ndaj tjetrit, bën mirë ta fillosh nga vetja’, aq sa parimor, mbetet utopik deri në absurd sepse do të ishte po njëlloj sikur t’i kërkosh opozitës të merret me veten e saj se sa me qeverisjen përballë. Aq sa qeveria e ka për detyrë denoncimin pa vonesë të korrupsionit të djeshëm, po aq edhe opozita dhe mbarë shoqëria e ka detyrim denoncimin e abuzimit qeveritar. Sa kohë çdo palë bën të vetën, demokracia funksionon.
E nisur për shtet ligjor, qeveria e rilindjes së pari duhet të hapë ‘shtegun’ drejt tij. I parrahur gjatë dhe i mbuluar nga ‘ferrat’ e tranzicionit, ai sot ka humbur nga sytë. Pastrimi i ‘ferrave’, largon dhe ‘gjarpërinjtë’ dhe çdo qeveri e nesërme ecën e qetë më pas. Sikur kaq të bëjë, për hir të shoqërisë apo për hir të vetes, vetë apo duke ua mundësuar të tretëve, ka bërë mjaft. Për të hyrë në histori.
Le te shpresojme
ku ti gjej rrenjet e tua drejtesi, ti ku u rite e kush te zbukuroi,per te qene iluzioniste per te na udhehequr lehte neper ferat e mbjella nga ju.Djalli duket se e ka te lehte te cfaqet si engjellor,por vjen nje caste qe vjen edhe shperfyterimi, mos e vrisni dretesin zoterinj.