Tashmë është zyrtare, Etrit Berisha do të jetë shqiptari i radhës në Serie A. Portieri titullar i kombëtares shqiptare nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me Kievo Veronan. Lajmin e bën të ditur klubi venet nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të internetit. Sipas asaj që shkruhet në komunikatën zyrtare, portieri shqiptar do të bashkohet me ekipin në janarin e vitit 2014, pasi të ketë përfunduar plotësisht detyrimet kontraktuale me Kalmarin në Suedi.
Kjo do të thotë se shtatlarti kuqezi do të merret me parametra zero nga klubi italian, që i propozoi një kontratë 3-vjeçare dhe ndoshta edhe vendin e titullarit në “Bentegodi”. Etrit Berisha do të pajiset me pasaportë suedeze brenda një kohe të shkurtër, për të luajtur si lojtar komunitar në radhët e verdhebluve të presidentit Kampedeli. Kjo nuk është hera e parë që Kievo Verona bashkon me grupin e saj një portier shqiptar, sepse ishte Samir Ujkani ai që u transferua te kjo skuadër të merkaton e dimrit gjatë këtij viti në formë huazimi nga Palermo. Pas disa muajve ku nuk arriti të gjente një vend në formacionin titullar, zëvendësuesi i Berishës në kombëtare, u rikthyer te skuadra siçiliane, ku po vazhdon stërvitjen aktualisht. Etrit Berisha lindi në Prishtinë 24 vjet më parë dhe e nisi karrierën me skuadrën vendase 2 Korriku për t’u transferuar në vitin 2008 te Kalmari në Suedi.