Pse nuk përfshihet futbolli në dialog?

8 Gusht 2013, 11:31Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj*

 

Në një kafene të Zagrebit isha duke biseduar këto ditë me disa nga legjendat e gazetarisë sportive të Kroacisë. Tomislav Zhidak, kolumnist dhe gazetar sporti në “Jutarnji list“, është autori më i lexuar në Kroaci. Vlado Vurishiq është gazetar që shkruan për rajonin, shpesh edhe për Kosovën, por është edhe autor i një libri të madh “Historia e kampionateve botërore të futbollit”. Njëri më pyet se “kur do të bëhet Fadil Vokrri president i Kosovës?”. Fillojmë bisedën lidhur me angazhimet e Vokrrit, që për gazetarët më të vjetër kroatë konsiderohet si njëri ndër legjendat e futbollit të asaj kohe në ish-Jugosllavi, edhe pse nuk ia falin pse në vend të Dinamos së Zagrebit atëbotë shkoi në Partizan të Beogradit, që ta anëtarësojë Kosovën në FIFA dhe EUFA. “Nëse e bën këtë Vokrri do të mund të bëhet edhe president i Kosovës”, thotë një koleg tjetër. Në Kroaci të gjithë janë gazetarë sporti. Jo vetëm gazetarët, por secili qytetar. Ish-seleksionuesi kroat Miroslav Qira Blazheviq, i njohur për ne edhe si ish trajner i Prishtinës në kohën më legjendare të këtij klubi, dinte të thoshte se ai është vetëm një prej 4,5 milionë selektorëve që ka Kroacia. “Secili kroat është selektor!” pati thënë Qira, kur mbrohej nga sulmet se pse nuk e ka ftuar këtë apo atë lojtar në skuadrën kombëtare. Dhe për çudi asnjë temë tjetër në shoqëri atë ditë nuk tërhiqte më shumë vëmendje sesa mundësia e anëtarësimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA. Derisa unë mundohesha t’ua sqaroja pse anëtarë të këtyre dy organizatave sportive, njëra në nivel evropian e tjetra botëror, janë edhe ata që nuk janë shtete fare (Skocia, Wellsi, Irlanda e veriut) dhe pse Gjibraltari u bë anëtar e Kosova jo, gazetari Zhidak pas çdo minute përmend nga një emër “portieri Berisha apo Ujkani?“, pastaj „Shaqiri“. Në vazhdojmë bisedën për Gjibraltarin e Zhidak vetëm shton “Jonuzaj, Xhaka“.

Si tifoz i flakët i Dinamos së Zagrebit nuk lë pa përmendur edhe Fatos Beqirajn si kandidat.

Krejt kjo bisedë ua ktheu kolegëve kroatë kujtesën e para 23 vjetësh kur Kroacia përgatitej për pavarësi dhe për luftë dhe kur në stadiumin e Maksimirit, natyrisht të mbushur plot, u zhvillua ajo ndeshja e famshme kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hapim faqet e librit “Historia e kampionateve botërore“ dhe gjejmë aty edhe një foto të asaj skuadre të Kroacisë. Në mesin e 11 lojtarëve ishte edhe Kujtim Shala, atëherë lojtar i Dinamos së Zagrebit.  Ishte ajo, ndonëse ndeshje miqësore, edhe me karakter zyrtar. Dhe mbeti në histori madje edhe më shumë sesa fitorja e Kroacisë 3:0 kundër Gjermanisë në çerekfinalen e botërorit 1998 në Francë apo fitorja 2:1 ndaj Holandës në të njëjtin botëror kur Kroacia doli e treta në botë. Prej atëherë Kroacia, një vend relativisht i vogël, ndodhet në mesin e skuadrave më të mira të botës në listën e FIFA-s.

Kolegët kroatë flasin se sa bëri futbolli që të njihet Kroacia në botë. Sa bëri ky sport që të mbahet morali kombëtar në një kohë jashtëzakonisht të vështirë. Dhe sa bëri ky sport që edhe ata të cilët e vënin në dyshim ekzistimin e shtetit të Kroacisë  ta kuptojnë se nuk ka kthim prapa.

Futbolli shpesh ka qenë mundësi për të shprehur edhe qëndrime politike, kryesisht kundërshtime të pushtetit. Thuhet se edhe lufta mes Kroacisë dhe Serbisë u nis me konfrontimin gjatë ndeshjes Dinamo-Crvena Zvezda në Zagreb kur Zvonimir Boban, për t’i mbrojtur tifozët, sulmoi policin.

Përmes ligës së veçantë të futbollit, duke luajtur edhe nëpër livadhe, me vite shqiptarët e Kosovës e kanë bojkotuar pushtetin e Serbisë, shpesh duke u rrahur nga policia serbe.

Kur Kroacia doli në skenën ndërkombëtare të futbollit pati një gjeneratë në pritje për të shpërthyer në skenën botërore. Kështu kolegët kroatë mendojnë se do të mund të ndodhte me Kosovën, vetëm nëse i lejohet një mundësi e tillë. Kështu përmes futbollit Kosova do të mund sado pak ta përsëriste shembullin e Kroacisë. Edhe në skuadrën e Kroacisë filluan të luajnë kroatë nga Australia, Bosnjë-Hercegovina, Zvicra dhe vendet e tjera.

Gjibraltari ka më pak banorë sesa që i zë Stadiumi i Prishtinës, por tash është bërë anëtar i FIFA-s dhe EUFA-s dhe mund të bëjë edhe gara zyrtare. Kjo thuhet të jetë arritur për shkak se kanë bërë kërkesën formale para se të ndryshohej rregullorja sipas së cilës kusht është të jesh anëtar i OKB-së. Pasi që kërkesa shqyrtohet në bazë të rregullave në fuqi, kur është bërë kërkesa, atëherë Gjibraltari, me gjithë kundërshtimet e Spanjës, ka arritur të bëhet anëtar.

Është vërtet mëkat që Kosovës nuk i lejohet anëtarësimi. Kjo është krejtësisht për shkaqe politike. Presidenti i UEFA-s, Michael Platini, ndoshta për shkak të votave nga federatat e Serbisë, Rusisë apo Spanjës, ndoshta për ndonjë shkas tjetër, është kundërshtari më i madh i Kosovës në këtë rast. Ai shpesh vjen në Bruksel dhe lobon për çështje të ndryshme, kryesisht për ruajtjen e mundësive për fitime multimilionëshe nga EUFA prej transmetimeve televizive të ndeshjeve. Atij nuk i është thënë asnjëherë nga BE-ja që të ndihmojë Kosovën të dalë në skenën ndërkombëtare. Ndoshta nuk do të ishte keq që edhe kjo të bëhet pjesë e dialogut, që të shihet se sa larg është e gatshme të shkojë Serbia për të njohur realitetin në rastin e Kosovës.

Asnjë marrëveshje mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, asnjë njohje nga ndonjë shtet tjetër, nuk do të ndihmonte që qytetarët e Serbisë të pranojnë realitetin se Kosova është shtet i pavarur sesa mundësimi i kombëtares së Kosovës në futboll që të bëjë gara në nivel ndërkombëtar. Vetëm kur ta shohin Kosovën duke luajtur futboll, serbët do ta kuptojnë përfundimisht se nuk ka kthim prapa. Prandaj edhe Serbia bën çmos që kosovarëve të mos u lejohet kjo kënaqësi.

Derisa të mos anëtarësohet Kosova në federatat ndërkombëtare të futbollit, lojtarët nga Kosova duhet të ndihmojnë që së paku Shqipëria, e cila për herë të parë është para Serbisë në listën e FIFA-s, të kualifikohet në një botëror. Realizimi i qëllimit të shkuarjes së Shqipërisë në botërorin në Brazil vitin që vjen gjithsesi është më afër sesa dita kur Kosova do të mund të luante kualifikimet për ndonjë botëror apo kampionat evropian.

*KOHA DITORE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje