Ministria e Financave censuron të dhënat publike të Thesarit të Shtetit për vitin 2013

6 Shtator 2013, 17:29Ekonomia TEMA
Ministria e Financave censuron të dhënat publike të Thesarit

Open Data Albania

 

Në emër të parimeve të të Drejtës Publike për Informim, dëshiroj të ndaj me Ju shqetësimin mbi një rast censure të realizuar këto ditë me të dhëna të Thesarit Publik të Shtetit.

Qeveria shqiptare është e detyruar me ligj dhe udhëzime përkatëse të bëjë transparente përballë qytetarit shqiptar çdo detaj të mënyrës së si shpenzohen paratë e taksapaguesve shqiptarë apo asetet publike monetare.

Gjithashtu, në kuadër të angazhimeve në partneritetin për Qeverisje të Hapura dhe Transparente OGP, shteti ynë është angazhuar për publikuar çdo ditë Listën e Pagesave Ditore te Thesarit dërguar për ekzekutim në Bankën e Shqipërisë.

Kjo listë veç datës, shumës, autoritetit urdhërues, përmban edhe identitetin e përfituesit, aktin ligjor ku bazohet transaksioni dhe përshkrime të tjera.

Prej muajit shkurt të vitit 2012, këto të dhëna janë përditësuar në faqen e Ministrisë së Financave, rubrika Raportime – Thesari. Për këtë proces në respekt të parimeve të demokracisë, mirëqeverisjes, transparencës dhe shtetit ligjor ka artikuluar në mënyrë të përsëritur edhe Kryeministri z. Sali Berisha; Ministri i Financave z. Ridvan Bode dhe Ministri i Inovacionit z. Genc Pollo.

Megjithëse formati i publikimit përkonte me një model teknologjik që nuk përmbush standardet e të “dhënave lehtësisht të përdorshme”, publikimi online për datat 1 shkurt 2012 – 30 maj 2013 është bërë në formë të vazhdueshme.

Aktualisht në javën e parë të shtatorit janë hequr dhe censuruar nga faqja zyrtare të dhëna të muajve shkurt, mars, prill dhe maj 2013.

Këta katër muaj të vitit 2013 kanë rëndësi të veçantë pasi janë muaj të një viti të fundqeverisjes tetëvjeçare të së djathtës, e po kështu janë muaj të një viti elektoral.

Gjithashtu të dhënat për muajt qershor dhe korrik janë hedhur në format difektoz dhe të pakonvertueshëm.

Të dhënat e Thesarit bëhen publike edhe si rezultat të një projekti të kushtueshëm për zbatim të sistemit AMoFTS si një sistem modern për procedimin e transaksioneve te qeverisjes se përgjithshme, bazuar në standardet dhe praktikat ndërkombëtare për raportimin financiar dhe përdorimin e likuiditeteve dhe pasurisë publike me ekonomi, eficiencë, efektivitet dhe transparencë.

Stafi që punon për Open Data/ Spending Albania bën të ditur se ky është një rast flagrant i censurës zyrtare që cenon interesin e publikut për informim.

Ky lloj censurimi përkon me një nga përgjegjësitë më të mëdha të qeverive që është përgjegjësia për të mirëqeverisur financat dhe asetet e publikut.

Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të informohen si shpenzohen paratë e tyre, ku shkojnë ato, a përdoren për interesa publikë apo interesa politikë, partiakë e personalë.

Po kështu çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të informohet se kush janë klientët (furnitorët) e institucioneve shtetërore e publike që përfitojnë nga paratë e taksapaguesve. Heqja e të dhënave për këta katër muaj dhe publikimi difektoz i të dhënave në vijimësi, dëshmon një rast shpërdorimi detyre apo në rastin më negativ një fenomen që dëshmon se për këtë periudhë qeverisëse shtetarët përkatës kanë vështirësi të përballen me publikun.

Një shtet demokratik siguron transparencën dhe llogaridhënien për mënyrën se si shpenzon paratë publike.

7 komente në “Ministria e Financave censuron të dhënat publike të Thesarit të Shtetit për vitin 2013”

  1. lili says:

    Presim qe auditimin nga qeveria e re te na tregoje te gjithat per keto muaj edhe qe keqperdoruesit te shkojne ne burg ne qofte se ka dallaverE

  2. Kendveshtrim tjeter says:

    E perkthyer ne shqip,Vjedhje !
    Provo te kerkosh te dhena nga listat e votuesve 2013.
    Edhe keto jane fshire.

  3. Andi says:

    Ky eshte nje rast i shemtuar flagrant i qeverise qe ka ditet e numeruara. Nuk eshte i vetmi institucion qe fsheh te dhenat. Duhet theksuar se, jo me pak jane edhe projektet e shoqerise civile ku ben pjese OPEN DATA se bashku me autoren e ketyre rreshtave Aranita Brahaj e cila nese do do hulumtosh ne faqen http://open.data.al do gjesh materiale ne ku lavderohej puna e qeverise apo e ministrise se financave. Per gati dy vite OPEN DATA menaxhon faqe web ku hedh dhe studimet apo kerkimet. Natyrisht, pjese e ketyre hulumtimeve kane perbere lajm dhe, nje prej tyre ka qene vdekshmeria e foshnjave. Gjithesesi, kur behet fjale per projekte, shoqeria civile apo organizatat jo fitimprurese (kjo ehste qesharake pasi kush eshte ai apo ajo qe ben kerkime falas) harrojne cfare kane kerkuar apo ngritur zerin. Rast flagrant ishte edhe dalja e zonjes Elsa Ballauri e te drejtave te njeriut, pakicave…qe per tete vite u rreshtua ne krah te qeverise pasi, merrte projekte dhe, vetem nje muaj me pare nisi gjoja fushaten per mbrojtjen e Romeve. Keshtu ehste edhe kjo puna e e shqetesimit te zonjes Brahaj dhe projektit te saj. Normal kush nuk e drodhi qe mo t’a dredh edhe kjo. Kur behet fjale per miliona, lepijme ate qe kemi peshtyre!

    1. aranita says:

      na nis pak nje link ku u lavdroka qeveria ne keto (jo dy) po tre vjet Open Data. Sa per lek, cdo analize dhe artikull tek open data albania paguhet. edhe shteti mban tatimin e tij, por asnje buxhet nuk vjen nga qeveria …

  4. Qeveria ne ikje po verteton cdo dite se ka qene nje cete kusaresh dhe banditesh qe meritojne denimin kapital dhe kjo duhet bere nga Qeveria e Re, se po e la ujin e qelbur pa pastruar do molepsi gjithe vendin dhe gjithcka do jete si me pare. Duhet punuar me dore te hekurt per te rritur shpresen tek populli.

  5. jaho labi says:

    jo vetem sasia.
    mendoni edhe per familjet tuaja te pakten. se cfare thithim nga keto karburante e qe po semurin njerezit, dilni ne spital.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje