Për këdo që kishte pasur dyshim se mund të ndodhte ndryshe, dy muaj e pak ditë mbas zgjedhjeve të 23 qershorit, ato janë shuar përfunimisht. Nuk ka rotacion të paqtë pushteti. Së paku si ai i vitit 2005, kur Fatos Nano vendosi një standart të pëlqyeshëm për realitetin e ashpër politik shqiptar. Sali Berisha po sillet me stilin e tij të pandryshueshëm, arrogant dhe hilacak në qeverisje. Tjetër thotë, tjetër bën dhe qëllimin e ka gjetkë. Këtë e bëri deri në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar. Në dy muaj e pak ditë mbas humbjes dramatike në zgjedhje, vendimet e firmosura nga Berisha nuk kanë reflektuar në asnjë moment realitetin e ri politik postzgjedhje në vend.
Kushtetuetshmërisht, PD e aleatët e saj vazhdojnë të jenë ende në maxhorancë. Do të jenë të tillë deri në “të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë” të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet tashmë të largëta të vitit 2009. Kështu thotë kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. “Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës”. E thotë sërish kushtetuta, e lexuar në një mënyrë të tillë gërmë për gërmë. Në mënyrë të drejtë, natyrale dhe të logjikshme. Por në Shqipëri, sipas zakonit, rendi i leximit, edhe i ligjit themelor të shtetit, bëhet sipas dëshirës dhe vullnetit të pushtetit.
I pari, Berisha pretendon pikërisht për shkak të këtyre dy neneve se asgjë nuk ka ndryshuar në atributet e tij dhe po merr njëri mbas tjetrit vendime shumë të diskutuara, të cilat në rastin më të mirë, afrojnë të gjitha mundësitë për t’u parë me dyshim.
I dyti, Rama i referohet frymës së kushtetutës, sipas të cilës, qeveria në këtë periudhë tranzicioni, vetëm duhet të kujdeset për kalimin e pushtetit nga njëra palë tek tjetra e të marrë vetëm ato vendime që janë të nevojshme për vendin. Dhe premton rishikimin e gjithë vendimeve të marra gjatë kësaj periudhe që shumica e re e tij i sheh me dyshim.
E vërteta qëndron diku në mes, pothuaj e barazlarguar nga palët. Edhe njëri, edhe tjetri kanë të drejtë, edhe njëri, edhe tjetri gabojnë në këto dy qëndrime të skajshme. Nuk mund të ketë qeveri kujdestare në këtë periudhë tranzicioni, por nuk mund të ketë as një qeveri që sillet sikur 23 qershori të ketë ndodhur në një vend fqinj të rajonit e jo në Shqipëri.
Qeveria në ikje ka të drejtë të marrë vendime, por jo të tilla si ato që po firmosen me shumicë dhe me urgjencë të minutës së fundit. Nuk është e shkruar në këtë formë askund, por është diçka lehtësisht e kuptueshme. Si në rastin kur në asnjë bar nuk gjen shënimin: ndalohet e ulura mbi tavolinë, por të gjithë e dinë se klientët duhet të rrinë ulur në karrige apo pranë banakut. Këtë nuk pranon të zbatojë Berisha dhe nga banaku i qeverisë së tij po dalin darovitjet e fundit. Licensa të reja për hidrocentrale, tjetërsim pronash, përfshi dhe godinën e SHQUP-it për seli të partisë së tij, leje importi mbeturinash, hidrokarburesh e kështu me rradhë.
Revista Java ka bërë një seleksionim të vendimeve të qeverisë duke nisur nga mbledhja e parë e saj postzgjedhore, kur u kuptua se e djathta kishte përfunduar në opozitë.
Mbledhja e parë
Në 27 qershor, katër ditë mbas të dielës zgjedhore, Berisha drejton mbledhjen e parë të qeverisë, siç thotë edhe vetë, për herë të parë nga pozita e një “antari të thjeshtë të PD-së”. Vendimi i parë: “Përcaktimi i autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe shfrytëzimit të portit të jahteve në Porto Palermo…”. shtuar dhe me miratimin e një bonuesi për përzgjedhjen konkuruese për subjektin “Studioja A.M.Z.”. Zyrtarisht Shqipëria është ende nën moratooriumin që nuk lejon mjete detare me një fuqi të caktuar të lundrojnë në det. Kishte urgjencë për një vendim të tillë? Ishte i udhës të merrej në ato ditë? Këto janë përgjigje që do të merren më pas. Nëse merren për këtë vendim luksi. Dhe më pas dy vendime për tjetërsim pronash, i pari për llogari të Portit Detar në Durrës dhe i dyti për bashkinë Vlorë. Nuk mungon as një lajm i “rëndësishëm”. Me Filipinet nënshkruhet marrëveshja për heqjen e sistemit të vizave për pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit.
Mbledhja e dytë
Një javë më pas, në tre korrik vjen një vendim që ndryshon një vendim tjetër të mëparshëm. “Ndryshime dhe shtesa në kontratën e koncesionit mes ministrisë së ekonomisë dhe shoqërive “Endi-E”, “Eko A2”. Subjekti: ndërtim i hidrocentraleve Prellë 1 dhe Prellë 2. Marrëveshja e parë ishte e gushtit të pesë viteve më parë, domethënë në vitin 2008. Për pesë vjet marrëveshja e vjetër nuk kishte pasur probleme, ai u krijua dhe u zgjidh po në minutën e fundit të qeverisjes.
Por çfarë ishte më e rëndësishmja, kishte të bënte me “Përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Kosovës”. Një premtim solemn i vetë Berishës në nëntorin e vitit të kaluar kur ai ishte përfshirë në ethet e një nacionalizmi folklorik dhe beteje me drejtim nga Tirana drejt gjithë të tjerëve, kundër “albanofobisë”. Ethe që me siguri i kanë sjellë edhe një faturë të kripur nga ata që gjykojnë mbi rajonin dhe që përgjithësisht kanë vendosur për fatet e gjithë rajonit.
Mbledhja e tretë
Në 10 korrik, në mbledhjen e rradhës së qeverisë nuk mund të mungonte fjala hidrocentral. Kësaj rradhe bëhet fjalë për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Shëngjun”. Një bonues prej dy pikësh i jepet shoqërisë “V&A Energji Klos”.
Mbledhja e katërt
I vënë nën presion nga opozita e shndërruar në maxhorancë, kryeministri i kthehet zakonit të hershëm: fjalimeve të gjata para mbledhjeve të qeverisë, të cilat sipas kushtetuës, janë “kurdoherë të mbyllura”. “Me gjithë zotimin e zyrës së Kryeministrit të zgjedhur, siç po e shpall veten zoti Rama, se do të anulojë çdo koncesion, kjo qeveri vazhdon normalisht ushtrimin e detyrave të veta deri në mbledhjen e fundit të saj. Është kjo qeveri e cila ka hapur siparin dhe ka bërë të mundur që në Shqipëri nga viti 2008 e deri më sot të firmosen në sektorin privat mbi 130 kontrata për ndërtimin e mbi 370 hidrocentraleve, po të marrim edhe miratimin e këtyre sot”. Dhe vijojnë firmat për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Driza 1”, të hidrocentralit “Gjadër”, të hidrocentralit “Zall Xhuxhe”, të hidrocentralit “Plepi”, të hidrocentralit “Kalivar”, të hidrocentralit “Kolosjan”, të hidrocentralit “Viliq”.
Dhe një tjetër shtesë kontrate për marrëveshjet e hidrokarbureve. “”Petromanas Albania”, fiton të drejjtën për prodhim, kërkim e zhvillim në blloqet A-B dhe D-E. Nafta? Ajo po është me leverdi. E ka mbjellë Perëndia për mijëravjeçarë nën tokë dhe lum bujku që merr të drejtën për ta korrur. Këtë të drejtë e jep Doktori. Për ta anuluar nevojiten dhe gjykatat dhe dëmshpërblimet e kripura. Pavarësisht sesi është dhënë kjo e drejtë. Llogaria është e qartë.
Në të njëjtën ditë, i njëjti fat i mbarë për mbajtësit e pasaportave diplomatike e të shërbimit si në rastin me Filipinet: ata mund të shkojnë pa viza edhe në Ekuador. Doktori e mundëson edhe një gjë të tillë.
Mbledhja e katërt
Eshtë data 31 korrik. Vetë Berisha sqaron dhe sulmon. Sqaron arsyet që e shtyjnë të verë firma në vendimet e qeverisë dhe sulmon njeriun që do t’i zerë vendin në godinën e kryeministrisë: “Në rendin e sotëm ka disa projektligje dhe vendime, të cilat kanë të bëjnë me “gropën” e financave shqiptare, siç po thotë piktori, i cili në mënyrën më të pakonceptueshme dëshmon se nuk ka “abc”-në e infrastrukturës së institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka një muaj që çirret, si duket ka fiksuar ndonjë kompani për të ndarë paratë me të, për kompani ndërkombëtare auditi, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar është kryeauditi botëror për çdo qeveri, për çdo vend të lirë…”. dhe më pas një fjali e njohur, e thënë po nga Berisha vite më parë, në vjeshtën e vitit 1996, por në të tjera rrethana dhe në tjetër kontekst: “Unë dua të theksoj edhe një herë se financat shqiptare janë financat më transparente”. Atëherë si President i republikës thoshte se paratë e shqiptarëve janë të pastrat në botë, çka pak muaj më pas, rezultoi ndryshe. Krejt ndryshe.
Zhvesh ushtrinë nga një pronë që ajo nuk e përdor, tunelin e nëndetëseve për ta bërë muze “panorama e luftës së ftohtë” dhe po në të njëjtën ditë, firmos lehtësisht për zhveshjen e shumë hektarëve pyll që do të shndërrohet në gurore. Kompania “Shpresa – AL”, “ftohet” të punojë në Krastë, Krujë.
E si të mos mjaftonte shpyllëzimi, shfaqet një leje për import plehrash ose siç thuhet në dokument, “mbetje politileni për qëllim riciklimi”. “Plastika – Albania” fiton të drejtën për të importuar 600 ton mbetje të tilla në vit. Qeveria e re ka premtuar shfuqizmimin e këtij ligji. Në dimër, për herë të parë shqiptarët do të vendosin me referendum nëse do të importojnë apo jo mbeturina në vendin që nuk e pastrojnë dot as nga mbeturinat që prodhohen këtu. Por deri atëherë, kanë nisur ditët e qeverisë së re.
Një tjetër shoqëri, V.A.L.E. Recycling”, ka të njëjtin fat. Ajo lejohet të importojë mbetje gize, çeliku, bakri, zinku, plumbi, qelqi, etilen, stirenit, vinil – klorid, letër, tallash dhe veshje të përdorura. Plot 2 mijë ton në vit.
Mbledhja e pestë
Data 16 gusht. Berisha thotë: “Sot kemi dy çështje të rëndësishme. Së pari, Organizata e Frankofonisë kërkon mbështetje nga vendet frankofone për të kontribuar në stabilizimin e Malit… Së dyti, kam zgjedhur të përgëzoj administratën tatimore e doganore, e cila gjatë muajit korrik, në një kohë kur qeveritarët e ardhshëm i binin gjoksit në diell e ku vazhdojnë të jenë në resorte 3 mijë euro nata, për gropën e madhe financiare, unë njoftoj shqiptarët se administratat tatimore e doganore kanë funksionuar me integritet të lartë, çka nuk është e thjeshtë, pasi stuhia antishtet e piktorit synonte të paralizonte tërësisht administratën”. Dhe rezultati sipas kryeministrit është: …tatimet realizuan në masën 106.7 përqind planin e vet… doganat kanë mbledhur 16 përqind më shumë sesa në korrikun e vitit të shkuar.
Shoqëria “Everest Ie”, e treta në rradhë, fiton të drejtë importi mbeturinash. Katër mijë ton në vit. Për një vit. Dhe si qershi mbi tortë, edhe ca lekë më shumë, domethënë shumë e shumë lekë, 29 milionë, për drejtorinë e shërbimeve qeveritare.
Mbledhja e gjashtë
Data 28 gusht. Sërish i njëjti ritual. “Mbledhja e sotme ka dhe kjo një seri vendimesh të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me institucionet, me disa procedura prokurimesh publike, të cilat duhet të zbatojë Këshilli i Ministrave mbi zbatimin e kodit doganor, mbi dhënien me koncesion të tre HEC-eve dhe i ftoj socialistët ti kontrollojnë. Një qëndrim absolutisht kundër çdo sulmi frontal ndaj koncesioneve. Është normale që çdo qeveri do të kontrollojë çdo akt që mendon se ka qenë i parregullt, por sulmi frontal është dëshmi e një babëzie, injorance të papërmbajtur që nuk bën gjë tjetër veçse pengon fillimin e investimeve dhe lë njerëzit pa punë”, thotë Berisha. Dhe firmos çfarë thotë. Pa harruar të sulmojë kundërshtarin Rama. “… përpjekja dhe rikthimi në mendime të shprehura… nga piktori kur ishte ministër i kulturës, për vilën e Enver Hoxhës dëshmon se atij, jo vetëm nuk i është dobësuar adhurimi për xhelatin e shqiptarëve, por ai e ka peng në shpirt që nuk e realizoi atëherë dhe nuk do ta realizojë dot e garantoj”. Dhe më pas me një kapërcim pindarik kthehet tek sukseset e qeverisjes së tij: “Unë ju them shqiptarëve me sinqeritetin, por dhe me vendosmërinë më të madhe, se sistemi doganor dhe tatimor i vendit, pavarësisht nga defektet dhe të metat që ka, ka merita shumë të mëdha në të gjithë arritjet e këtij vendi. Ka mbledhur 9.2 miliard dollarë më shumë dhe kjo nuk arrihej kurrë pa luftuar informalitetin dhe pa një disiplinë fiskale. Këta që vijnë, këta nuk kanë në mendje gjë tjetër, veçse të zbrazin arkën e publikut dhe të mbushin arkën e tyre. Mjafton të lexosh deklaratat e tyre dhe të bindesh. Ku do ti merrni paratë e pyetën atë që do të ishte ministër financash dhe ai tha do t’ua marrim hajdutëve. Kjo është identike një slogan i vitit 1945, i atyre që erdhën në pushtet nga malet. Pra në fund të fundit të gjithë faturën e paguajnë qytetarët e thjeshtë”. Pak a shumë të njëjtën gjë Berisha e ka thënë dhe vetë në fillim të qeverisjes së tij: do t’i shëndoshim financat shqiptare duke ju prerë duart hajdutëve të pushtetit! Por tani kohët kanë ndryshuar. Edhe kujtesa ndryshon dhe bën ndonjë tradhëti të vogël të këtij lloji. .
SHQUP-i si seli PD-je
Por çfarë ka qenë më e prekshme dhe më e diskutueshme për opinionin ishte vendimi për tjetërsimin e një prone të Forcave të Armatosura në seli të PD-së. SHQUP-i, një nga godinat më të rëndësishme dhe në një nga pozicionet më të favorshme në kryeqytet, me një truall gjigant në dispozicion, i hiqet ushtrisë me procedura të dyshimta. Fillimisht vendimi nuk publikohet, por më pas ai bëhet publik dhe nga PD nxitojnë të bëjnë faktin e kryer. Më shumë se një kalim pronësie apo një prapavijë biznesi, ky është një akt politik. Do të jetë shenja e parë e sherrit të nesërm kur demokratët të dalin në opozitë. Nëse Rama do të kërkojë të rivendosë ligjshmërinë, atëherë demokratët do të dalin në rrugë, ndoshta me sloganin: “Larg duart nga shtëpia jonë!”. Ose: “Ne vdesim, por selinë nuk e lëshojmë!” Një argument i përkryer për sherr. Kurse ndërtesa e PD-së kalon në pronësi të bashkisë së Tiranës. Si me thënë, sërish brenda për brenda shtëpisë.
Çfarë do të ndodhë nesër? Socialistët kanë premtuar t’i rishohin sërish shumicën e këtyre vendimeve edhe pse një pjesë e tyre i kanë afruar pasojat e tyre dhe janë në situatë të pakthyeshme. Vetë Berisha e pranon logjikën e rishikimit, por me siguri, pret që dhe në humbje të prodhojë fitore: sherri është ambienti i tij natyral. Në luftë ai është i gjallë, paqja e vret. Dhe me vendimet e fundit që ka firmosur, ju ka hedhur dorezën e sfidës kundërshtarëve të tij për t’i tërhequr po në luftë. E fundit gjë për të cilën ka nevojë një qeveri e re.
Me lufte mund te shpresohet shume, por jo gota e munguar e qumshtit mbi tavoline.
I nderuari Lorenc Vangjeli;
Jam nje Avokat dhe petagog njekohesisht, qe fati per *mire* apo per “keq” me ka futur ne linjen e legjislacionit per pronen private dhe publike, duke njohur prej mbi 17-viteve me modesti jo pak cfare ka ndodhur e si kane ndodhur vjedhjet e prones ne Shqiperine “Demokratike” post-1990. Megjithate me vjen keq qe nje gazetar-investigativ tashme me emer si Ju, te hidhni mendime te tilla ne kete shkrim duke “toleruar” haptazi vjedhjet e Pushtetit te Berishes per 13-vite (5+8 PD ne pushtet), sic eshte rasti i nje-mijte i kasaphanes se Berishes dhe bandes se tij tashme ne Opozite ai i SHQUP_it. SHQUP_i duhet ti kthehet fillimisht Shtetit, Ministrise se Mbrojtjes, sepse eshte objekt i vecante ushtarak qe nuk eshte firmosur nga Shefi i Shtabit te FA, e ketu fillon shkelja (vjedhja). Nuk dua te ndalem vetem tek SHQUP_i, sepse ka filluar akti i denoncimit nga pasardhesit e familjes Toptani ne USA qe jane pronare te truallit (tokes ku ndodhet ky objekt), dhe ky akt denoncimi eshte ne dy pale zyra ligjore nje ne NYC dhe nje ne Tirane, por dhe po punohet edhe me Gjykaten e Strasburgut per veprime te kombinuara e te studiuara. Pra; ju z. lorenc Vangjeli duhet te mos hidhni “rrufe ne qell pa re” se PD e Berisha duhen “toleruar” per vjedhjet, sepse me hire apo me pahire 1-Miljon Votat e 23 Qershorit kundra Berishes e PD, me te madh e me te vogel, nuk tolerojne vjedhjet dhe krimet e tjera te Berishes me familje biologjike e politike. Nese keni Ju frike personalisht apo dhe Rama e Meta nga Berisha-Basha-Paloka-Topalli e turma e vogel qe i shkon ketyre hajnive e vrastareve nga pas (sipas vete njerzeve te tyre ne SHISH qe kane filluar te llapin poshte e larte, –PD nuk i kapte as 30-Deputete po te mos vidhte aty ku mundi me lista+emigrante fallso+kosovare+dhune e frike policore e bandash si ne Lezhe, dhe arriti te vjedhe aq as vodhi dhe arriti ne numrin qe ka sot si Opozite.– Here tjeter dhe sa me shpejt Ju z.Vangjeli duhet te mos gaboni me me te tilla arsyetime, sepse cdo gje jashte ligjit dhe e vjedhur e PD-Berishes duhet te cbehet me cdo KOSTO, e keshtu do kete Rama e Meta shume shpejt me shume besim e perspektive ne te ardhmen, se do Votohen edhe me shume per disa mandate rresht.